Sead Xhigall, Vlladimir Petreski, Marjan Zabërçanec, Goran Rizaov. Foto: Vanço Xhambaski

“E-shoqëri”: Dezinformatat shpërndahen si virus, lufta ndaj tyre duhet të jetë e depolitizuar

Lufta me dezinformatat është sfida e të gjithë shoqërisë, për të ndarë gënjeshtrën nga e vërteta. Lajmet e rrejshme shpërndahen si virus dhe të njëjtat mund të luftohen vetëm në mënyrë të depolitizuar. Kjo u tha në sesionin “Mediat dhe qeverisja e mirë (Lufta kundër dezinformatave)”, të konferencës ndërkombëtare të “Metamorfozis” – “E-shoqëri”.

“Dezinformatat funksionojnë si një lloj i virusit. Ata lehtë hyjnë te informatat e vërteta. Të njëjtat nuk janë të izoluara, por të infiltruara. Është njëjtë sikur të pini një gotë me helm, nuk është patjetër që tërë gota të jetë e mbushur me helm, por mjaftojnë vetëm disa pika. Politizimi i luftës ndaj dezinformatave i forcon dezinformatat. Pra lufta duhet të jetë e depolitizuar që të shihet cila është e vërteta dhe e pavërteta. Kjo temë nuk është e mbuluar shumë mirë te ne. Duhet të mblidhen ide, të debatohen dhe të zbatohen. Do debat humb kuptimin nëse nuk dalin ide të cilat do të zbatoheshin”, tha Sead Xhigall nga Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit.

Këshilltari special për marrëdhëniet me publikun i kryeministrit Zoran ZaevMarjan Zabërçanec, tha se opinioni është sensibilizuar dhe për dallim nga e kaluara tani po reagojnë për dezinformatat.

“Këtë periudhë kemi qytetarë të sensibilizuar dhe të mobilizuar për t’u përballur me dezinformatat. Tema është e ngritur si asnjëherë më parë. Opinioni reziston ndaj dezinformatave. Është kyçe që të kemi transparencë aktive dhe të pastrohen dyshimet. Duhet të dallojmë nga kritika dhe gënjeshtra, kritikën e dëgjojmë dhe e përkrahim, a gënjeshtrën e largojmë. Ne kemi pasur shembuj të cilat e kanë shqetësuar popullatën tonë, si për ai për emigrantët, vaksinat, por edhe ndjelljen e urrejtjes ndëretnike. Lajmet e rrejshme, janë veçmas sensitive për të nxitur urrejtje”, tha Zabrçanec

Kryeredaktori i “Vërtetëmatësit”, Vlladimir Petreski prezantoi punën, sfidat, rëndësinë dhe mënyrën se si punon shërbimi për verifikimin e fakteve në Fondacionin Metamorfozis. Ai tha se fondacioni ka së paku shtatë vite që në mënyrë sistematike dhe studioze merret me verifikimin e fakteve, boton doracakë dhe shkrime edukative dhe recensione për të luftuar dezinformatat.

“Nëse nuk do të kishin ekzistuar shërbimet për verifikimin e fakteve, jam i bindur që do të kishim shumë më shumë dezinformata në vend dhe më gjerë”, tha mes tjerash Petreski.

Sipas tij, që tani ka filluar, por ende më shumë në të ardhmen pritet që teknologjia do të ketë fjalën kyçe në zbulimin e dezinformatave.

Konferenca dyditore është ngjarje përfundimtare e projektit katër vjeçar ACTION SEE (Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore), në të cilin 7 organizata nga Ballkani Perëndimor dhe Mbretëria e Bashkuar i bashkuan përpjekjet e tyre për të promovuar dhe siguruar përgjegjshmëri dhe transparencë të autoriteteve në rajonin e Evropës Juglindore. Qëllimi kryesor i projektit është rritja e përfshirjes së shoqërisë civile dhe organizatave mediatike në proceset e vendimmarrjes dhe krijimit të opinionit publik dhe hartimit të politikave, si dhe ngritja e kapaciteteve të shoqërive civile për të zgjidhur probleme të ndjeshme. Pritet që në konferencë të marrin pjesë rreth 150 përfaqësues të institucioneve të Ballkanit Perëndimor, shoqërisë civile dhe organizatave mediatike, si dhe individë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Gjatë Konferencës janë mbajtur edhe disa sesione ku partnerët rajonalë të projektit ACTION SEE i kanë prezantuar rezultatet e përpjekjeve katërvjeçare për ta rritur shkallën e hapjes dhe të llogaridhënies së institucioneve, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për avancimin e qeverisjes së mirë.