Fotoreporterët filluan betejë me publikimet “copy-paste”, presin t’u bashkangjiten edhe gazetarët

Fotografi, tituj të njëjtë, tekste të tëra të kopjuara së bashku me gabimet tipografike janë bërë përditshmëri në mediat në Maqedoni. Rrallë kush e citon medien, e cila e ka publikuar e para lajmin ekskluziv. Çfarë mjetesh kanë në dispozicion gazetarët dhe punëtorët e medias kur bëhet fjalë për të drejtat e autorit? Paralajmërime për padi për përdorim të paautorizuar të fotogravive autoriale pranuan disa portale, por edhe nga një gazetë dhe një televizion. Avokatja që i përfaqëson fotoreporterët deri në javën e kaluar dërgoi 38 paralajmërime për padi.

Shkruan: Milena Atanasoska Manasieva – PINA

Nuk mund t’i numërojë mediat që i kanë shfrytëzua në mënyrë të paligjshme fotografitë e tij autoriale, mirëpo e di saktësisht se cila vepër është e tij, madje edhe sikur të jetë prerë apo përpunuar me Photoshop. Shumë prej tyre kanë shpëtuar pa u ndëshkuar, mirëpo kur para shtatë vitesh e ka parë në bilbord një fotografi të tij të “huazuar”, si pjesë të një fushate të Qytetit të Shkupit, fotografi maqedonas Tomisllav Georgiev ka vendosur të mos heshtë më. Kupa është mbushur pikërisht me këtë institucion shtetëror. Qyteti i Shkupit ka porositur harta me tablo informative për qytetin, mirëpo nga disa fotografi të përdorura për bilbordet, njëra ka qenë e Georgievit, mirëpo atij nuk ia kanë paguar atë.

Pas korrespondencës disajavore me Qytetin e Shkupit, ku ai ka pohuar se nuk ka çka të bisedojë me studion, por ata si porositës të bilbordeve duhet ta zgjidhin çështjen, dhe pasi ka angazhuar avokat – kanë arritur marrëveshje.

Paguan për përdorimin e fotografisë dhe nuk keni erdhi puna deri te padia. Isha i vendosur që t’i padis. Nuk ishte qëllimi te paratë, por desha të fillojmë të vendosim një lloj rendi. Thjesht u nervozova për shkak se bëhej fjalë për institucion”, thotë Georgiev.

Studentë që ka një portal paguan me këste

Ai, së bashku me disa fotoreporterë të tjerë nga Maqedonia, të mbështetur nga Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe e punëtorëve të medias (SPGPM) këtë vit shpallën luftë për mbrojtjen e të drejtat të tyre autoriale. Ata thanë publikisht se më nuk do ta tolerojnë përdorimin e fotografive të tyre për qëllime komerciale pa u paguar për këtë ose pa kërkuar leje për publikim. Aksioni tashmë jep rezultate.

Avokatja Natalija Milenkova, e cila i udhëheq rastet e fotoreporterëve, thotë se javën e kaluar ka dërguar vërejtje për padi për disa media onlajn, për një medie të shkruar dhe për një televizion. Gjithsej janë dërguar 38 paralajmërime për rreth dhjetë fotografi.

Deri tani kemi lidhur tre marrëveshje për dëmshpërblim dhe disa janë në proces negocimi, por duke marrë parasysh periudhën kohore që nevojitet për dërgimin e vërejtjeve me postë, besojmë se për një pjesë të tyre do të kemi thirrje në periudhën e ardhshme – thotë Milenkova.

Fotoreporteri Georgiev sqaron se vërejtja për padi është zgjidhje ujdi jashtë gjykatës, në vlerë prej 250 eurosh. Disa nga mediat tashmë kanë kërkuar që pagesën ta bëjnë me këste.


Ka një student që ka një portal, i cili është i vetëdijshëm se ka gabim, dhe kërkoi që shumën të paguajë në këste. Praktikisht, fotografinë e paguajnë 250 euro. Është shtrenjtë, por ka mundur të jetë falas sikur të kishin pyetur për ta përdorur – thotë Georgiev.

Ai thekson se këtë nuk e bëjnë për të fituar para, por për të krijuar një shprehi dhe respekt për të drejtat e autorit. Ata vendosën që të mos ketë tolerancë për askënd, madje as edhe për mediat ku punojnë vetë ata.

Për mediat që nuk do t’i pranojnë marrëveshjet do të ketë padi, dhe sipas vlerësimit të një avokati, kjo do t’u kushtojë mediave më shumë se 2.000 euro.

Avokatja Milenkova shton se çdo autor individualisht vendos dhe dorëzon dëshmi në zyrën e tyre për ngirtjen e procedurave përkatëse. Për fillim kanë vendosur të fillojnë me paralajmërime për padi, me qëllim që të ndikojnë të ndërpritet praktika e keqe e përdorimit të paautorizuar, dhe që të shmangen shpenzimet e shtrenja gjyqësore.

Mirëpo, për fat të keq, ka portale dhe media, të cilat dy ose më shumë herë, për një periudhë të shkurtër kohe, kanë bërë shkelje të të drejtave autoriale të fotografëve – sqaron Milenkova.

Cilat janë dënimet për shkeljen e të drejtave autoriale:
Sipas legjislacionit pozitiv në Republikën e Maqedonisë, të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me të gëzojnë mbrojtje penale, civile dhe të kundërvajtjes. Mbrojtja penale është paraparë në nenin 157 të Kodit Penal ku thuhet qartë se:
(1) ) Ai që në emrin e tij ose në emrin e dikujt tjetër, në mënyrë të paautorizuar
do të publikojë, paraqesë, reprodukojë, shfaqë, emitojë ose në ndonjë mënyrë tjetër të paautorizuar do t’ia marrë dikujt tjetër të drejtën e autorit ose ndonjë të
drejtë tjetër të lidhur me të, gjegjësisht veprën autoriale, shfaqjen ose diçka që i
takon të drejtës tjetër të lidhur me të, do të dënohet me dënim me burg prej gjashtë muaj deri në tre vjet.
(2) Ai që veprën nga paragrafi 1 do ta kryejë nëpërmjet sistemit kompjuterik, do të dënohet me dënim me burg prej gjaashtë muaj deri në tre vjet
(3) Ai që me veprën nga paragrafi 1 ka përfituar dobi më të madhe pronësore,
do të dënohet me dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet
(4) Ai që me veprën nga paragrafi 1 ka përfituar dobi të konsiderueshme pronësore,
do të dënohet me dënim me burg prej një deri në pesë vjet
(5) Tentimi është i dënueshëm.
(6) Kopjet e veprave autoriale dhe sendet që u takojnë të drejtave të lidhura me
veprat autoriale, si dhe mjetet për reprodukim, konfiskohen
(7) Nëse veprën nga ky nen e kryen personi juridik, do të dënohet me dënim
me para
(8) Ndjekja për shkeljen e të drejtës morale bëhet në bazë të propozimit

Plagjiatori nuk ka të drejtë të quhet gazetar

Tamara Çausidis, kryetare e SPGPM-së, thotë se nuk njeh gazetar apo medie që ka fituar rast gjyqësor në rast për përdorim të paautorizuar të përmbajtjes me të drejta autoriale. Mirëpo, ajo njeh shumë fotoreporterë që janë të gatshëm ta ndryshojnë këtë përgjigje.

I admiroj për këtë – thotë ajo.

Kryetarja e sindikatës së gazetarëve pret përparim të madh në këtë fushë. Çausidis potencon se me ofrimin e ndihmës juridike për gazetarët dhe punëtorët e mediave në mbrojtjen e të drejtave të tyre autoriale hap një rrugë të re që nuk ka ekzistuar më parë.

Deri tani, asnjë gazetar nuk është paraqitur në sindikatë që të kërkojë që t’i mbrohet e drejta e tij e autorit. Kjo, shpjegon Çausidis, në esencë është në kundërshtim me faktin se plagjiatura konsiderohet si një nga nëntë mëkatet vdekjeprurëse të gazetarëve profesionistë.

tamaraAi që është kapur duke bërë plagjiat, sipas Federatës ndërkombëtare të gazetarëve nuk ka të drejtë të quhet gazetar. Për fat të keq, ne disi nuk e vlerësojmë punën, kështu që ka raste kur i gjithë teksti i autorit është kopjuar fjalë për fjalë. Për dallim prej tyre, fotoreporterët paraqiten, kërkojnë që puna e tyre të paguhet, dhe siç thashë, tashmë janë duke u zhvilluar procedura për marrëveshje të ndërsjello ose paralajmërime për padi për disa persona juridikë – thotë Çausidis.

Çfarë mjetesh kanë në dispozicion gazetarët dhe punëtorët e medias kur bëhet fjalë për të drejtat e autorit? Fotografi, tituj të njëjtë, tekste të tëra të kopjuara së bashku me gabimet tipografike janë bërë përditshmëri në mediat në Maqedoni. Rrallë kush e citon medien, e cila e ka publikuar e para lajmin ekskluziv.

Avokatja Milenkova thotë se mbrojtja e civile-juridike realizohet në bazë të Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e ngjashme, Ligjin për marrëdhënie obliguese, Ligjin për sigurimin e kërkesave dhe Ligjin për procedurën kontestuese. Gjithashtu, parashihen edhe sanksione kundërvajtëse për mosrespektimin e dispozitave të Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e ngjashme.

Autenticiteti i teksteve gazetareske dëshmohet pak më vështirë, sidomos nëse ai është përpunuar ose ndryshuar, ndërsa me fotot kjo gjë është shumë më e lehtë. Ekzistojnë dëshmi materiale që lehtë mund të dëshmojnë lidhjen e autorit me veprën fotografike.

Nëse në praktikë, megjithatë, ndodh që të kontestohet autorësia, ka ekspertë të licencuar, të cilët mund të vërtetojnë autenticitetin e fotografisë – thotë Milenkova.

Ajo shton se në praktikë, shpeshherë jemi dëshmitarë të përdorimit të paautorizuar të teksteve gazetareske, në formë burimore, ashtsi siç janë botuar fillimisht, duke i përfshirë edhe gabimet e shtypit ose gabimet e tjera terminologjike.

Milenkova thekson se kur bëhet fjalë për të drejtat e autorit, Maqedonia nuk mund të mburret me praktikën gjyqësore si vendet fqinje, veçanërisht Serbia dhe Kroacia, si dhe Greqia.

Padit, nuk mund të na bësh asgjë

Cili është shkaku për paraqitjen masovike të gazetarisë “copy-paste”? Çausidis konsideron se një nga arsyet është ajo se askush nuk ka provuar deri tani ta rregullojë këtë fushë. Mirëpo, edhe për faktin se shumë njerëz nuk mendojnë se është punë e madhe në qoftë se dikush e kopjon tekstin e dikujt apo nëse publikon fotografi të huaj.

Edhe vetë autorët nuk janë të shkathët, u vjen rëndë t’i mbrojnë të drejtat e tyre, nuk dëshirojnë t’i prishin raportet e tyre me kolegët. Disa prej tyre as vetë nuk i respektojnë ato, dhe pastaj nuk ankohen kur nuk respektohen të drejtat e tyre. Dhe e gjithë kjo, në fund, çon në zhvlerësimin total të mundit, të cilën mund ta dëshmojë çdokush që është i përfshirë në biznesin e mediave – thotë ajo.

Çausidis thekson se me këtë bie dhe çmimi i gazetarëve për shkak se pse ndonjë medie do ta paguante ndonjë kolumnist kur mund ta kopjojë gjithë kolumnën nga faqja e huaj në internet, pse do të paguante fotoreporterin, kur mund të marrë fotografinë e fotogreporterit që ka harxhuar orë të tëra në një ngjarje, pse do ta paguante një ekip hulumtues.

Fotoreporteri Georgiev thotë se disa nga pronarët e portaleve janë krejtësisht të pacipë kur u drejtohet atyre.

Disa paguajnë menjëherë, e disa të tjerë thonë: “Padit, nuk mund të na bësh asgjë.”. Madje nga një portal më thanë: “Ne nuk e kemi vjedhur fotografinë prej teje, e kemi marrë nga një agjenci ruse”. Fjalën vjedhje e përdorin gjatë komunikimit, ata janë të vetëdijshëm se nuk duhet ta kenë atë fotografi, por ja që nuk e kanë marrë prej meje. Mirëpo them, është e thjeshtë, nëse nuk e ke paguar, nuk është e jotja.

Vidhet edhe nga Agjencia shtetërore e lajmeve – MIA

Përkundër gjendjes alarmante me shkeljen e të drejtave të autorit, sidomos nga mediat onlajn, me çka zhvlerësohet puna e gazetarëve dhe nxitet plagjiatura, shumë prej tyre janë optimistë.

Dragan Antonovski, drejtor i përgjithshëm dhe kryeredaktor i Agjencisë informative të Maqedonisë (MIA), thotë se edhe prej tyre shumë njerëz marrin përmbajtje dhe fotografi në mënyrë të paautorizuar.

draganMIA, për shembull, do të mund të jetonte vetëm nga paditë. Por, sigurisht, ky nuk është qëllimi. Shumë njerëz mendojnë: “Ajo është agjenci shtetërore” dhe mund të merrin gjëra pa marrë parasysh a janë parapaguar ose jo. Ata madje i nënshkruajnë fotografitë se janë MIA, që është vetëm dëshmi se prej ku i kanë marrë. Nëse nuk jeni parapaguar, nuk duhet t’i përdorni shërbimet, është shumë e thjeshtë – thotë Antonovski.

Ai zbulon se për momentin, për shërbimet e MIA-s janë parapaguar 7 portale, 5 gazeta, 9 televizione, 4 radio dhe disa agjenci për PR.

Antonovski është optimist se në lidhje me të drejtat e autorit duhet të veprohet gradualisht dhe se të gjithë duhet ta kuptojnë atë si një proces me të cilin duhet të mësohemi. Si gazetar i vjetër, ai përkujton se më parë kishte respekt shumë më të madh ndërmjet kolegëve.

Dihej se çfarë është raportues, komentues, analist, çfarë është lajm e çka është reportazh. Punohej sipas disa standardeve botërore. Ishte mëkat i madh t’i merrje dikujt diçka dhe askush as që mendonte ta bëjë atë – thotë drejtori i MIA-s.

 

Çdo gjë që vlen oflajn, vlen edhe onlajn

Kryetarja e SPGPM-së, Çaushidis, thotë se portalet serioze nuk ia lejojnë vetes që të bëjnë plagjiaturë.

Ndoshta më parë, kur as që e ngrinte çështje, njerëzit ia lejonin vetes këtë, mirëpo tani vetëdijësimi shkon shumë shpejt – thotë ajo.

Pikërisht shpërdorimin e të drejtës së autorit e kanë kartë të fortë ithtarët e idesë për rregullimin e mediave onlajn. Por, Çausidis thotë se çdo gjë që vlen oflajn, vlen edhe onlajn.

– Nuk e di prej ku vjen interpretimi i çuditshëm se ligjet nuk vlejnë në sferën e Internetit. Edhe vjedhja në internet sikurse vjedhja fizike është vjedhje dhe i nënshtrohet ligjit – konkludon ajo.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.