Me 0,5 për qind nga buxheti i RM-së do të ketë dukshëm më pak para se sa më parë

Me ndarjen e mjeteve prej 0,5 për qind nga buxheti shtetëror, gjegjësisht rreth 885 milionë denarë (14,4 milionë euro) për Radiotelevizionin e Maqedonisë (RTM), transmetuesi nacional do të ketë më pak para në dispozicion sa sa gjatë viteve të kaluara, kur kishte ndërmjet 18 dhe 23 milionë euro.

Kjo shumë, siç shkruan “Vërtetmatësi”, mirëpo edhe siç paralajmëruan nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe e punëtorëve mediatikë (SPGPM) dhe Këshilli për etikë në media (KEMM), nuk do të garantojë transmetues nacional të pavarur, profesional dhe efikas, që duheshte të jetë njëra nga reformat kyçe te mediat.

Në fakt, sipas zgjidhjes së propozuar ligjore, nga buxheti për veprimtari radiodifuzive për vitin 2018 do të ndahen rreth 14,4 milionë euro, nga të cilat RTM-së do t’i takojnë 10,7 milionë euro.

Sipas ligjit, mjetet që ndahen nga buxheti për radiodifuzion ndahen sipas këtij parimi: TVM-ja fiton 74,5 për qind, Radiodifuzioni i Maqedonisë 19,5 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej 6 për qind shkon për Agjencinë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike (ASHAAM). Kjo do të thotë se RTM-ja do të fitojë reth 10.7 milionë euro.

Vetëm vitin e kalaur, i cili nuk konsiderohet si më i suksesshmi në buxhetimin e RTVM-së, nëpërmjet faktorëve si taksa për radiodifuzion (TRD), para nga qeveria për arsye të ndryshme dhe të ardhura të realizuara nga reklamat, transmetuesi nacional ka pasur mbi 19 milionë euro për vitin 2016.

Siç shkruan “Vërtetmatësi“, vitin e kaluar vetëm nga TRD-ja, transmetuesi publik ka pasur të ardhura prej rreth 14 milionë eurosh. Me këtë zë, buxheti i RTVM-së, së bashku edhe me të ardhurat tjera, në vitin 2016 ka shkuar në vlerën mbi 19,3 milionë euro.

SHGM-ja, SPGPM-ja dhe KEMM-ja kërkojnë nga qeveria që shuma që do të ndahet për RTVM-në të jetë 1 për qind nga buxheti shtetëror ose ndërmjet 25 dhe 30 milionë euro në vit.

Nga Ministria për Shoqëria Informatike dhe Administratë në gusht të këtij viti për diskutim final e dërguan propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, ku përqindja e financimit buxhetor ishte 0,7 për qind. Mirëpo, në vend që të diskutohet për këtë version tani u paraqit propozim-ligj në të cilin përqindja e financimit të radiodifuzionit është 0,5 për qind.

Përndryshe, sigurimi i mjeteve të mjaftueshme për funksionimin e pavarur të RTVM-së është edhe njëra nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian dhe të ekspertit evropian Rajnhard Pribe, në raportin e tij të vitit 2015 dhe në raportin më të ri të korrikut të këtij viti.

“Duhet urgjentisht të sigurohen mjete që të përforcohet pavarësia e saj dhe të mundësohet punë dhe udhëheqje efikase”, thuhet në raportin e Pribe-s.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.