Portalet joprofesionale nuk mund ta pyesin qeverinë drejtpërdrejtë

Vendimi i qeverisë për të siguruar transmetim të drejtpërdrejtë përmes rrjeteve sociale nga konferencat për shtyp lidhur me pandeminë e koronavirusit, shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e portaleve të internetit në vend. Në të ardhmen, në konferencat për shtyp të Qeverisë, nuk do të mund të marrin pjesë ekipet e gazetarëve, por mediat prej redaksive, pa kurrfarë kufizimi, do të mund të transmetojnë video sinjalin dhe ti marrin të gjitha materialet e tjera të shtypura, shkruan Meta.mk transmeton Portalb.mk.

Pas paraqitjes së përfaqësuesve të qeverisë, është parashikuar që gazetarët të mund të parashtrojnë pyetje, të cilat dërgohen përmes emailit, më së voni gjysmë ore para se të nisë konferenca për shtyp. Kjo masë duhet të ndihmojë për pengimin e çfarëdo mundësie që sëmundja të përhapet në mesin e nëpunësve të mediave dhe me këtë të rrezikohej shëndeti i tyre.

Mirëpo, të drejtën për t’u paraqitur online për të bërë pyetje do të kenë vetëm gazetarët e mediave tradicionale dhe të shtypura, të regjistruara në Agjencinë e shërbimeve mediatike audio dhe audivizive si dhe portalet që janë pjesë e regjistrit të Këshillit të etikës në media. Portalet që deri nuk kanë arritur ose nuk kanë dashur të regjistrohen në KEEM, nuk do të mund drejtpërdrejtë t’u bëjnë pyetje përfaqësuesve të qeverisë. Përmes anëtarësisë në KEEM, i cili funksionon si trup i vetëm vetërregullues, ato obligohen të respektojnë etikën e gazetarit dhe të plotësojnë kushte themelore për punën e një medie.

Jashtë këtij regjistri të Këshillit të etikës janë portalet Kurir, Republika, Lider, Infomaks, Netpres, Vecer dhe të tjerë. Disa prej këtyre mediave, deri tani, prej përfaqësuesve të qeverisë janë akuzuar për përhapjen e lajmeve të rreme dhe të dezinformatave lidhur me parandalimin e koronavirusit, me të vetmin qëllim për të shkaktuar frikë dhe panikë në popull.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë reagoi Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizive, e cila ftoi që në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, të shpallur për shkak të koronavirusit, të gjitha mediave t’u sigurohet qasje e barabartë për të raportuar.

“Ftojmë qeverinë dhe organet shtetërore t’u mundësojnë qasje të gjitha mediave në konferencat e saj për shtyp dhe në ngjarje të ngjashme si dhe përgjigjet ndaj të gjitha pyetjeve të papërgjigjura në konferencat e shtypit të publikohen në ueb faqet e tyre”, thuhet në reagimin e Agjencisë, prej ku shtojnë se kjo qasje është e domosdoshme me qëllim që qytetarët të jenë të informuar me kohë, objektivisht dhe në mënyrë të gjithanshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe masave që ndërmarrin institucionet kompetente.

Sipas Agjencisë, institucionet duhet të bëjnë përpjekje maksimale për punë sa më gjithëpërfshirëse dhe transparente, ndërsa mediat, pa përjashtim, duhet të raportojnë në mënyrë profesionale dhe pa senzacionalizëm. “Krahas kësaj, të gjitha mediat online duhet të publikojnë impresum, emrin e autorit të tekstit dhe të dhëna tjera për pronësinë”, fton ASHMAA.

Nga ana tjetër, Asociacioni maqedonas i gazetarëve kërkoi prej qeverisë ta anulojë vendimin, me të cilin, sipas tyre, bëhet seleksionimi i mediave, vendoset një precedent i rrezikshëm dhe bëhet përpjekje për të krijuar parainstitucione partiake. “Portalet informative janë media me status të njëjtë si dhe mediat tradicionale, dhe me dominim në industrinë e mediave dhe të informacioneve, para të gjitha mediave tjera”, thonë nga AMG.

Qeveria menjëherë hodhi poshtë pohimet e AMG për gjoja qasjen selektive ndaj mediave dhe sqaroi se nuk ka intervenuar në regjistrat e mediave të krijuara nga rregulator të pavarur dhe nga organizata profesionale të mediave.

“Qeveria qysh vitin e kaluar përshëndeti procesin e vetërregullimit në sferën e mediave online dhe paralajmëroi se do ta respektojë regjistrin e mediave online të përpiluar nga KEEM dhe SHGM, njësoj sikur e respekton edhe regjistrin e ASHMAA”, thuhet në kumtesën e qeverisë dhe shtohet se në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, kur qytetarët me shumë kujdes ndjekin lajmet drejtpërdrejtë, patjetër të dihet saktë se kush paraqitet live.

Poashtu, qeveria tërheq vërejtjen se njoftimet për konferencat për shtyp çdo ditë i dërgon deri te rreth 700 punëtorë të mediave, të cilët janë anëtarë të shoqatave të ndryshme të gazetarëve. “Askush nuk është përjashtuar, secili gazetar, gazetar qytetar, bloger, bile edhe qytetar i zakonshëm, mund të parashtrojë pyetje”, thonë nga qeveria.

Me reagime të ashpra dolën edhe portalet që janë të prekura drejtpërdrejtë nga vendimi i qeverisë për të mos mundur live të parashtrojnë pyetje.

Përkundër gjuhës së tyre të pashembullt dhe duke etiketuar kolegë të tjerë dhe shoqata tjera të esnafit, Këshilli i etikës në media dhe Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, janë të vendosur në qëndrimin se të gjitha portalet duhet të përfshihen në sistemin e vetërregullimit në media, si mënyrë e vetme për të bërë dallimin midis mediave profesionale dhe atyre joprofesionale. Në kumtesën e tyre të përbashkët, KEEM dhe SHGM theksojnë se duke pasur parasysh pandeminë e koronavirusit, ato nuk do të pushojnë duke ftuar mediat të sillen konform etikës dhe të mos përhapin gënjeshtra duke shkaktuar panikë në opinion.

Përhapja e KOVID-19 është arsye për shqetësim serioz te opinioni, por raportimi në disa media kontribuon për rritjen e shqetësimit në atë mënyrë që nuk mund të arsyetohet nga aspekti etik, ndërsa përhapja e dezinformatave mund të shkaktojë pasoja serioze”, thuhet në kumtesën e tyre.

Këshilli është  i hapur të pranojë anëtarë të ri dhe përmes vetërrregullimit të rritet përgjegjësia e mediave për raportim etikë dhe profesional, si praktikë e mirë në shoqëritë demokratike, e cila mbështetet nga Këshilli i Evropës dhe nga Bashkësia ndërkombëtare. Ato ftojnë opinionin të reagojë ndaj çdo raportimi joprofesional në media duke dërguar ankesa në Këshillë dhe me këtë do të pengojnë dezinformata në media.

Cilat janë kushtet që portalet e internetit duhet t’i plotësojnë për t’u anëtarësuar në Këshillin e etikës në media, si trup i vetëm vetërregullues në media?

Kushti i parë themelor është pranimi i Kodit të gazetarëve të Maqedonisë ku janë përfshirë parimet themelore të gazetarisë profesionale. Këto parime në tërësi janë në harmoni me Kodin e gazetarëve të Federatës ndërkombëtare të gazetarëve. Duke u anëtarësuar, ato obligohen t’i zbatojnë këto parime gjatë punës së tyre dhe në rast se do t’i shkelin, do ta pranojnë dhe publikojnë gjyqin e Komisionit të ankesave të KEEM-it.

Prveç kësaj, portalet duhet të kenë impresum, ku duhet të publikojnë emrin dhe mbiemrin e editorit dhe të anëtarëve të tjerë të redaksisë, si dhe të dhëna për të kontaktuar dhe adresën. Poashtu, tekstet e publikuara duhet të nëshkruhen nga autorët, dhe nëse përmbajtja është e marrë prej ndonjë medie tjetër, kjo duhet të theksohet qartë duke respektuar të drejtat e autorit. Në kushtet obligative hyjnë edhe detyrimi për t’u regjistruar si person juridik në vend dhe për të pasur burime transparente të finansimit.

Përveç kushteve të detyrueshme, për anëtarësim në KEEM, e pëlqyeshme është të plotësohen edhe kushtye tjera, siç është publikimi i çmimeve për reklama, të kenë domejn nga Maqedonia e Veriut, përmbajtjet komerciale të dallohen qartë si dhe të sigurohen kushte minimale kadrovike dhe teknike për përmbushjen e obligimeve të punës.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.