RMV, fushatat zgjedhore nuk duhet të paguhen nga paratë e shtetit

Fushatat zgjedhore nuk duhet të paguhen nga paratë e shtetit pasi kjo është një tjetër mënyrë korrupsioni i mediave, tani me para shtetërore. Me ndryshimet e bëra mediat që duan të ndjekin zgjedhjet duhet të paraqiten vetë në KShZ dhe të regjistrohen në regjistër, por ekzistojnë një sërë paqartësish se si vendos vetë KSHZ-ja kush mund të hyjë në atë regjistër dhe kush jo, pa të cilin regjistrim mediat nuk kanë të drejtë të marrin fonde nga buxheti shtetëror gjatë fushatave zgjedhore, thonë përfaqësues të institucioneve mediale, transmeton Portalb.mk.

Kjo çështje qëndron edhe si rekomandim në hulumtimin “Sistemi zgjedhor – burim serioz i krizave në Maqedoni” të realizuar nga Fondacioni Metamorphosis, sipas të cilit rekomandohet: “ Rregullim i kornizës ligjore për angazhimin e mediave gjatë zgjedhjeve, shkurtim i kohës për fushata të paguara politike dhe një vlerësim të ri përmes debatit publik në lidhje me përdorimin e parave publike në media”.

Zoran Trajçevski nga “Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele”, e cila është edhe përgjegjëse për ndjekjen e mediave gjatë zgjedhjeve thekson se askund në botë nuk ndodh që fushatat zgjedhore të financohen nga paratë e shtetit dhe se kjo paraqet korrupsion.

“Pagimi i parave nga buxheti për mediumet paraqet korrupsion zgjedhor serioz. Këtë nuk e kemi në asnjë vend në botë. E kemi dorëzuar disa herë në formë të shkruar qëndrimin tonë zyrtar se kjo paraqet korrupsion serioz, dhe tani para një jave, sërish në formë të shkruar është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, si qëndrim zyrtar. Nuk pajtohemi ne me atë që tani duan ta rrisin kohën për reklamat dhe as që fushatat të paguhen nga paratë e buxhetit. Fushatat duhet t’i paguajnë vetë partitë politike”, thekson Trajçevski.

Teofil Blazhevski nga “Fondacioni Metamorphosis” thotë se pa marrë parasysh se me ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor janë vënë shumë detaje për mënyrën se si do të funksionojë kjo reklamë e paguar politike, për të siguruar që të gjithë pjesëmarrësit të jenë të barabartë, ka ndodhur një korrupsion i ri i mediave me para shtetërore.

“Sasi të mëdha të miliona eurove po transferohen çdo vit në televizione, gazeta dhe tani portale në internet. Jo vetëm kaq, por ekzistojnë një sërë paqartësish se si vendos vetë KSHZ-ja kush mund të hyjë në atë regjistër dhe kush jo, pa të cilin nuk keni të drejtë të merrni fonde nga Buxheti gjatë fushatave zgjedhore”, thekson Blazhevski.

Financimi i fushatave me para shtetërore mund të ketë ndikim dhe të ndërhyjë edhe në politikën editoriale të mediave. Këtë e konfirmon edhe Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

“Për sa kohë që shumat e mëdha të parave harxhohen nga partitë në media, këta të fundit nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre në mënyrë objektive. Prandaj, kjo praktikë duhet të ndalet që në fillim dhe në të njëjtën kohë qeveria së bashku me media dhe gazetarët duhet të krijojnë një mjedis në të cilin media mund të konkurrojë lirshëm duke prodhuar përmbajtje cilësore që do të njihen nga sektori i biznesit dhe donatorët”, thekson Sekullovski.

Ndryshimi i tillë që fushatat zgjedhore të paguhen nga buxheti i shtetit janë bërë në Kodin Zgjedhor në korrik të vitit të kaluar. Ky nen i ri 76 d i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor shkel parimin e arritur midis bashkësisë së mediave të përfaqësuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe organizatave të tjera mediatike, me partitë në qeverinë aktuale, që nuk duhet të ketë para publike në media për të shmangur korrupsionin e tyre.

Mediat online dhe portalet

Ngelet problemi i mediave online të cilat me ndryshimet e bëra, kanë të drejtë të marrin para nga buxheti i shtetit.  “Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele” nga ana tjetër thekson se nuk aftësi teknike për t’i monitoruar mediat online.

“Agjencia është e mendimit se mediat online nuk monitorohen askund në Evropë, as që ajo ka aftësinë ta bëjë këtë. Por, megjithë kundërshtimin e Agjencisë dhe organizatave të mëdha mediatike në vend, ky detyrim jo vetëm që mbeti, por edhe në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor në 2018, u vendosën gjoba më të larta parash, si një kërcënim për mediat online”, thuhet në hulumtimin hulumtimin “Sistemi zgjedhor – burim serioz i krizave në Maqedoni”.

Sekullovski nga ana tjetër thekson se seksioni për mediat online duhet të fshihet plotësisht.

“Seksioni për mediat elektronike ose online mediumet, nga projekt-ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duhet të fshihet pasi praktika e mediave në internet dhe përfshirja e tyre në fushatat mediatike është dëshmuar të jetë e keqe. Ata morën fonde pa rregulla, çdo media online e regjistruar në regjistrin qendror për të paktën 6 muaj ka të drejtë të regjistrohet dhe në shumicën e rasteve vetëm kanë përhapur propagandë politike dhe si kthim disa u shpërblyen bujarisht nga partitë me fonde buxheti”, thekson Sekullovski.

Ndëshkimet nuk varen vetëm prej Agjencisë por prej gjyqësorit

Sipas raportit të OSBE / ODIHR, i cili i referohet të dhënave nga Agjencia, në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2017 janë ngritur 14 raste kundërvajtëse kundër 9 organizatave të mediave. Këto procedura kanë të bëjnë me “shkelje që lidhen me reklamimin politik të paguar, raportimin e pabalancuar, publikimin e sondazheve të opinionit publik dhe shkeljen e heshtjes zgjedhore”, thuhet në hulumtimin “Sistemi zgjedhor – burim serioz i krizave në Maqedoni”. Por ndërsa Agjencia, sipas të njëjtit burim, ka përfunduar në mënyrë efektive punën e vet për mbikëqyrjen e mediave gjatë zgjedhjeve, një pozicion i tillë është dëmtuar nga gjykatat kompetente, të cilat edhe kanë shkelur afatin kohor të përgjigjes të caktuar nga Kodi Zgjedhor, edhe kanë reaguar në vetëm 4 raste, tre prej tyre u është shqiptuar gjobë më e ulët se ato të parashikuara në Kodin Zgjedhor, ndërsa në një rast ata lëshuan një vërejtje.

Blazhevski sugjeron që mediat të raportojnë sipas standardeve profesionale dhe etike dhe të përmbushin detyrimet e raportimit ligjor gjatë zgjedhjeve.

“Agjencia e mediave duhet të vazhdojë të kryejë detyrën e saj monitoruese me zell dhe të vazhdojë të lëshojë kundërvajtje. Unë jam për gjoba të larta, andaj nuk kam qenë dakord për zvogëlimin e dënimeve në ligje. Sigurisht që e gjithë kjo nuk është e mundur pa një gjyqësor të azhurnuar dhe profesional, pasi Agjencia raporton lëndët në gjykata në një proces të shpejtë gjatë vetë fushatës dhe para saj, por gjykatat deri më tani kanë mbetur vetëm shkronjë e vdekur në letër dhe nuk kanë vepruar në pjesën më të madhe të denoncimeve nga Agjencia”, thekson Blazhevski.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.