RMV, institucionet nisën të ndëshkojnë sulmuesit e gazetarëve

Krahas hetimit të shpejtë kundër Emil Jakimovskit, i cili për shkak të kërcënimeve dhe ofendimeve ndaj dy gazetareve përfundoi në paraburgim dhe përballet me dy padi penale, pjesa më e madhe e sulmeve kundër gazetarëve para viti 2017 kanë mbetur të pazbardhura

Emil Jakimovski, i punësuar në Regjistrin qendror, këtë muaj u pushua nga puna dhe nga 18 janari përfundoi në paraburgim për dhunë në familje dhe për kërcënime dhe ofendime kundër dy gazetareve. Jakimovski përballet me dy padi penale, njëra për moszbatimin e vendimit të gjykatës dhe tjetra për cenimin e sigurisë përmes sistemit informativ. Kjo është hera e parë që një kërcënues i gazetarëve të përballet me forcën e ligjit dhe shpejtë të procedohet nga policia dhe Prokuroria. Kjo tregon se institucionet më seriozisht ii kanë marrë thirrjet e bashkësisë së gazetarëve dhe të faktorit ndërkombëtarë për t’i dhënë fund politikës së pandëshkueshmerisë të sulmeve kundër gazetarëve.

BE KËRKON HETIME EFIKASE

raportin e Komisionit evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2019, në pjesën për lirinë e mediave, qartë theksohet shqetësimi për shkak se dy përfaqësues të lartë të qeverisë kanë kërcënuar median si dhe kanë ftuar politikanët të tregojnë tolerancë më të madhe ndaj kritikave të gazetarëve. Komisioni, po ashtu, fton MPB dhe Prokurorinë në mënyrë më efikase t’i procedojë sulmet kundër gazetarëve duke përkujtuar pushtetin se 13 sulme fizike kundër gazetarëve nuk janë zbardhur plotësisht për shkak të hetimit joprofesional të institucioneve.

Me një zë me Komisionin Evropian ishte edhe eksperti evropian Rajnhard Pribe, i cili ne vlerësimet dhe rekomandimet e vitit 2017 për sundimin e ligjit, i rekomandon qeverisë të japë përparësi hetimeve për zbardhjen e sulmeve kundër gazetarëve, të cilat duhet të mbarojnë shpejtë.

Reagimi i shpejtë i institucioneve për rastin e kërcënimeve dhe ofendimeve të Jakimovskit kundër gazetareve Meri Jordanovska dhe Iskra Koroveshovska, tregon se siguria e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut dy vitet e fundit është përmirësuar. Po ashtu, në përgjithësi ka rënë edhe numri i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në krahasim me vitet e mëparshme. Vitin e kaluar, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë ka regjistruar vetëm katër incidente ku janë përfshirë gazetarët, tre sulme verbal dhe një sulm fizik. Për krahasim, në vitin e trazuar të 2017-tës, SHGM pati regjistruar gjithsej 20 sulme kundër gazetarëve, prej të cilëve nëntë sulme fizike dhe pesë verbal, tre kërcënime për jetë, dy gazetarëve u ishte shkatërruar prona private, ndërsa kishte edhe një shoqërim të gazetarit në polici.

Në publikimin e Fondacionit “Metamorfozis” për vlerësimin e progresit të Republikës së Maqedonisë në përmbushjen e kritereve politike të domosdoshme për anëtarësim në BE, në pjesën e reformave në media, theksohet se raporti ndaj gazetarëve në vend ka ndryshuar pas ndërrimit të strukturave qeverisëse në vitin 2017.

SULMET E VJETRA TË PAZBARDHURA

Krahas përmirësimit të gjendjes së sigurisë së gazetarëve gjatë tre viteve të fundit, megjithatë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut është shumë e përhapur politika e mosndëshkimit. Institucionet, veçanërisht Ministria e punëve të brendshme dhe Prokuroria publike, shumë vështirë i zbardhin sulmet e vjetra prej vitit 2012 e deri në vitin 2017, kur gazetarët u bënë objekt i sulmeve dhe kërcënimeve të shpeshta, duke detyruar SHGM t’i regjistrojë ato me qëllim që t’i dokumentojë si dukuri negative, e cila mund të cenojë lirinë e fjalës dhe të shtypit.

Qeveria e re, e formuar në qershor të vitit 2017, shpalli tolerancë zero ndaj dhunës kundër gazetarëve. Njëra ndër pikat kryesore të Planit reformues të qeverisë 3 6 9, ishte lufta kundër politikës së pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve. Plani parashikonte që Ministria e punëve të brendshme të përgatit raport të veçantë për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve. Raporti ishte publikuar në maj të vitit 2018, ndërsa rezultatet qartë dëshmuan së në Maqedoni ende ekziston politika e pandëshkueshmerisë të dhunës ndaj gazetarëve.

Sipas raportit të SHGM për nivelin e lirisë së mediave dhe të sigurisë së gazetarëve në vitin 2018, i cili u referohet të dhënave të MPB-së, rezulton se prej 59 sulmeve të ndryshme dhe kërcënimeve kundër gazetarëve që kanë ndodhur gjatë pesë viteve të mëparshme, policia ka pasur sukses tërësisht të zbardhë vetëm shtatë sulme. Për këto lëndë MPB ka ngritur padi penale kundër autorëve, mirëpo Prokuroria publike ka pranuar vetëm tre akuza. Kjo do të thotë se katër lëndë qëndrojnë pezull në ajër sepse policia në një anë i trajton si të zbardhura, ndërsa prokuroria i hedhë poshtë si të pabaza dhe pa dëshmi për të ngritur aktakuzë.

DËNIMI I PARË MË BURGIM

Në vitin 2018 Gjykata themelore në Shkup ka shqiptuar vendimin e parë me burgim prej gjashtë muajsh kundër Matija Kanikovit, i cili në shtator të vitit 2017 në protestat e Lëvizjes “Për Maqedoninë e përbashkët” në Shkup, fizikisht sulmoi dy gazetarë të A1On. Vitin e ardhshëm vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit, duke çuar Kanikovin në vuajtjen e dënimit me burg.

Procedurë efikase institucionet zbatuan edhe në rastin e gazetarit Armando Braho nga Struga, i cili në janar të vitit 2018 qe sulmuar fizikisht nga aktivistët e partisë së opozitës, Aleancës për shqiptarët të Ziadin Selës me qëllim për ta penguar atë të raportojë nga një tubim parazgjedhor. Policia shpejtë i identifikoi sulmuesit dhe ngriti procedurë para Gjykatës për kundërvajtje në Strugë. Pas gjashtë muajsh gjykata shpalli fajtor të akuzuarit duke i gjobitur. Ky vendim i gjykatës është ankimuar nga mbrojtja e të dënuarve, por nuk ka informacion nëse vendimi është konfirmuar apo hedhur poshtë nga instancat më të larta gjyqësore.

Si raste të zgjidhura policia i trajton edhe dhjetë lëndë tjera meqë me shkrim i ka paralajmëruar sulmuesit dhe kërcënuesit e gazetarëve. Kështu është mbyllur rasti i gazetarit Borjan Jovanovski, i cili për shkak të shkrimeve kritike të tij kundër pushtetit të atëhershëm, ishte dëbuar nga një restorant në Shkup nga një simpatizantë i VMRO-DPMNE. Për tetë sulme tjera hetimi ka mbaruar me kërkesë për të ngritur procedurë për kundërvajtje, ndërkaq po për aq lëndë MPB ka dërguar njoftim për ngritjen e procedurave për kundërvajtje deri te Prokuroria publike.

Për 13 lëndë të mbetura hetimi vazhdon sepse policia ende mbledh të dhëna, ndërsa sulmet e padenoncuara në polici nuk I merr fare parasysh edhe pse media dhe organizatat e gazetarëve publikisht kanë dënuar sulmet dhe kanë kërkuar prej institucioneve t’i ndëshkojnë autorët.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.