Selmani: Arsyetimi i qeverisë se nuk ka para për RTVM-në është jobindës dhe joserioz

Për Shoqatën e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) është i papranueshëm pohimi i qeverisë se nuk ka para për financimin e RTVM-së me një për qind nga buxheti shtetëror, thotë kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, në intervistën javore, të “Radio Evropa e Lirë”.

Shoqata para do kohësh i dorëzoi vërejtjet e saja për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike, nga të cilat vërejtja kryesore është përqindja e financimit të “Radiotelevizionit të Maqedonisë”, e cila sipas qeverisë, duhet të jetë 0,7 për qind e buxhetit shtetëror, ndërsa SHGM-ja kërkon që kjo shumë të jetë 1 për qind ose rreth 25 deri në 30 milionë euro në vit.

– Ne konsiderojmë se rreth 25 deri në 30 milionë euro mjaftojnë për fillim që “Radiotelevizioni i Maqedonisë” të ketë mjete optimale që të mund të rikthehet, për shkak se është e qartë strategjia e partive, jo vetëm e tyre të pushtetit paraprak, por edhe të atyre edhe më parë, të dërmojnë TVM-në, që të luajnë me televizionet private që më lehtë të kontrollohet ose të maniulohet mendimi publik. Pushteti aktual, të cilit vitin e kaluar kur ishte në opozitë nuk i pengonte shuma prej një për qind të buxhetit, tani e zvogëlon atë në 0,7 për qind – thotë Selmani.

Ai thekson se do t’i bëjnë të gjitha përpjekjet që ta bindin qeverinë se një për qind të është vlera optimale për financimin e TVM-së.

– Argumenti i vetëm me të cilin qeveria lufton në këtë çështje është se nuk kanë para, që për mua është jobindëse dhe joserioze. Ne si shoqatë nuk do të lejojmë dhe do të jemi të hapur edhe për publikun e vendit edhe për atë ndërkombëtar se sjellja e këtillë e qeverisë është e papranueshme.. Me 0,7 për qind të buxhetit TVM-ja nuk do të jetë as e pavarur e as profesionale dhe këtë vlerësim do ta dëgjojë edhe publiku në Maqedoni edhe ai ndërkombëtar – theksoi Selmani.

Sipas kryetarit të SHGM-së, përforcimi i kapaciteteve të RTVM-së do të çojë edhe në rritjen e rrogave të gazetarëve, pothuajse gjysma e të cilëve tani marrin rroga që janë nën mesataren e të ardhurave personale në vend..

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.