SHGM-ja dhe Mançevski biseduan për subvencionimin e mundshëm të gazetave

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë së bashku me përfaqësuesit e mediave të shtypura, sot biseduan me ministrin për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, për mundësinë për subvencionim të mediave të shtypura në Maqedoni. Tema u inicua nga SHGM-ja që t’u ndihmohet gazetave të përshtaten me kushtet e reja për punë në treg, veçanërisht, pas paraqitjes së internetit dhe të rrjeteve sociale.

Të brengosur nga mbyllja e disa gazetave, nga SHGM-ja konsiderojnë se qeveria ka në dispozicion një sërë mundësish me të cilat mund t’u ndihmohet gazetave që të ristrukturohen në treg.

– Qeveria mund të fusë lehtësime të ndryshme tatimore, subvencionim të letrës, shtypit ose ndihmë për zhvillimin e rrjetit për shpërndarjen e gazetave. Masa të tilla zbatohen në vende të ndryshme evropiane – theksoi drejtori i SHGM-së, Dragan Sekullovski.

Përfaqësuesit e mediave të shtypura kanë propozuar forma të ndryshme të subvencioneve dhe kanë theksuar se pa ndihmë përkatëse, ekzistimi i tyre do të vihet në pikëpyetje.

Ministri Mançevski ka shprehur mirëkuptim për problemet me të cilat ballafaqohen gazetat dhe u pajtua që me Shoqatën e gazetarëve të organizohet debat, ku do të ftohen të gjithë përfaqësuesit e mediave të shtypura nacionale dhe rajonale në Republikën e Maqedonisë që të bisedohet për modelet e mundshme të subvencionimit.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.