Në Regjistrin e mediave të cilat japin shërbime për reklamim të paguar politik në zgjedhjet e ardhshme do të regjistrohen 242 media, prej të cilave 159 portale, 39 radiostacione, 32 televizione dhe 12 gazeta, informojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ).
Mediat e Maqedonisë së Veriut kanë qenë të obliguar që deri më 21 shkurt të dorëzojnë edhe çmimore për reklamim të paguar politik për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mediat të cilat nuk janë regjistruar në Regjistrin e mediave në KShZ nuk do të kenë të drejtë të shfrytëzojnë mjete financiare për reklamim të paguar politik për zgjedhjet e 12 prillit, të cilat janë të siguruara nga buxheti i shtetit.
Njëkohësisht, KShZ e ka publikuar çmimoren sipas të cilës do të paguhen publikimet parazgjedhore të partive nëpër media. Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, çmimi më i lartë që mediat mund ta caktojnë për reklamim të paguar politik nuk mundet të jetë më i lartë se çmimi mesatar i arritur në 5 ciklet zgjedhore të fundit.
Mënyra e re e funksionimit të reklamimit të paguar politik në periudhën parazgjedhore hasi në reagime negative nga ekspertët dhe vetë shtëpitë mediatike në vend.
Dejan Georgievski, kryetar i Qendrës për Zhvillim të Mediave, theksoi se çmimi i hapësirës reklamuese në media nuk duhet që të kufizohet. Njëkohësisht ai theksoi se reklamim i paguar politik në media në periudhën parazgjedhore me para publike është tërësisht i papranueshëm dhe nuk mundet të arsyetohet në asnjë mënyrë.
Televizionet të parët reaguan pas publikimit të çmimores së KShZ-së. Menaxhmenti i shtëpive mediatike televizive akuzoi se KShZ u ofron çmime të lira mediave, duke mos e pasur parasysh shikueshmërinë e çdo televizionet dhe dallimet në çmimet për transmetim të reklamave në orët goditëse kundrejt kohës së transmetimit të programit televiziv.