“Antena 5”, “Kanal 77” dhe “Radio Maqedonase”, vjet kanë qenë më të dëgjuarat

Shumica e qytetarëve të Maqedonisë vjet nuk kanë qenë të interesuar për ndjekje të rregullt të programit të radiostacioneve të radios në Maqedoni, por shihet se te të rinjtë edhe më tej ka interes për këtë medium tradicional, njofton Portalb.mk.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASMHAA) për vitin 2019-të, të dhënat për dëgjueshmërinë e radiostacioneve tregojnë se më të ndjekura në nivel nacional janë “Antena 5”, “Kanal 77” dhe “Radio Maqedonase”.

Hulumtimi anketues i ASHMAA-së tregon se mesatarisht vetëm 41,3% nga të anketuarit janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen “A keni dëgjuar radio në javën e kaluar përveç dje?”. Sipas treguesve demografik, më të interesuar për ndjekjen e programit të radiove janë të rinjtë në moshë prej 20 deri në 29 vjet. Madje 53,9% e të anketuarve të kësaj moshe, kanë dëgjuar radio së paku një herë në javë gjatë vitit 2019. Menjëherë pas tyre, si dëgjues më besnikë të radios janë personat e anketuar të moshës prej 30 deri në 39 vjet.

Edhe përskaj kësaj, të dhënat e ASHMA-së tregojnë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk e ndjekin rregullisht programin e radio stacioneve. Për të gjitha katër tremujorët e vitit 2019-të, mesatarisht vetëm 22,8% e të anketuarve janë përgjigjur se gjatë ditës së djeshme kanë dëgjuar radio.

Foto nga anketa
Foto nga anketa

Radiostacionet qytetarëve u shërbejnë fillimisht për dëgjim të programit muzikor. Madje 60,8% prej të anketuarve i kanë ndezur radio-aparatet që të dëgjojnë muzikë, 13,6% të dëgjojnë program zbavitës, ndërkaq vetëm 8,6% të dëgjojnë lajme.

Në pyetjen, “Ku dëgjuat radio dje”, 41,3% e të anketuarve janë përgjigjur se radiostacionet e Maqedonisë i kanë dëgjuar në automobil ose autobus, 25,5% prej tyre e kanë ndjekur programin nga shtëpia, ndërkaq në vend pune kanë dëgjuar 21,7% të të anketuarve.

Radiostacioni më i dëshiruar për vitin 2019-të ka qenë “Antena 5”. Në mesataren për vitin paraprak, 18% e të anketuarve janë përgjigjur se këtë medium e kanë dëgjuar më shumë se një minutë gjatë javës së kaluar. E dyta në listë është radio “Kanal 77” me 12%, ndërkaq e treta “Radio Maqedonase” me 7% dëgjueshmëri.

Hulumtimi i ASHMAA-së është bërë në mostër reprezentative në nivel nacional, ndërkaq anketimi është bërë me metodën CATI – intervistë telefonike me ndihmën e kompjuterit. Anketat bëhen rregullisht për çdo tremujor veçmas, ndërkaq njëherë në vit mblidhen edhe rezultatet mesatare për të gjithë katër tremujoret.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.