Katër serviset programore të Radio Televizionit të Maqedonisë (RTM) kryesisht kanë siguruar balancim në lajme në aspekt të raportimit mediatik zgjedhor, mirëpo formulat rigjide matematikore nga Kodi zgjedhor i treguan dobësitë e tyre edhe në këto zgjedhje. Këto janë konkluzionet kryesore të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele për zgjedhjet e parakohshme parlamentare për vitin 2020.
Duke e theksuar kërkesën në Kodin zgjedhor, lajmet të strukturohen sipas formulës 30 përqind për aktivitete të pushtetit, 30 përqind për opozitën, 10 përqind për partitë që nuk janë në parlament dhe 30 përqind për ngjarjet ditore nga vendi dhe bota, ASHMAV konsideron që është pritur RTM-ja të ndajë më shumë kohë për partitë opozitare nga ato të pushtetit në raportimin mediatik zgjedhor gjatë fushatës.
“Nga njëra anë, ndarja e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore në të 30-a varësisht nëse janë nga pushteti apo opozita parlamentare ka rezultuar në ndarje asimetrike dhe të pabarabartë – në pjesën e pushtetit, koha është ndarë ndërmjet tre, ndërsa në pjesën e opozitës – ndërmjet dy subjekteve”, thuhet në Raportin e ASHMAV.
Agjencia thekson që dhjetë pjesëmarrësit tjerë më të vegjël në zgjedhje është dashur patjetër të përfshihen në 10 përqind nga lajmet e katër programeve servisore të RTM-së, pavarësisht sa aktivitete kanë pasur gjatë ditës.
“Dispozita për shpërndarjen e këtillë në kohën e lajmeve nga neni 76-а paragrafi (2), ndoshta ka pasur logjikë për periudhën kur ka qenë e përcaktuar, mirëpo tanimë disa cikle zgjedhore me radhë tregon që paraqet ngarkesë të tepërt, e cila Servisin publik e detyron të koncentrohet në formën – numërimin e sekondave, e pastaj në esencën – raportimi gazetaresk, me ç’rast tërësisht i është shkurtuar mundësia për t’i komentuar ngjarjet aktuale, për shkak se është i detyruar vetëm – të raportojë, përkatësisht, kryesisht të përdorë vetëm zhanre informative, por jo edhe analitike gazetareske”, thotë ASHMAV në Raportin nga 24 qershor deri më 12 korrik 2020.
Monitorimi mediatik i ASHMAV ka treguar që servisi i parë dhe i dytë programor televiziv i TVM-së si dhe servisi i parë dhe i tretë programor i radio Maqedonisë i kanë respektuar dispozitat e Kodit zgjedhor dhe kanë raportuar në mënyrë të balancuar gjatë fushatës zgjedhore. Lëshime të caktuara në përqindjet e kohës së ndarë gjatë raportimit janë konstatuar në programet e servisit publik, por vetëm për shkak se në program ka qenë obligimi të raportohet për gjendjen ditore me kovid-19, e cila ka qenë temë kryesore paralelisht me fushatën zgjedhore, mirëpo si e tillë aspak nuk është marrë parasysh në nenin 76-а paragrafi (2) të Kodit zgjedhor.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.