Do të publikohen edhe shpenzimet e ministrave në bufetë e institucioneve shtetërore

Jo vetëm rendet e propozuara të ditës së mbledhjeve të qeverisë, por pushteti aktual planifikon që rendin e plotë të ditës që është miratuar, materialet dhe procesverbalet nga mbledhjet e qeverisë të publikohen, tha Robert Popovski, ministri pa resor, i angazhuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë në takimin e sotëm me përfaqësuesit e mediave dhe organizatave joqeveritare, ku u diskutuar për politikat aktuale dhe proceset që ndërlidhen me transparencën dhe punën e qeverisë.

– Megjithatë, ju lutem kini durim. Për ta realizuar gjithë këtë na nevojitet administratë që mund ta ndjek këtë hap. Këtu akoma kemi probleme shumë serioze. Njerëzit nuk janë të mësuar të komunikojnë në këtë mënyrë. Vështirë e kuptojnë se nuk ka çka të fshehet – tha Popovski.

Për Ligjin për media, Popovski tha se akoma nuk është vendosur se a do të ndryshohet ose jo, dhe vendimi për këtë do të merret së shpejti, mirëpo dilema të këtilla nuk ka kur bëhet fjalë për Ligjin për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Ai padyshim do të ndryshohet, dhe debati për këtë tashmë ka filluar, e poashtu është konstatuar edhe nevoja për ndryshimin e tij. Ndryshime do të ketë në aspekt të shpejtësisë së dorëzimit të informatave, do të zvogëlohet kufizimi në aspekt të informatave të cilat do të jenë publike dhe do të shqyrtohen kompetencat e Komisionit për qasje të lirë në informatat me karakter publik.

Sa i përket publikimit të dokumenteve, të cilat janë të nevojshme për të parashtruar kërkesë për qasje të lirë në informata, deri tani ato janë publikuar nga ana e ministrive, dhe kjo listë është zgjeruar edhe me institucione të tjera, ndërsa komunave dhe institucioneve mbi të cilat qeveria nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta, u janë dërguar rekomandime për publikimin e këtyre dokumenteve që qytetarët dhe mediat të munden të parashtrojnë më lehtë kërkesa të këtilla.

Popovski shtoi se qeveria filloi t’i publikojë marrëveshjet që nënshkruhen me firmat dhe shitësit e tjerë të mallrave dhe shërbimeve për nevojat e shtetit. Këto marrëveshje publikohen në Byronë për furnizime publike, për të cilën gjë ai tha se nuk është zgjidhje ideale dhe se më mirë do të ishte që ato të publikohen në faqet e ministrive.

Shumë shpejt do të filojnë të publikohen të gjitha shpenzimet edhe të ministrave, të zëvendës-ministrave dhe sekretarëve shtetërorë në ministrat e qeverisë.

– Jemi duke i mbledhur të gjitha shpenzimet që janë bërë nga ministrat, zëvendës-ministrat dhe sekretarët shtetërorë në periudhën prej 1 qershorit deri më 1 dhjetor, do të thotë gjatë 6 muajve të parë, është duke u përgatitur softueri dhe shumë shpejt do të jemi të gatshëm që t’i publikojmë ato. Edhe në formë të treguesve të saktë financiarë edhe në formë të raportit narativ, i cili duhet t’i sqarojë aktivitetet, shpenzimet e kështu me radhë. Shkuam në detaje, ka shumë paqartësi te njerëzit që duhet t’i plotësojnë raportet, përpiqemi ta bëjmë këtë me paraqitje tabelare, mundohemi të ndihmojmë sa më shumë që mundemi. Kishim dilemë se a i nënshtrohen publikimit edhe bufeja e qeverisë, bufeja e Ministrisë për Transport dhe Lidhje, etj. dhe në qoftë se po të shihet se sa ujë dhe sa kafe janë pirë. Kjo është puna dhe detyra jonë – tha Popovski.

Në rrjedhë e sipër është edhe deklasifikimi i informatave dhe qeveria është duke punuar në këtë drejtim, mirëpo Popovski tha se edhe këtu ka probleme për shkak se qeveria përballet me pyetje të tipit se prej kur, gjegjësisht prej cilës datë të fillojë deklasifikimi.

Megjithatë, punohet në këtë drejtim me qëllim që të deklasifikohet gjithçka që është e mundur, veçanërisht pasi që ka shumë dokumente (“lum me dokumente” siç u shpreh ai), të cilat mund deklasifikohen, për shkak se, siç tha, më parë ka qenë shprehi që të klasifikohet gjithçka në mbledhje të mbyllura të qeverisë.

Gjatë debatit, të pranishmit kryesisht u shprehën pozitivisht për përpjekjet e qeverisë në planin e transparencës, ndërsa vërejtje kishte për dispozitën tashmë të miratuar në Ligjin e ri për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, me të cilën caktohet përqindja e buxhetit që do t’i ndahet Radiotelevizionit të Maqedonisë, veçanërisht dispozita në të cilën ndarja e mjeteve për RTM-në është e kushtëzuar me gjendjen financiare të buxhetit. Kishte edhe kërkesa që qeveria të fillojë t’i kushtojë vëmendje më të madhe transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve jashtë qeverisë qendrore, siç janë agjencitë e pavarura, vetëqeverisja lokale dhe ndërmarrjet publike, ndërsa gazetarët e mediave në gjuhën shqipe shprehën brengosje dhe pakënaqësi për shkak të mbylljes së partnerit të koalicionit BDI-së, përfaqësuesit e të cilës bojkotojnë një sërë mediash për të cilat konsiderojnë se nuk raportojnë në mënyrë të favorshme për ta.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.