Vjet është rritur numri i kërkesave të papërgjigjura, refuzuara dhe të transferuara për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik nga ana e institucioneve, tregon Raporti vjetor për punën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik për vitin 2019-të.
Personat fizik dhe juridik vjet kanë dorëzuar gjithsej 8.752 kërkesa, edhe atë më së shpeshti deri te institucionet shtetërore, komunat, pushteti gjyqësor dhe institucionet shëndetësore
Prej tyre, bartësit e informatave janë përgjigjur pozitiv në 8.299 kërkesa, derisa 163 kërkesa i kanë refuzuar. 283 kërkesa për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik kanë mbetur të papërgjigjura, derisa në 7 raste të njëjtat janë transferuar. Negative është numri i kërkesave të papërgjigjura, refuzuara dhe transferuara, i cili është rritur në krahasim me vitin 2018-të. Vjet të njëjtat kanë qenë 453, për dallim prej 308 kërkesave të cilave nuk u janë përgjigjur, refuzuar ose transferuara në vitin 2018-të. Njëkohësisht, duhet që të theksohet se deri te institucionet në vitin 2018-të janë dorëzuar gjithsej 9.423 kërkesa, gjegjësisht për 671 më shumë se vitin e kaluar.
Shqetësuese është rritja e kërkesave të refuzuara dhe të papërgjigjura nga ana e institucioneve gjatë vitit të kaluar edhe nëse bëhet krahasim me numrin e tyre në tërë dekadën e kaluar. Numër më të madh të rasteve të mosdhënies së informatave nga institucionet ka pasur vetëm në vitin 2017-të, kur 598 kërkesa deri te bartësit e informatave kanë mbetur pa përgjigje, janë refuzuar ose transferuar.
Pjesa më e madhe e kërkesave të vjetshme që janë dorëzuar deri tek institucionet kanë qenë nga personat fizik, shoqatat qytetare dhe fondacionet.
“Dominante janë kërkesat e informatave lidhur me disponimin me mjetet buxhetore dhe donacionet, procedura konkrete për tenderë, zbatimin e furnizimeve publike dhe ankandeve, kërkesa në lidhje me emërimin dhe realizimin e të dhënave të anëtarëve të caktuar të bordeve administrative dhe mbikëqyrëse dhe komisione, procedura të zbatuara për vende të reja të punës në ndonjë kohë të caktuar, numri i përgjithshëm i kompanive të huaja që shfrytëzojnë ndihmë shtetërore, por edhe lista me shfrytëzues të ndihmës financiare të cilët në strukturën udhëheqëse kanë bartës të funksionit publik”, thuhet në raportin vjetor të Agjencisë për vitin 2019-të.
Nga Agjencia theksojnë se vjet 1.257 bartës të informacioneve, gjegjësisht 83.29% e numrit të përgjithshëm, kanë qenë transparent dhe i kanë dorëzuar raportet vjetore në të cilat theksohet zbatimi i Ligjit për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik nga ana e tyre.
“Personat zyrtarë të obliguar për zbatimin e Ligjit te 210 institucione ose 16,71% të bartësve të vendosur në Listë, në afatin e parashikuar nuk kanë dorëzuar raporte vjetore, kështu që për këto institucione nuk mundet të konstatohet nëse janë dorëzuar kërkesa në pajtueshmëri me ligji dhe si është vepruar për të njëjtat”, theksojnë nga Agjencia.