Gazetarët e padisin shtetin pasi që nuk i dënoi dhunuesit e 27 prillit

Në fund të prillit tre gazetarë – Natasha Stojanovska, Dushica Mrgja dhe Goran Tërpenoski, viktima të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend me 27 prill të vitit 2017, kanë ngritur padi private kundër shtetit për shkeljen e të drejtës për lirinë e shprehjes dhe kërkuan kompensim të dëmit jomaterial.

Padia është ngritur në shenjë të pakënaqësisë prej Prokurorisë publike themelore në Shkup, e cila edhe pas tre vitesh prej kur gazetarët kanë bërë deklarata para prokurorit, nuk është ngritur asnjë kallëzim penal kundër dhunuesve të Nismës qytetare “Për Maqedoninë e përbashkët”, të cilët ditën kritike kanë fyer dhe rrahur ekipet e gazetarëve që kanë raportuar nga Kuvendi.

Në emër të tre gazetarëve, padinë para Gjykatës qytetare në Shkup e ka dorëzuar Zyra e avokatit Medarski, e cila me kërkesë të Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, (SHGM), është pajtuar  t’u ofrojë ndihmë juridike të dëmtuarve.

Gazetarja e Televizionit 24 Vesti, Dushica Mrgja është e revoltuar që institucionet e shtetit nuk kanë ndëshkuar dhunuesit e gazetarëve.

“Prej ditës më të zezë në historinë maqedonase, 27 prilli u bë sinonim i pazareve politike, amnisti skandaloze dhe drejtësi të gjymtë”, thotë Mrgja dhe shton se shteti për gazetarët është treguar si njerkë, edhe pse ato, sipas asaj, janë më meritorët që “e enjtja e përgjakshme” nuk mbaroi me viktima, duke falënderuar raportimit gjallë të ekipeve televizive, duke rrezikuar jetët e tyre.

Kur kishte bërë deklaratë para Prokurorisë publike si palë e dëmtuar, dëshmitare apo edhe njeri që me sytë e saj i ka parë ngjarjet, Mrgja shpresonte se dhunuesit do të dalin para drejtësisë, por koha dëshmoi të kundërtën. “Prisja shteti të më del hakut me drejtësi. Të njëjtën gjë e mendoja edhe kur si dëshmitar u paraqita dy herë për të dëshmuar, por më kotë. Dorën ende e kisha me fasha, goditjet në fytyrë dhe trup nisën të zbehen, por kujtesa e përgjakshme e 27 prillit ishin ende të freskët. Të freskëta janë edhe pas tre vitesh dhe të dhimbshme, veçanërisht për shkak të drejtësisë së munguar”, përkujton ajo.

Sipas saj, e enjtja e përgjakshme, adrenalina, hidhërimi, pafuqia dhe frika, asnjëherë nuk harrohet. I kujtohet se si ishte përpjekur të kontaktonte redaksinë sepse ishte e detyruar të përkujdeset edhe për sigurinë e mbarë ekipit të gazetarëve. “Ashtu siç përshkallëzonte çmenduria, ashtu nisi të më shtohet frika. E dija se sa më e zëshme të isha dhe më e detajuar në eter, aq më të mëdha do të ishin shanset për të mbijetuar të gjithë ishin më të mëdha”, thotë Mrgja.

Por, inkuadrimi gjallë në program e kishte bërë më të lëndueshme, sepse dhunuesit e kishin njohur prandaj kishin nisur ta fyejnë dhe ta sulmojnë.

“Tradhtare, Sorospi, shërbëtorë e Zaevit, “Bush… shqiptare” kanë qenë vetëm një pjesë e fyerjeve me të cilat më “nderuan”. Më përplasën për muri, mora një goditje aq të fuqishme në dorë dhe në shpatull aq sa edhe sot e kësaj dite më dhemb. Mora edhe goditje në fytyrë. Kur kërkova ndihmë nga një pjesëtarë i sigurimit të Kuvendit, mora përgjigje se “Nuk mund asgjë të bëjë”. Njollat e gjakosura nëpër korridoret e Kuvendit, është ankth i vërtet për mua  ende”, ankohet Mrgja.

Ajo përkujton çastin më tragjikë kur forcat speciale kishin ndërhyrë me bombat e tymit dhe kishte nisur t’i zihej fryma, ndërsa në anën tjetër dhunuesit nuk e lejonin të braktiste zyrën. “Atëherë vërtet mendova se ishte gati, e gjallë prej këtu nuk do të dali, derisa të afërmve në shtëpi u shkruaja mesazhe se “mirë jam, mos u shqetësoni”.

Edhe gazetarja e Telma, Natasha Stojanovska thotë se 27 prilli përgjithmonë do të mbetet thellë në kujtesën e saj. “Një pjesë prej nesh nuk ishim vetëm të penguar për të raportuar, por, edhe jeta ime dhe e disa kolegëve ishte vënë në pikëpyetje, ashtu siç ishin cenuar edhe jetët e politikanëve”, thotë Stojanovska.

Ajo pohon se vuajtjet janë të mëdha, ndërsa kujtesa për atë ditë dramatike edhe pas tre vitesh nuk mund të fshihen. “Traumat edhe sot i ndiej. Prandaj është e rëndësishme, secili që ka marrë pjesë në atë sulm të dënohet”, këmbëngul Stojanovska.

Sipas saj, ndërhyrja e dhunshme me 27 prill të vitit 2017 ka qenë e nxitur nga fakti se nuk ishin ndëshkuar dhunuesit e ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit 2012, kur nga mbledhja e Kuvendit dhunshëm ishin larguar deputetët dhe gazetarët. “Nuk dua as të paramendoj çfarë mund të ndodhë në të ardhmen nëse tani përgjegjësit nuk do të ndëshkohen”, shprehë frikë Stojanovska.

Pakënaqësi që dhuna ndaj gazetarëve “të enjten e përgjakshme” nuk mori epilog juridik shprehë edhe Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, prej ku fajësojnë Prokurorinë publike se ka standarde të dyfishta gjatë procedimit të ngjarjeve të 27 prillit. Dhunuesit e politikanëve janë gjykuar me dënime me burg, ndërsa për gazetarët nuk është ngritur asnjë procedurë. “Në kushte kur ka standarde të dyfishta për gazetarët dhe kur shteti nuk i mbron kolegët tanë, ato janë të detyruar përmes padive private ta kërkojnë drejtësinë”, reagojnë nga SHGM.

Me ndihmën juridike për gazetarët të siguruar nga SHGM është mundësuar ngritja e padive private, duke dashur të inkurajojnë kolegët ta ngrenë zërin kundër sulmeve dhe trysnive dhe me këtë të dërgojnë mesazh deri te opinioni dhe institucionet se ato nuk do të heshtin më. Shoqata, po ashtu, pret që paditë të shtojnë edhe trysninë mbi institucionet për të ndëshkuar dhunuesit, dhe më këtë në të ardhmen të parandalojnë sulme të reja kundër gazetarëve.

Agjencia Meta.mk kontaktoi Prokurorinë publike për të marrë informacion për rezultatin e hetimit për rastin e sulmeve të gazetarëve me 27 prill të vitit 2017. Prej prokurorisë na u kërkua që pyetjen ta dërgojmë përmes e-mailit, të cilën edhe e bëmë në e-mailin zyrtar të Prokurorisë, mirëpo edhe pas një jave prej atëherë nuk morëm asnjë përgjigje. Nuk morën as konfirmim se pyetja është pranuar, e as na çuan njoftim se sa kohë duhet të presim për përgjigjen.

Lidhur me hyrjen e dhunshme në Kuvend, deputetët në dhjetor të vitit 2018 miratuan Ligjin për amnisti, me të cilin liruan nga përgjegjësia pjesëmarrësit e ngjarjeve të 27 prillit të fajësuar për pjesëmarrje në turmë, dhunë dhe kërcënim terrorist.

Ligji për amnisti nuk liroi nga përgjegjësia 18 të dyshuarit si organizator të dhunës në Kuvend. Në mars të vitit 2019, 16 të akuzuar u dënuan në shkallën e parë me gjithsej 211 vjet burgim. Igor Durllovski, njëri prej liderëve të “Për Maqedoninë e përbashkët”, fitoi pafajësinë, ndërsa për të akuzuarin Sasho Markovski zhvillohet procedurë e veçantë për shkak të sëmundjes.

Dënim më të ashpër mori ish drejtori i Shërbimit informativ, Mitko Çavkov, i cili u dënua me 18 vjet heqje lirie. Me nga 15 vjet burg morën Mitko Peshov, Dushko Lazarov, Goran Goshevski Levi, Munir Pepiq, Jane Çento dhe Vlatko Trajkovski. Dënime më të lehta morën Abdulfeta Alimi (7 vjet) dhe Aleksandar Vasilevski Ninxha  (8 vjet).

Për porositësit e sulmit në Kuvend me 27 prill të vitit 2017 është hapur hetim në Prokurorinë për krimin e organizuar, ndërsa të dyshuar janë: Nikolla Gruevski, Trajko Velanoski, Mile Janakievski, Spire Ristovski, Vladimir Atanasovski dhe Nikola Boshkovski.

Deri tani përgjegjësi nuk ka mbajtur askush as për largimin e dhunshëm prej galerisë të gazetarëve prej pjesëtarëve të policisë me 24 dhjetor të vitit 2012, kur Kuvendi miratonte buxhetin për vitin 2013. Atëherë gazetarët u ankuan para Gjykatës kushtetuese, e cila nuk gjeti shkelje të drejtës për lirinë e fjalës të  gazetarëve, të cilët më pas drejtësi kërkuan para Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Pas pesë vitesh, në maj të vitit 2018, Gjykata evropiane gjeti shkelje të nenit 6 dhe 10 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe obligoi Republikën e Maqedonisë së Veriut të kompensojë dëmin jomaterial të ankuesve dhe të kryejë ndryshime të nevojshme të legjislacionit, me qëllim që në të ardhmen të mos ndodhin incidente të ngjashme me gazetarët në Kuvend.

Menjëherë pas marrjes së vendimit, Qeveria pagoi kompensimin jometarial për gazetarët, por Kuvendi asnjëherë nuk zbaroi rekomandimin e dytë të Gjykatës evropiane për të bërë ndryshime në legjislacion, me të cilat në të ardhmen do të parandalimin shkelje të ngjashme të drejtës për lirinë e fjalës.

Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.