Sot është botuar numri i 550-të i gazetës “Nezavisen”, i cili sipas të gjitha gjasave është i fundit i gazetës ditore i cili ka filluar me punë në nëntor të vitit 2017-të.
Në dy muajt e fundit, të punësuarit vazhdimisht janë alarmuar se çdo numër i ardhshëm mund të jetë i fundit.
Udhëheqësi Nikos Fragopullos, në një bisedë të shkurtër me IRL-në, tha se ende me siguri nuk mund ta konfirmojnë informatën, por theksoi se ardhmëria e gazetës ditore është e paqartë dhe po bëjnë përpjekje për ta shpëtuar mediumin.
Të punësuarit deri më tani vazhdimisht i kanë marrë pagat e tyre, ndërkaq frikësohen se nuk do ta marrin rrogën e tetorit.
Ende nuk dihet nëse, gazeta përfundimisht sot është mbyllur, apo do të vazhdojë me punë vetëm në formën elektronike. 20 punëtorë mediatik në “Nezavisen” do të mbeten pa punë.
“Katastrofë”, është reagimi i parë i kryetarit të SHGM-së, Mlladen Çadikovski, i cili thekson se këto informata gjithmonë janë humbje për shoqërinë dhe gazetarinë.
“Çdo shuarje e një mediumi është lajm i keq për shoqërinë. Veçmas për një medium i cili i ka mbajtur standardet. Gazeta ende është prej atyre mediave tradicionale të cilat përkundër mediave online, të cilat gjithnjë e më shumë ikin nga parimet e gazetarisë, i respektojnë standardet profesionale. Këtë vit kemi dy goditje, fillimisht u mbyll 1TV, ndërkaq tani gazeta “Nezavisen”, që do të shprehet në veprimin socio-ekonomik të gazetarëve dhe do të zhvlerësohet tregu i punës”, thotë Çadikovski.
Ai theksoi se Shoqata e Gazetarëve në periudhën e fundit do të përpiqet që në kuadër të kompetencave të saja, me institucionet relevante, të diskutojë që të shpëtohet gazeta dhe të vazhdojë me punë.
Burimet për IRL, thonë se arsye për këtë gjendje janë financat, gjegjësisht mospagimi i borxheve ndaj shtypshkronjës “SERAFIMOVSKI”, ku është shtypur gazeta.
“Nezavisen” ka filluar me punë në nëntor të vitit 2017-të, fillimisht si gazetë falas, ndërkaq më pas është shpërndarë për shitje me pakicë nëpër shitore dhe kioske.
Gazetën të cilën e boton “Independent Ballkan Njus Agensi” është me tirazh prej 7.000 kopje, ndërkaq redaktore është gazetarja Sllobodanka Jovanovska.