Mediat dhe (vetë)rregullimi i tyre, kërcënimet dhe paditë me të cilat ballafaqohen gazetarët, lajmet e rreme, edukimi mediatik dhe përkrahja financiare e mediave gjenden në programet parazgjedhore të dy partive më të mëdha politike që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare më 15 korrik, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Në programin e VMRO-DPMNE–së, “Ripërtrirja e Maqedonisë”, shkruan që nëse kjo parti vjen në pushtet do të iniciojë “formim të trupit profesional për vetë-rregullim të mediave, nën patronazh të ASHMAV, me pjesëmarrje të organizatave relevante mediatike.”
“Qëllimi i këtij trupi do të jetë ta zvogëlojë nevojën për angazhimin e institucioneve tjera shtetërore, siç janë gjykatat ose prokuroria, në konteste që rezultojnë në sferën mediatike. Ky trup do të jetë reprezentativ për shoqatat e ndryshme të gazetarëve dhe mediatike dhe nëpërmjet mbledhjeve publike do të japë mendime për parashtresat e qytetarëve, bartësve të funksioneve publike, afaristëve… të cilët konsiderojnë që ndonjë media i ka shkelur rregullat etike të raportimit kur është publikuar ndonjë lajm për parashtruesin. Gazetarët të cilët ballafaqohen me padi, gjithashtu do të mund të kërkojnë mendim nga ky trup,” shkruan në program.
Gjithashtu, parashihet që “partitë politike të cilat e përkrahin formimin e trupit t’u bëjnë thirrje përfaqësuesve të tyre t’i respektojnë vendimet e tij dhe të përmbahen nga ndjekja e gazetarëve me gjykata nëse trupi konstaton që gazetari gjatë raportimit ka vepruar në mënyrë etike dhe korrekte”.
“Me përjashtim të rasteve të kontesteve gjyqësore, trupi mund të japë mendim edhe për raste të denoncuara për gjuhë të urrejtjes, përhapje të lajmeve të rreme dhe shkelje tjera të rregullave përgjithësisht të pranuara për etikë gazetareske,” shtohet në program.
Nga VMRO-DPMNE paralajmërojnë që “pas formimit të Qeverisë, do të hapin dialog me mediat për të gjitha format e presioneve rregullatore me të cilat janë ballafaquar në periudhën e kaluar dhe do t’i pranojë të gjitha propozimet e qëndrueshme që do t’i ndihmojnë mediat në të ardhmen të mund të punojnë lirshëm.”
“Do të rishqyrtohen obligimet e panevojshme rregullatore gjatë formimit të mediave, rregullimi i programit, përcaktimi i politikës redaktuese, struktura pronësore, gjuha dhe stili i të shprehurit, kushtet për punë. Njëkohësisht, do t’u kundërvihemi përpjekjeve për vendosje të pengesave të reja rregullatore dhe formave të presionit mbi llojet e reja të mediave elektronike – internet portalet, internet televizionet dhe rrjetet sociale për t’u mbrojtur e drejta e të shprehurit e garantuar me kushtetutë. Gjithkund ku kjo është e mundur, rregullorja ekzistuese do të zëvendësohet me forma të vetë-rregullimit të cilat do t’i përcaktojë komuniteti mediatik”, është shtuar në program.
Ndërkaq, lajmet e rreme dhe edukimi mediatik janë në fokusin e programit të koalicionit qeveritar “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja.
“Do të krijojmë vegla për gazetarët dhe qytetarët, për zbulim të shpejtë dhe parandalim të lajmeve të rreme. Do të punojmë për edukim mediatik, veçanërisht te publiku i të rinjve, gjatë vendosjes së përmbajtjeve përkatëse në lëndët arsimore dhe shkollat e mesme, duke i azhurnuar ato në periudhë prej dy deri në katër vjet. Vitin e parë të mandatit do të përkrahim krijim të laboratorit hulumtues mediatik, nëpërmjet të cilit studentët e gazetarisë nga fillimi i studimeve do të inkuadrohen në mënyrë proaktive në luftën kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Do të sigurojmë mbrojtje më të madhe të publikut të të miturve nga ndikimet e dëmshme të mediave onlajn, nëpërmjet harmonizimit legjislacionit nacional me direktivën e BE-së për rregullat audiovizuele që kanë të bëjnë me video- sharing platformat”, shkruan në programin e LSDM-së.
Nga LSDM-ja njoftojnë që nëse fitojnë mandat të ri nga qytetarët për të udhëhequr shtetin, në Kuvend do të formojnë grup shumpartiak për luftë sistemore kundër lajmeve të rreme, që do ta ndjek punën e të gjitha organeve shtetërore aksioni i të cilit është i domosdoshëm në këtë luftë.
“Do të sigurojmë përkrahje të vazhdueshme financiare dhe jo financiare për mediat e shtypura dhe televizionet lokale”, shtohet në programin e koalicionit “Mundemi”.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.