Ligji është vetëm vegël, e jo çelës për media të lira dhe profesionale

Qeveria hyri në procesin e fundit të ndryshimit të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike. Vërejtjet kryesore nga ana e shoqatave dhe punëtorëve mediatikë kanë të bëjnë me propozimet e qeverisë për RTM-në, Agjencinë për media, si dhe obligimet ndaj transmetuesve privatë të radiodifuzionit. Eksperti evropian Piter Vanhaute për PINA-n deklaroi se tani për tani duket sikur propozim-ligji do të rezultojë me një ambient më të relaksuar mediatik, ndërsa koha do të tregojë se a do të mjaftojë financimi që propozohet për RTM-në

Kristina Ozimec – PINA

Propozim-ligji për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike është finalizuar dhe është dërguar për vërejtje dhe shqyrtim në Komisionin Evropian, konfirmuan nga qeveria. Pas pranimit të vërejtjeve eventuale nga KE-ja dhe përfshirjes së tyre në propozim, ai pastaj do të shkojë në mbledhje të qeverisë, e pastaj në Kuvend.

Versioni i fundit i ligjit është publikuar këto ditë, pasi që paraprakisht pothuajse një muaj propozimi paraprak ishte në dispozicion në ENER për propozime dhe sugjerime nga ana e shoqatave, kompanive dhe individëve.

Piter Vanhaute, eksperti evropian, i cili më parë ishte i kyçur në përgatitjen e propozimeve për reforma mediatike, për PINA-n thotë se e gjithë procedura në lidhje me ligjin, duke e përfshirë edhe motivimin për anëtarët e ndryshëm, si dhe indikatorët për ndikimin financiar, janë një hap i madh përpara.

– Në këtë mënyrë për të gjithë ata që janë të interesuar ta lexojnë propozimin është e qartë se si dhe pse janë propozuar ndryshimet. Sa i përket amendamenteve, besoj se, në përgjithësi, do të mundësojnë një ambient më të relaksuar, ku në shumicën e rasteve kur do të ketë mospajtime, së pari do të ketë konsultime dhe paralajmërime. Sa i përket transmetuesit publik dhe Këshillit të tij, propozimet e reja, kur do të implementohen, pa dyshim do të rezultojnë me transmetues publik që do të jetë më mirë i organizuar. Koha do të tregojë se a do të jetë i mjaftueshëm financimi i RTM-së që propozohet me këtë ligj. Sa i përket emërimit të anëtarëve të Këshillit për radiodifuzion nga Kuvendi, është e qartë se ka edhe shumë punë që Kuvendi të krijojë procedura adekuate funksionale dhe profesionale për përzgjedhjen e anëtarëve – thotë Vanhaute.

Sipas tij edhe ndryshimet në nenin 92 paraqesin përmirësim serioz në krahasim me situatën paraprake.

– Megjithatë nuk jam i sigurt se dispozitat që kanë të bëjnë me kuotat e produksionit vendor do të jenë të qëndrueshme në afat të gjatë. Dispozitat aktuale mundësojnë që së paku të diskutohet më tutje dhe të harmonizohen mënyrat për ta përmirësuar skenën mediatike, duke i përfshirë edhe produksionet lokale. Më e rëndësishme se sa imponimi i kuotës është që të përmirësohet cilësia e produksioneve, gjë që do të mundësonte që ato të shiten edhe jashtë vendit. Ligji i ri do të jetë vetëm vegël për ta mbështetur skenën e lirë dhe profesionale mediatike, ndërsa çelësi për të ecur përpara do të jetë zhvillimi i dialogut të hapur, duke i përfshirë të gjitha palët e interesuara – thotë Vanhaute.

Sipas propozuesve, qëllimi kryesor i propozim-ligjit është departizimi dhe profesionalizimi i transmetuesit publik të radiodifuzionit dhe organit rregullator – Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike.


Një pjesë e propozimeve janë pranuar, ndërsa një pjesë janë refuzuar

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) propozoi intervenim në disa pika në propozimin e qeverisë, më së shumti në pjesën që ka të bëjë me RTM-në, në propozimin e qeverisë që ka të bëjë me organin rregullator – Agjencinë për media, si dhe në obligimet ndaj transmetuesve privatë.

Sipas propozimit final të cilin tani ministria e dërgoi për vërejtje në KE, një pjesë e propozimeve të SHGM-së janë pranuar, ndërsa një pjesë janë refuzuar. SHGM-ja propozoi zgjidhje kompromisi sipas të cilit në vitin 2018, nga buxheti për RTM-në do të ndahen 0,8%, në vitin 2019 do të ndahen 0,9%, kurse prej vitit 2020 kjo shumë do të jetë 1%.

Ata propozuan ndryshim të nenit 11 me të cilin ndryshohet neni 48, dhe ka të bëjë me Ndalesat e veçanta me të cilat propozohet fshirja e fjalëve “përkatësia në ndonjë grup të margjinalizuar” dhe ato të zëvendësohen me “orientim seksual”. Përveç kësaj propozojnë që të fshihen fjalët “lloje të tjera të besimit” dhe të zëvendësohen me fjalët “antisemitizëm dhe ksenofobi”.

Nga Ministria nuk e kanë pranuar këtë propozim dhe ndaj kësaj përgjigjen se definicioni i propozuar është harmonizuar me nenin 9 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe Konventën evropiane për të drejtat e njeriut, e cila i përmban edhe propozimet.

Janë refuzuar edhe propozimet e tyre ku ata propozojnë që të emërtohet shoqata, si për shembull te propozuesit e autorizuar të anëtarëve të Këshillit programor të RTM-së, për shkak se sipas ministrisë çdo dispozitë që e përmend ndonjë shoqatë ose organizatë konkrete mund të jetë bazë potenciale për diskriminim.

Nga SHGM-ja tani për tani nuk e komentojnë propozimin e fundit, për shkak se thonë se deri tani disa herë publikisht kanë dhënë vërejtje për propozim-ligjin.

Dragan Sekullovski nga SHGM-ja, thotë se Maqedonia është njëra nga vendet e rralla në Evropë që kishte nen 92, me të cilin imponoheshin obligime serioze ndaj transmetuesve radiodifuzivë sa i përket përmbajtjes.

– Konsiderojmë se një lloj i tillë i dispozitës së Ligjit për radiodifuzion është i gabuar, për shkak se në atë mënyrë vetë qeveria bëhet, kushtimisht thënë, redaktore e përmbajtjes programore në një pjesë të mediave. Në të njëjtën kohë atyre u ngarkohen obligime të mëdha dhe duke mos mundur që t’i plotësojnë kuotat, ato bëhen servile ose të dëgjueshme ndaj shtetit dhe qeverisë me qëllim që t’u shmangen dënimeve të mëdha. Për shkak se në ligjin aktual dënimet nuk janë të konsoliduara me rekomandimet e Këshillit të Evropës sepse nuk janë proporcionale. Kemi dënime prej 10 mijë, 50 mijë, 100 mijë euro dhe paramendoni nëse ndonjë medie nuk e plotëson ndonjë kuotë për produksion vendor, pa marrë parasysh se a është seri dokumentare ose diçka tjetër, rrezikon të marrë dënim prej 50 mijë eurosh – thotë Sekullovski.

Një pjesë e vërejtjeve të tyre kanë të bëjnë me vetë Agjencinë për media, për të cilën mendojnë se është e vendosur në mënyrë të gabuar.

Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillimin e mediave thotë se ata kanë vërejtje për shpejtësinë dhe  konsiderojnë se deri tani disa gjëra do të duhej të ishin bërë dhe miratuar në njëfarë forme apo do të duhej të ishin integruar.

– Së pari duhej të bëheshin ndryshimet e nevojshme në Këshillin programor të RTM-së, i cili është kyç në sistemin tonë mediatik dhe në pjesën rregullatore, gjegjësisht edhe në Këshillin e atjeshëm. Eventualisht t’i jepen autorizime dhe obligime të reja organit rregullator që ai të funksionojë si organ i mirëfilltë rregullator. Ato dy organe pastaj, së paku sipas nesh, do të duhej ta udhëhiqnin gjithë punën e haarmonizimit të konstatimit të nevojave, të gjendjes, të tubimit të faktorëve në debat publik që të shihet se për çka kanë nevojë saktësisht, cilat probleme duhet t’i zgjidhim dhe në fund të dilet me një plan të përbashkët. Çështja e dytë është ajo se deri tani, nuk është prekur shumë çështja e strukturës së pronësisë së mediave dhe e financimit të tyre te ne. Përveç në pjesën e reklamimit qeveritar ku u ndërmorën disa hapa nga qeveria e re, i cili gjithsesi nuk duhet të ekzistojë, mund të ketë vetëm fushata me interes publik dhe kjo duhet të rregullohet me ligj – thotë Georgievski.

IMM dhe ISK nuk e mbështesin heqjen e taksës për radiodifuzion

Instituti për media i Maqedonisë dhe Instituti për studime të komunikimit nuk e mbështesin heqjen e taksës për radiodifuzion dhe konsiderojnë se financimi i transmetuesit publik nga buxheti është zgjidhje e gabuar.

– Besojmë se me përmirësimin e ofertës programore dhe me departizimin e organeve udhëheqëse të RTM-së, do të përmirësohet edhe shikueshmëria dhe pagesa e taksës për radiodifuzion. Në fakt, taksa për radiodifuzion është taksë publike në të gjitha vendet evropiane (me përjashtim të Bullgarisë, Kosovës dhe Malit të Zi). Konsiderojmë se fillimisht duhet të konstatohen nevojat e transmetuesit publik në aspekt programor dhe financiar dhe (eventualisht) të përcaktohet shuma e mjeteve buxhetore me të cilat vetëm një herë (ose për një periudhë të caktuar) do t’i ndihmohet RTM-së që t’i përforcojë kapacitetet teknike të saj. Përkujtojmë se me ndryshimet e vitit 2017 në Ligjin për SHAAM është paraparë kanal i veçantë në gjuhën shqipe, për të cilën gjë në këtë moment nuk ka konstruksion financiar – thonë nga IMM-ja dhe ISK-ja.

Biljana Petkovska nga IMM-ja thotë se në vërejtjet e tyre për propozimin e qeverisë kanë propozuar ndryshime që mund të ndihmojnë që organet udhëheqëse të Agjencisë dhe të RTM-së të departizohen dhe të depolitizohen, për shkak se ky është njëri nga problemet kyçe në funksionimin e tyre të deritanishëm.

– Konsiderojmë se financimi i transmetuesit publik nga buxheti nuk është zgjidhje e mirë, duhet të përdoret brenda një periudhe të caktuar kohore, deri sa të konsolidohet gjendja në këtë shtëpi mediatike dhe të krijohen kushte për mbledhjen e taksës për radiodifuzion nga ana e RTM-së, e jo me ndërmjetësimin e institucioneve të tjera shtetërore, siç ishte rasti gjatë periudhës së kaluar. Kemi përshtypje se kjo qeveri dëshiron të tregojë rezultate nëpërmjet ndryshimeve cilësore në hapësirën mediatike dhe i pranon propozimet e të gjitha palëve të interesuara dhe relevante. Mirëpo, me kalimin e kohës, bëhet e qartë se procesi i miratimit të zgjidhjeve të reja ligjore nuk do të ndodhë aq shpejtë siç pritej – thotë Petkovska.

Për Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike ata dhanë edhe vërejtje të tjera dhe propozojnë që mandati i anëtarëve të Këshillit të ASHAAM-it të jetë 6 ose 7 vjet, pa të drejtë për mandat të dytë (neni 15 i ASHAAM-it).

Sipas tyre, në këtë mënyrë do të pamundësohet “lidhja” me pozitën për një afat të gjatë, që ishte dhe akoma është praktikë në këshillin aktual (duke pasur parasysh se me çdo sjellje të ligjit të ri, një pjesë e anëtarëve të Këshillit përsëri fitonin mandat të ri).

Ata dhanë rekomandim edhe për nenet 62a dhe 62b të ligjit të propozuar, që kanë të bëjnë me pluralizmin politik në lajme, në debate, në emisionet informative-ditore dhe në emisionet kontaktuese, për të cilat konsiderojnë se janë të panevojshme dhe duhet të fshihen.

Ata konsiderojnë se Kanali kuvendor duhet të jetë në kompetencë të plotë të Kuvendit dhe se transmetuesi publik nuk duhet të jetë përgjegjës për politikën redaktuese të këtij kanali, dhe ai nuk duhet të përdoret për të emetuar programe të tjera përveç përmbajtjeve që kanë të bëjnë me punën dhe funksionimin e Kuvendit.

Transmetuesi publik me më pak para se më parë

SHGM-ja në vërejtjet që ia ka dhënë qeverisë për këtë ligj, poashtu konstaton se nëse në ligj mbetet zgjidhja e propozuar prej 0.7% të buxhetit për RTM-në, sidomos pasi të hiqen mjetet që janë paraparë për financimin e ndërmarrjes publike Radiodifuzioni i Maqedonisë (RDM) dhe Agjencisë për media (ASHAAM), kjo praktikisht do të thotë se transmetuesi publik në vitin 2018 realisht do të disponojë me më pak para se sa gjatë viteve të kaluara.

– Nëse merret parasysh fakti se RTM-ja do të ketë obligime më të mëdha gjatë periudhës së ardhshme, siç janë borxhet e mëdha, të cilat për shkak të mospagesës në kohë vazhdimisht rriten, pastaj nevoja për ndryshime të reja kadrovike dhe teknike, si dhe obligimi i ri ligjor i RTM-së për kanal të ri televiziv që do të emetojë program 24 orë në gjuhën shqipe, si dhe kanali i ri për emetimin e programit në gjuhët e bashkësive të tjera etnike, atëherë evidente është se mjetet e planifikuara patjetër duhet të rriten me qëllim që të arrihet një reformë reale – propozojnë nga SHGM-ja.

Ata thonë se sipas vlerësimeve të EBU, kufiri i poshtëm i mjeteve që i ndajnë vendet evropiane për financimin e transmetuesve të tyre publikë është rreth 12 euro për kryebanori.

– Në kushtet e Maqedonisë, kjo do të thotë se për RTM-në duhet të sigurohen së paku 25 milionë euro në vit. Edhe pasi të sigurohen këto mjete, Maqedonia përsëri do të jetë në fundin e listës së vendeve të rajonit që ndanë më së paku mjete për financimin e transmetuesit të saj publik – thonë nga shoqata e gazetarëve.

SHGM-ja dhe qeveria “u zunë” për anëtarët që redaktojnë raportim profesional

Qeveria në propozimin paraprak të ndryshimeve të neneve 51 dhe 145 të ligjit, ka propozuar dënime për mediat që nuk do ta respektojnë raportimin profesional dhe etik. Nga SHGM-ja reaguan ashpër se në propozim-ndryshimet qeveria ka propozuar të ndryshohet neni 61, ku më parë ka qëndruar se transmetuesit radiodifuzivë “duhet” të respektojnë disa parime për raportim objektiv dhe profesional, ndërsa tani janë futur fjalët “janë të detyruar” t’i respektojnë ato.

Për mediat që nuk do t’i respektojnë këto rregulla, në propozim-ligj janë paraparë dënime. SHGM-ja reagoi ashpër ndaj propozimit, duke e akuzuar qeverinë se dëshiron të bëhet kryeredaktore e mediave. Pas reagimeve, në një brifing qeveria njoftoi se propozimi do të ndryshohet për t’i përfshirë vërejtjet e SHGM-së dhe pjesa kontestuese do të hiqet.

– Nga gjërat që u pranuan në fillim, ishin edhe dispozitat e reja që kishin të bëjnë me nenin 61, ku vetëm për shkak të ndryshimit të një fjale “duhet” në “janë të detyruara”, mediat për pak do të ishin vënë në një situatë shumë të pakëndshme, me ç’rast do t’i nënshtroheshin dënimeve serioze për raportim subjektiv ose objektiv – thotë Sekullovski nga SHGM-ja.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.