Departamenti amerikan i shtetit javën që shkoi publikoi raportin për gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut, ku, përveç progresit të arritur në sfera të ndryshme, ka edhe vërejtje serioze. Gjendjes me lirinë e fjalës dhe të mediave i është kushtuar vëmendje e theksuar. Ka shembuj serioz për shkeljen e këtyre të drejtave themelore të njeriut, pa të cilat nuk mund të funksionojë një shoqëri demokratike. Përveç kritikave për lirinë e mediave, në raport theksohen edhe dobësi serioze lidhur me luftën kundër korrupsionit gjerësisht të pranishëm dhe për dhunën ndaj grupeve të margjinalizuara, siç është komuniteti LGBT.
Në hyrjen e raportit nënvizohet se qeveria ka bërë progres në respektimin e lirisë së mediave dhe të lirisë së fjalës, por në të njëjtën kohë theksohet se ka probleme serioze që deri tani nuk janë tejkaluar. Qeveria lavdërohet për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në dhe të klimës politike në përgjithësi. Në këtë kontekst përmenden përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar legjislacionin e mediave si dhe subvencionimin e mediave të shtypura. Përveç kësaj, pozitivisht vlerësohet edhe dialogu i hapur i organizatave profesionale të gazetarëve me qeverinë dhe rritja e transparencës së institucioneve. Derisa raportimi i mediave vazhdon të jetë kryesisht i ndarë në linja politike, numri i zërave të pavarur në media që shprehin pikëpamje të ndryshme pa kufizime vazhdon të rritet, thuhet në raport.
Me këtë mbarojnë vlerësimet pozitive të administratës amerikane për gjendjen me lirinë e fjalës dhe të mediave në vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut. Pjesa tjetër e raportit prej tre faqesh, përqendrohet në dobësitë e sistemit, i cili deri tani nuk ka arritur t’i adresojë çështjet që shkaktojnë shqetësim te media dhe gazetarët.
Mediat u shërbejnë inetersave politike dhe ekonomike
Shqetësim kryesor te SHBA për lirinë e fjalës dhe të mediave në Maqedoninë e Veriut shkakton pavarësia e dobët e mediave dhe dhuna e frikësimi i gazetarëve, ku qeveria nuk ka arritur të ketë rezultate. Në këtë pjesë, citohet raporti i “Freedom House” për vitin 2019, i cili përfundon se “derisa media dhe shoqëria civile janë aktivë, gazetarët dhe aktivistët përballen me presione dhe frikësime”. Është marrë edhe vlerësimi i kësaj organizate relevante botërore lidhur me gjendjen në mediat tradicionale dhe online.
“Ambienti mediatik është thellësisht i ndarë në linja politike, dhe mediat private shpesh janë të lidhura me interesa politike dhe ekonomike, të cilat ndikojnë ndaj përmbajtjes së tyre. Ka disa media kritike dhe të pavarura, të cilat kryesisht janë të pranishme në hapësirën online”, thuhet në raport.
Institucionet nuk i ndëshkojnë sulmuesit e gazetarëve
Lidhur me dhunën ndaj gazetarëve përmendet se gjatë vitit ka pasur me pak kërcënime verbal dhe shqetësime të gazetarëve. Ky përfundim mbështetet në vlerësimin e kryetarit të Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, i cili në Konferencën globale për lirinë e mediave në Londër ka thënë se problem kryesor që pengon lirinë e fjalës është politika e pandëshkueshmërisë të sulmeve ndaj gazetarëve. Prej 12 sulmeve të regjistruara ndaj tyre, vetëm një është zgjidhur plotësisht. Ky është rasti me aktorin Toni Mihajllovski, i cili me 17 maj të vitit 2019 nga Gjykata themelore është dënuar me burgim me kusht prej tre muajsh për kërcënimet kundër gazetarit Branko Triçkovski.
Duke u thirrur në raportin e Bashkimit Evropian, amerikanët ftojnë vendin që përmes organeve gjyqësore shpejt dhe me efikasitet t’i procedojnë të gjitha rastet e sulmeve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve. Kjo thirrje është ndjekur me disa shembuj ilustrativ, ku institucionet nuk kanë vepruar ndaj sulmeve kundër gazetarëve. Shembulli i parë që përmendet në raport është rasti i ish kryetarit të SHGM, Naser Selmani, i cili prej 31 gushtit të vitit 2018, kur ka denoncuar marrjen e kërcënimeve prej personave të afërt me Bashkimin demokratik për integrim, nuk ka përparim të hetimit.
Shembulli i dytë që është përmendur në raportin e departamentit të shtetit lidhur me sulmet kundër gazetarëve që ka kaluar pa mos u hetuar prej institucioneve, është rasti kur bashkëpunëtorë të afërt të kryetares së Haraçinës, Melikije Halimi, verbalisht kanë kërcënuar gazetarët dhe me forcë i kanë shoqëruar deri në objektin e komunës duke kërkuar prej tyre të fshijnë materialin e inçizuar. Sulmi është dënuar nga përfaqësuesi i lartë i OSBE-së për lirinë e mediave, Harlem Dezir, i cili incidentin e ka quajtur si “sulm të paturpshëm ndaj lirisë së mediave”. Sulmi është dënuar edhe nga SHGM dhe Agjencia e mediave. Në raport përfundohet se “policia nuk ka hapur hetim për rastin sepse, sipas tyre, gazetarët nuk e kanë denoncuar zyrtarisht rastin në polici. Prokurori po ashtu nuk ka hapur hetim”, konstatohet në Raport.
Reklamimi politik politizon median
Çështje tjetër lidhur me lirinë e mediave që tërheq vëmendjen e Departamentit të shtetit është cilësia e zbatimit të legjislacionit të mediave. Qartë theksohet se qeveria nuk ka ndërmarrë masa për të zgjidhur shqetësimet e aktorëve mediatik të shprehura në letrën e korrikut të vitit 2018 lidhur me ndryshimet ligjore në Kodin elektoral, ku lejohet që paratë e taksapaguesve të shfrytëzohen për fushata politike në median private. Në kontekst të njëjtë vendosin edhe reklamimin e qeverisë, i cili formalisht është ndërprerë. Mirëpo, reklamimi politik është përligjur para referendumit për emrin, thotë raporti duke iu referuar raportit evropian, dhe se paraqet politizim i rrezikshëm i politikës editoriale.
Në këtë pjesë konstatohet edhe miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për shërbimet mediatike audio dhe audiovizive, me të cilat duhej të zgjedhen drejtuesit e ri të Radio televizionit të Maqedonisë dhe të regullatorit të mediave, sipas metodologjisë së re. Për këtë çështje amerikanët citojnë raportin e Komisionit evropian, i cili thotë se për zbatimin e ligjit do të duhet “vullnet i fortë politik për të garantuar profesionalizmin, respektimin e parimeve të transparencës, zgjedhje e bazuar në merita dhe përfaqësim të drejtë”.
Trysnia e qeverisë nxit vetëcenzurë te gazetarët
Shqetësim tjetër që e theksojnë amerikanët në raport për lirinë e mediave është edhe cilësia e gazetarisë. Flasin për zëra për presion të qeverisë ndaj gazetarëve për të nxitur vetëcenzurë. Përveç kësaj, duke u thirrur në raportin e KE, ata flasin edhe për mungesën e përmirësimit të drejtave sociale dhe të punës për gazetarët, derisa kushtet e tyre i përshkruajnë si shumë të këqija. “Si rezultat i kësaj, gazetarët ende praktikojnë vetëcënzurë”, citohet raporti evropian dhe shtohet se bisedat e Sindikalistit të pavarur të gazetarëve nuk kanë rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive me asnjë shtëpi mediatike. Përmendet edhe fakti i pranisë së lajmeve të rreme në median online duke u thirrur në vendimet e Këshillit të etikës në media.
SHBA ndajnë me Bashkimin Evropian vlerësimin edhe për gjendjen me paditë për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve nga politikanët. Ato pajtohen me Brukselin se janë ndërmarrë hapa fillestarë për të kufizuar gjobat për shpifje dhe të ulen në simbolike me qëllim për të përmirësuar balancin midis lirisë së fjalës dhe mbrojtjes së reputacionit. Mirëpo, amerikanët këtë vlerësim e ilustrojnë me shembuj konkret kur politikanë u janë kërcënuar gazetarëve me padi.
Rasti i parë i përmendur është ai i nënkryetarit të qeverisë, Bujar Osmani, i cili në janar ka kërcënuar se BDI do të padis disa gazetarë dhe media që kanë akuzuar funksionarët e tyre për keqpërdorime të Fondit pensional. Ndaj kësaj ka reaguar SHGM, duke ftuar politikanët të përmbahen prej padive kundër gazetarëve. Gjendja me kërcënimet me padi lidhet edhe me deklaratën e zëdhënëses së Komisionit evropian, Maja Kociançiç, e cila atë kohë i kishte përkujtuar autoritetet me rekomandimet e Komisionit evropian se vendi duhet të ketë tolerancë zero ndaj sulmeve fizike dhe verbal si dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Përveç kësaj, ajo insistonte që aktorët politik të mos kërcënojnë median me pasoja ligjore për shkak të raportimit të tyre.
Në raport kanë gjetur vend edhe kërcënimet me padi të sekretarit të qeverisë, Dragi Rashkovski kundër gazetarëve, për shkak të raportimit të tyre kritik për furnizimin e pajises për sistemin e navigacionit në aeroportin e Shkupit.
Si çështje të fundit që ka tërhequr vëmendjen e Uashingtonit për gjendjen e lirisë së fjalës te ne është dënimi i SHGM dhe KEEM të gjuhës së urrejtjes kundër shqiptarëve prej tifozëve të Vardarit duke festuar fitoren në garat evropiane. Duke u thirrur në të dy organizatat, në raport theksohet se media nuk ka arritur të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë dhe mosdurim. Në fund thuhet se këtë sjellje të papranueshme të tifozëve e kanë dënuar edhe Komiteti i Helsinkit, organizata joqeveritare “Civil” si dhe partitë politike të shqiptarëve, të cilët kanë ftuar institucionet të ndëshkojnë fajtorët që kanë përhapur gjuhë të urrejtjes.