MPB e ndaloi sulmuesin e ekipit të All Xhazira, ASHMAV dhe KEMM e dënojnë sulmin

Ministria për Punë të Brendshme (MPB) informoi që e ka ndaluar personin i cili e sulmoi ekipin e reporterëve të All Xhazira gjatë protestës së djeshme të VMRO-DPMNE-së. Nga MPB thonë që gazetarja Millka Smilevska ka denoncuar që në rrugën “Maqedonia” ku është mbajtur protestë, ndërsa ajo ka qenë e angazhuar si gazetare, gjatë bisedës me një nga pjesëmarrësit në protestë, ka ardhur A. I. (41) nga Shkupi dhe ka goditur me duar, me ç’rast ia ka shtyrë mikrofonin.

“A. I. Është ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse”, thuhet në buletinin policor.

Sulmin e  djeshëm mbi gazetaren Millka Smilevska dhe kameramanin Jorde Angelloviq e kanë dënuar Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM). Në komunikatën e tyre thuhet që ekipi raportues është sulmuar derisa ka kryer obligimet profesionale, që është e paimagjinueshme për një demokraci.

“Toleranca ndaj sulmeve të këtilla dhe pengimi i punonjësve mediatik për ta kryer punën e tyre bart rrezik ato të përsëriten dhe të bëhen edhe më të ashpra, me çka nuk rrezikohet vetëm siguria e kolegëve, por edhe e drejta elementare e qytetarëve për të qenë saktë të informuar. Prandaj kërkojmë nga institucionet urgjentisht të zbardhet incidenti dhe të konstatohet përgjegjësi e sulmuesve, ndërsa nga partitë përgjegjësi më të madhe në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe veprave  që burojnë nga e njëjta”, thuhet në  komunikatën e KEMM.

Edhe Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAV) e dënuan sulmin mbi ekipin e gazetarëve të All Xhazira, duke përkujtuar që dukuritë e këtilla paraqesin cenim të lirisë së të shprehurit dhe të drejtës për informim të opinionit.

“Mediave duhet t’u sigurohen kushte për punë profesionale dhe punonjësit mediatikë në asnjë moment nuk guxojnë të jenë të penguar për të kryer detyrat e punës”, thekson ASHMAV.

Sulmin e djeshëm e ka dënuar edhe partia në pushtet, LSDM.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.