MSHIA aprovoi sistematizimin për 460 vende shtesë të punës në RTM

Ministria për shoqëri informative dhe administratë  (MSHIA) javen e kaluar miratoi sistematizimin e ri të vendeve të punës në Radio televizionin e Maqedonisë (RTM), të propozuar nga Këshilli programor i RTM. Nënkryetari i Këshillit programor, Vedat Memedaliu, thotë se sistematizimi i ri është nënshkruar prej sekretarit shtetëror në MSHIA, Adem Avziu dhe parasheh rritjen e numrit të nëpunësve të servisit publik prej 764 sa ka aktualisht në 1.224 nëpunës.

Memedaliu pohon se numri i nëpunësve në periudhën e ardhshme do të duhet të rritet për 460 persona, prej të cilëve mbi gjysma duhet të jenë gazetarë dhe kuadër kreativ. Ai vlerëson se raportet mes MSHIA dhe RTM janë normalizuar pasi për sekretar shtetëror në këtë ministri është zgjedhur Avziu, i cili ka treguar mirëkuptim më të theksuar për përmirësimin e gjendjes në servisin publik.

Në ndërkohë, pasi është miratuar sistematizimi, drejtuesit e RTM kanë përpiluar edhe Planin për punësim dhe rishpërndarjen e nëpunësve, i cili duhet të shkojë për miratim në MSHIA. Memedaliu thotë se ka disponim nga ministria për tu miratuar plani, ndërsa për zbatimin e tij do të nevojitet edhe pëlqimi  i Ministrisë së financave.

Ky plan do të ofrojë mundësi jo vetëm të punësohen persona të ri, por edhe kuadrot aktuale të fitojnë ngritje në karierën e tyre, në pajtim me cilësinë e punës, duke ju ngritur edhe pagat.

Ai pohon se për shkak të hapjes së kanaleve të reja, RTM ka mungesë të theksuar të gazetarëve, të kuadrit kreativ dhe atij administrativë, prandaj bisedohet me institucionet kompetente, siç është MSHIA dhe Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) të lejojnë punësime të reja, edhe pse vendi është në periudhë zgjedhore. Shqyrtohet mundësia të merret pëlqim prej KSHPK punësimet e reja të mos trajtohen si punësime para zgjedhore për shkak të gjendjes specifike ku gjendet servisi puvblik.

Drejtuesit e RTM besojnë se nëse rritet numri i nëpunësve dhe nëse sigurohet burim i pavarur dhe i qëndrueshëm i financimit, ashtu siç është paraparë në Ligjin për shërbimet audio dhe audiovizive, servisi publik do të mund të mbulojë me program cilësorë të gjitha serviset programore. Sipas nenit 105 të Ligjit SHMAA, RTM sivjet duhej të merrte 0.9 për qind të buxhetit të shtetit ose rreth 21 milion euro. Mirëpo, është planifikuar që servisi publik të fitojë diçka me pak se 15 milion euro.

Përveç uljes së vazhdueshme të buxhetit, gjendjen finansiare të shtëpisë e ngarkojnë edhe borxhet e vjetra, prej të cilave disa janë të trashëguara prej periudhës së Jugosllavisë. Tre milion euro RTM i ka borxh Klubit të Parisit, i cili si kredi ishte marrë qysh në vitin e largët 1984. Tre milionë euro shtesë servisi publik ka borxh ndaj kompanisë për menaxhimin me aeroportet e vendit, për shkak të një huaje të marrë në të kaluarën prej drejtuesit të mëparshëm për pagimin e pagave të nëpunësve. Poashtu, dy milion euro janë borxh ndaj Drejtorisë për të hyrat publike në bazë të TVSH për taksën radiovizive. Shteti kërkon tatimin e taksës që fare nuk është mbledhur, ndërsa përgjegjësi për mbledhjen e saj nuk ishte RTM, por DHP. Nga një milion euro servisi publik është borxhli ndaj Industrisë së muzikës maqedonase dhe po aq shpenzime tjera për ujë, korrent, etj.

Kanale të reja televizive me program të vjetër

RTM në prill të këtij viti ne eter lëshoi katër programe televizive. Kanalet e reja janë RTM 2, 24 orë kanal  në gjuhën shqipe, RTM 3, kanal për sport dhe zbavitje, RTM 4, kanal për grupet tjera etnike dhe program dokumentar dhe RTM 5, kanal i specializuar  programesh për fëmijë. Këto kanale nuk kanë skemë të qartë programore dhe atje kryesisht riemitohet përmbajtje e vjetër prej arkivave të RTM. Një pjesë e programit është prodhim i shtëpisë, ndërsa program i huaj, për të cilin servisi publik ka të drejta për ti riemituar disa herë.

Duke u përpjekur të përmirësojë cilësinë e programit, RTM në prill të këtij viti shpalli thirrje publike për furnizimin me përmbajtje programore prej producentëve dhe autorëve tjerë. Projektet duhet të përfshijnë përmbajtje edukative, për fëmijë, informative, filma, dokumentarë, zbavitëse dhe sport. Këto programe do të financohen prej mjeteve burimore te shtëpisë dhe prej donacionit në shumë prej gjysmë milionë eurosh, të cilin RTM e kishte marrë nga Agjencia për shërbime audio dhe audiovizive.

Përndryshe, vendimi për hapjen e katër kanaleve televizive, Këshilli programor i RTM, e kishte miratuar qysh në dhjetor të viti 2018, ndërsa kanalet filluan të emitojnë program thuaja një vit e gjysmë më vonë.

“Me lëshimin në eter të kanaleve të reja presim që shikuesit tanë të fitojnë mundësi për ndjekjen e një mori përmbajtjesh të ndryshme që përfshijnë më shumë target grupe.  Gjatë kësaj periudhe ndoshta më e rëndësishme është hapja e kanalit për fëmijë, ku do të ofrojmë më shumë programe arsimore dhe edukative për fëmijë. Po ashtu, me rritjen e vëllimit të programit në gjuhën shqipe, si dhe kanalin për bashkësitë tjera etnike, do të hapet mundësi që më shumë programe të emitohen në gjuhët e shikuesve tanë besnik”, thuhej në kumtesën e RTM.

Kanalet do të jenë të qasshëm falas për të gjithë qytetarët përmes rrjetit terestrial, si dhe përmes platformave të gjithë operatorëve kobllor, ndërsa kanalet e reja përmes operatorëve kabllovik “A1” dhe “Telekabel” qytetarët do të mund t’i shikojnë pasi të kenë riskenuar televizorët ose pajisjet e tyre.

Arsyet për këtë nxitim për hapjen e kanaleve të reja në kushte kur RTM çdo ditë ka më pak mjete financiare në buxhet, drejtuesit e sqarojnë me faktin se me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shërbimet audio dhe audiovizive, të miratuara në dhjetor të vitit 2018, pa kurrfarë paralajmërimi, i është marrë kompetenca Këshillit programor të RTM për të përcaktuar numrin e serviseve programore.

Në nenin 107 të Ligjit është fshirë alineja e fundit 9, e cila parashihte për numrin e serviseve programore të vendoste Këshilli programor. Për t’i paraprirë kësaj ndërhyrje të qeverisë dhe para se të hyjnë në fuqi ndryshimet e ligjit, në janar të vitit 2019, Këshilli vendosi për hapjen e serviseve të reja programore. Në ligjin e vjetër, neni 107, alineja 9, qartë e parashikon kompetencën e Këshillit programor për të vendosur për serviset e reja programore, me propozim të drejtorit.

Modeli i ri për financimin e RTM të zbaothet në vepër

Lidhur me gjendjen në RTM, Instituti për zhvillim të komunikimeve elektornike – INREKOM në maj të këtij viti publikoi një analizë, ku fajin për gjendjen e keqe të servisit publik, përveç ndikimeve politike dhe problemit të financimit, locohet edhe në mosefikasitetin e nëpunësve. “Sipas disa vlerësimeve, obligimet e tyre të punës i plotësojnë me thuaja 30 për qind të orëve efektive të punës nga koha e përgjithshme e orarit ditor të punës, gjegjësisht të javës”, konstatohet në analizë.

Për përmirësimin e gjendjes, në analizë rekomandohet kthimi i regjimit të vjetër të financimit, duke mos sqaruar se kush do të ishte përgjegjës për mbledhjen e taksës radiovizive dhe kush do të përgjigjej nëse ajo sërish nuk mblidhet në tërësi. Deri tani të gjitha format e mbledhjes së taksës kanë dështuar, jo për shkak të RTM, por sepse nuk ka ekzistuar vullnet politik prej të gjitha qeverive për të mbledhur taksën.

Në vende të tjera evropiane, taksa mblidhet nga vetë servisi publik, por ato service kanë sistem të vetin për mbledhjen e taksës dhe atje sundon sistem efikas jurdik, i cili sugurin pagesën e detyruar të taksës nëse qytetarët refuzojnë të paguajnë. Në RTM, sektori për mbledhjen e taksës moti është shpërndarë dhe do të jetë shumë vështirë të rikthehet në përdorim. Përveç kësaj, në vend nuk ekziston sistem juridik që do të garantojë pagesën e detyruar të taksës nëse qytetarët refuzojnë ta paguajnë.

Edhe pse sistemi aktual i financimit i ka zvogëluar të hyrat e RTM, ai pa asnjë dyshim dëshmoi se vendosja e sistemit të pavarur dhe të qëndrueshëm për financimin e servisit publik është penguar nga qeveria, e cila qartë shkel ligjin duke përdorur argumente politik. RTM sivjet mori 6 milion euro më pak, të cilat si mjete duhej të ndahen prej buxhetit të shtetit. Sqarimi i MSHIA ishte se më pak mjetet e parashikuara për RTM prej buxhetit të sivjetshëm janë ndarë për shkak se drejtuesit nuk i kanë plotësuar rekomandimet e një sërë institucionesh relevante ndërkombëtare dhe të vendit se nevojitet strategji për reforma në servisin publik radioviziv.

Rekomandimi i Këshillit të Evropës për sigurimin e pavarësisë së serviseve publike radiovizive prej vitit 1996, qartë përcakton obligimin e qeverive për të siguruar sistem të qëndrueshëm për financimin e serviseve publike, si një ndër shtyllat kryesore të autonomisë institucionale dhe të politikës së pavarur editoriale.

Reforma në RTM do të ndodhë atëherë kur Kuvendi i RMV do të zgjedhë drejtuesit sipas modelit të ri, dhe kur qeveria dhe Parlamenti do të nisin të zbatojnë Ligjin për SHMAA, duke siguruar mjete për servisin publik në lartësi prej një për qind të buxhetit ë shtetit.

Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.