Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive (ASHMAA), organizatat e mediave dhe ekspertë besojnë se futja e shpejtë të edukimit mediatik në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut është ide e realizueshme.
Kjo ide është promovuar nga partia në pushtet LSDM para zgjedhjeve, e cila parashikon aplikimin e përmbajtjeve të përshtatshme në lëndët arsimore të shkollave fillore dhe të mesme, duke filluar nga viti shkollor 2021/2022.
Edukata mediatike, sipas LSDM, duhet të jetë një nga shtyllat kryesore në luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave.
Drejtori i ASHMAA, Zoran Trajcevski, zbulon se gjatë vitit 2019, me iniciativë të Institutit Maqedonas të Mediave, në kuadër të një projekti rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian, është formuar një Koalicion për Edukimin mediatik, i cili përfshin Qeverinë, ministritë përkatëse dhe institucionet si dhe organizatat e shoqërisë civile.
Brenda Koalicionit, është diskutuar për futjen e edukimit mediatik në arsim sa më shpejt të jetë e mundur, së pari brenda lëndëve në të cilat tashmë ekziston kultura mediatike, dhe pastaj në lëndët e tjera.
“Pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte nëse do të vendoset si lëndë e veçantë apo edukimi mediatik do të jetë qasje në mësimdhënie në të gjitha lëndët ku është e përshtatshme dhe e mundur. Shumica e anëtarëve të Koalicionit ishin për opsionin e dytë – edukimi mediatik si qasje, sepse ideja nuk është të vendoset lëndë e re ku nxënësve do t’u kërkohet të mësojnë përkufizime të reja,” thotë Trajçevski për Meta.mk.
Ai vlersëon se ideja prapa edukimit mediatik është përshtatja e procesit arsimor ndaj shoqërisë së informacionit, ndaj realitetit shoqëror siç e jetojnë gjeneratat e reja.
Sipas tij, Byroja për Zhvillimin e Arsimit mund të vlerësojë nëse është e mundur për një vit të realizohet kjo ide.
Sa i përket vështirësive për futjen e edukimit mediatik në procesin arsimor, Trajçevski dyshon në gatishmërinë e mësuesve, të cilëve mësimi online rrënjësisht ua ka ndryshuar mënyrën e punës. Një çështje tjetër që duhet kushtuar vëmendje janë ndryshimet në programet mësimore – në një pjesë të arsimit të mesëm.
“Byroja e arsimit tashmë ka bërë ndryshime ligjore, ndërsa në radhë janë programet e arsimit fillor dhe të shkollave të mesme,” shton ai.
Trajçevski beson se modeli për integrimin e edukimit mediatik në arsim nuk duhet të merret automatikisht nga një vend tjetër, por duhet të ndiqen përvojat më të mira të vendeve evropiane dhe të krijohet model autentik, i përshtatshëm për arsimin dhe shoqërinë maqedonase.
“Duhet të shkohet në integrimin e edukimit mediatik si qasje në arsim, e jo si një lëndë e veçantë që do të rëndonte në mënyrë shtesë fëmijët”, vlerëson drejtori i ASHMAA.
Drejtoresha e Institutit Maqedonas të Mediave (MIM), Biljana Petkovska, thotë se përpjekjet e tyre për të integruar konceptin e edukimit mediatik në arsimin zyrtar kanë zgjatur për më shumë se 10 vjet. Për realizimin e idesë, ata bashkëpunojnë me institucione të ndryshme qeveritare përgjegjëse për media, arsim, kulturë dhe teknologji, si dhe me sektorin joqeveritar dhe median.
“Me mbështetjen e BE-së, në vitin 2019, së bashku me Qeverinë, Ministrinë e Arsimit dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit, përgatitëm një plan me udhëzime se si do të vazhdojë procesi i integrimit të EM në arsimin fillor dhe të mesëm, dhe parapamë edhe udhëzime të përgjithshme për integrimin e këtij koncepti në kopshtet dhe arsimin e lartë”, thotë Petkovska, duke shtuar se për shkak të pandemisë, debati mbi dokumentin ishte shtyrë dhe shpreson se ai do të vazhdojë së shpejti.
Ajo shpjegon se së bashku me Byronë, propozojnë që në fillim integrimi të bëhet në disa lëndë, dhe gradualisht ai fond i lëndëve të rritet.
“Qëllimi përfundimtar është, përmes ndryshimeve të kornizës ligjore, trajnimit të mësuesve dhe krijimit të burimeve arsimore që do të përdoren në mësimdhënie, të rinjtë të mësojnë se si të rivlerësojnë në mënyrë kritike përmbajtjet mediatike, vetë të krijojnë produkte mediatike dhe në mënyrë të përgjegjshme të përdorin platformat mediatike” thotë Petkovska.
Për ekspertin e medias, Filip Stojanovski, nga Fondacioni Metamorfozis, zgjidhja e problemit kompleks me mungesën e edukimit mediatik kërkon zgjidhje komplekse dhe një qasje gjithëpërfshirëse.
Nga përvoja e tij me zbatimin e projektit “Crithink” në terren, është dëshmuar se përveç krijimit të përmbajtjes së re arsimore, ka nevojë edhe për ngritjen e kapacitetit të mësuesve, me trajnime shtesë dhe azhurnimin e programeve mësimore të fakulteteve pedagogjike.
“Kjo reformë, nëse zbatohet si duhet, do të sigurojë një bazë për adresimin e nevojave të brezave të ardhshëm të nxënësve, por ne vazhdimisht theksojmë se problemi i dezinformatave prek të gjithë qytetarët. Prandaj, ne besojmë se duhet të zhvillohen mekanizma të qëndrueshëm, përmes të cilave përvojat e sektorit të shoqërisë civile, dhe veçanërisht qasjeve që tashmë janë provuar të suksesshme në vendet e BE-së, do të mundësojnë ngritjen e njohurive dhe aftësive të qytetarëve që nuk mund të mbulohen me arsimin formal”, thotë Stojanovski.
Ai beson se realizimi i idesë do të kërkojë mbështetje sistematike për përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile që punojnë me komunitetet, si dhe afirmimin e rolit edukativ të mediave.
Duke pasur parasysh burimet arsimore të zhvilluara nga sektori i shoqërisë civile në bashkëpunim me organet arsimore dhe shkencore dhe me mbështetjen e institucioneve shtetërore, është e mundur edhe për një vit të përgatiten bazat e kësaj reforme dhe të fillohet trajnimi i mësuesve me kurrikula të plotësuara.
“Këto trajnime nuk duhet të bëhen menjëherë, por mund të zbatohen gradualisht, që e mundësojnë teknologjitë e mësimit online, të cilat me vite i përdorim në sektorin civil, dhe tani bëhen mjet kryesor në sistemin arsimor të shtetit”, nënvizon Stojanovski.
Afati njëvjeçar për futjen e edukimit mediatik në sistemin arsimor për Stojanovskin nuk është shumë i shkurtër sepse ka njohuri se si duhet bërë atë, ndërsa ka edhe vetëdije për azhurnimin e njohurive dhe të aftësive nga të gjithë pjesëmarrësit.
“Ajo është qasje që qysh në vitin 2017 çoi në krijimin e Rrjetit tonë kombëtar për edukimin mediatik”, përkujton ai.
Lidhur me modelin që duhet të aplikohet, Stojanovski thotë se përvoja evropiane tregon se nuk ka një zgjidhje ose qasje të unifikuar, por ka gjetje të caktuara të përgjithshme, siç është skenimi nga Këshilli i Evropës prej vitit 2016.
Përveç arsimit zyrtar, ndryshimet përfshijnë edhe azhurnimin e kornizave ligjore në një sërë fushash, nga arsimi dhe media, deri te ndërlidhja me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet, veçanërisht privatësinë dhe sigurinë e fëmijëve dhe të rriturve.
“Ne me të vërtetë duam që mediat të forcojë funksionin e tyre arsimor, është e nevojshme të sigurohen burime dhe transformim i gazetarëve në edukatorë,” thotë ai, duke shtuar se për zbatimin e këtyre reformave nuk mjafton vetëm asistenca e donatorëve nga BE dhe USAID, por duhet të ndahen fonde edhe nga buxheti i shtetit.
Sipas tij, suksesi i këtyre iniciativave do të varet nga fakti nëse ato do të kenë përparësi gjatë përpilimit të buxhetit të vendit.
Autor: Naser Selmani
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.