Misioni i OSBE-së në Shkup, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Këshilli për Etikë në Media, bënë thirrje për ndërgjegjësim për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në media, veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore.
“Vërejtjet negative dhe urrejtëse gjejnë rrugën e tyre drejt mediave online dhe përhapen shpejt në rrjetet sociale. Mediat tradicionale që kanë një audiencë edhe më të gjerë, shpesh i përsëritin këto mesazhe. Nëse lihet e paadresuar, një prirje e tillë bëhet pjesë e diskursit politik dhe shpesh kalon në shoqërinë si tërësi”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup Klemens Koja.
Vitin e kaluar, nën përkrahjen e Misionit, subjektet shtetërore dhe jo-shtetërore krijuan një Rrjet kundër Gjuhës së Urrejtjes në Media.
“Ne e shohim Rrjetin si një platformë të rëndësishme me aftësinë për t’u përfshirë në diskutime të mëtejshme se si të promovohet transparenca dhe të inkurajohen praktikat më të mira në zhvillimin e alternativave dhe tregimeve të kundërta në media,” tha Koja.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Naqe Çulev, tha se censurimi i gjuhës së urrejtjes në media është kryesisht një detyrim i vetë mediave, politikave të tyre redaktuese dhe standardeve profesionale.
“Policia nuk mund dhe as nuk dëshiron të jetë redaktor i dikujt. Ajo që policia mund të bëjë është të zbatojë ligje përkatëse të përfshira në legjislacionin e vendit”, tha Çulev.
Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit për Etikë në Media, tha se është e rëndësishme të vazhdohet me promovimin e standardeve gazetareske dhe mediat të ndërgjegjësohen rreth përgjegjësive të tyre.
“Sidoqoftë, të gjitha përpjekjet e komunitetit profesional të mediave do të ishin të kota nëse nuk do të kishte përgjigje nga institucionet përkatëse për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes. Le të mos harrojmë se kjo nuk përbën vetëm shkelje të standardeve gazetareske, por edhe një krim”, tha Sinadinovska.
Marina Tuneva, drejtore e Këshillit për Etikë në Media, e cila paraqiti Kartën e Raportimit Etik, deklaroi se të dhënat e Këshillit për vitin 2019 tregojnë se 20 përqind e gjykimeve i referohen rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës ose diskriminimit në baza të ndryshme.
“Prania e madhe e lajmeve të rreme, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në prag të zgjedhjeve, ka imponuar nevojën që këto probleme të përballohen bashkërisht dhe.në mënyrë sistematike”, tha Tuneva.