Tri kanalet televizive vendase “Sitel”, “Kanal5” dhe “MTV1” ishin radiodifuzerët më të shikuar gjatë epidemisë së koronavirusit në vend, si dhe në periudhën para zgjedhjeve parlamentare, tregon Raporti tremujor i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAV) me të dhëna për shtrirjen e radiostacioneve dhe pjesëmarrjen në shikueshmërinë e përgjithshme të televizionit në tremujorin e dytë të vitit 2020, njofton Portalb.mk.
Në pyetjen “Cilët kanale televizive vendase dhe të huaja i keni shikuar dje?”, 50.46% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë shikuar TV “Sitel”, 47.39% vendosën për “Kanal 5”, ndërsa 25.98% e tyre u përgjigjën se kishin shikuar “MTV 1”. Lista e kanaleve televizive më të shikuara pasohet nga “Telma” me 21.78%, “Alfa” me 20.71%, “Alsat-M” me 17.43%, “24 Vesti” me 11.37%, “MTV2” me 10.46 përqind dhe “MTV3” e kanë përcjellë 7.51 përqind e të anketuarve.
Identike është edhe renditja e shikueshmërisë të kanaleve televizive në pjesën e përgjigjes në pyetjen se cilat kanale televizive vendase dhe të huaja kanë shikuar qytetarët gjatë javës së fundit.
Të dhënat nga sondazhi i ASHMAV tregojnë se 72.6 përqind e të anketuarve iu përgjigjën pozitivisht pyetjes “A keni shikuar TV gjatë ditës së djeshme?”. Kundrejt tyre, 27,4 përqind e të anketuarve kanë thënë se nuk kishin shikuar programe televizive.
Si deri më tani edhe gjatë pandemisë me koronavirusin dhe para zgjedhjeve, shumica e qytetarëve i kanë ndjekur kanalet televizive për t’u informuar. Kështu, 46.5% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë shikuar lajme në TV, ndërsa 24.8% e tyre kanë thënë se në kanalet televizive kanë shikuar program informativ. Vetëm 7.8 përqind e të anketuarve kanë thënë se i kanë aktivizuar ekranet televizive për të shikuar program argëtues dhe/ose muzikor.
Sondazhi ASHMAV është realizuar në mostër përfaqësuese prej 2,410 të anketuarve në mbarë vendin, ndërsa anketimi është realizuar me metodën CATI – intervistë telefonike me ndihmë të kompjuterit duke përdorur pyetësor gjysmë të strukturuar. ASHMAV realizon sondazhe të rregullta katër herë në vit për secilin tremujor veç e veç, dhe një herë në vit përgatit një raport vjetor për shikueshmërinë e televizioneve në vend.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.