Misioni vëzhgues i OSBE për zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën me 17 korrik në Maqedoninë e Veriut, kanë vërejtje serioze për mënyrën e raportimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore.
“Raportimit të mediave për zgjedhjet u mungonte qasja kritike ndaj platformave, ndërsa dispozitat lidhur me reklamimin e paguar politik i kanë favorizuar tri parti më të mëdha politike”, thuhet në vlerësimin fillestar të misionit të OSBE-së.
Misioni, po ashtu, vëren se emisionet informative të të gjitha televizioneve kombëtare në mënyrë sipërfaqësore raportuan për aktivitetet e fushatave, të cilat kanë qenë nën hijen e akuzave të ndërsjella dhe të incizimeve të publikuara të liderët politik. “Raportim i detajuar analitik ose debate për politikat, kryesisht, nuk ishin të pranishme në raportimin për fushatën, duke kufizuar mundësinë qytetarëve të informohen për zgjedhjen midis alternativave konkrete politike”, konstaton OSBE.
Si dështim në raportimin e mediave mund të merret edhe vlerësimi se “fushata ka qenë karakterizuar me retorikë negative në llogari të debatit thelbësor”, sepse mediat kanë rol të rëndësishëm në krijimin e ambientit për debat cilësor dhe frytdhënës midis pjesëmarrësve në zgjedhje.
Përveç kësaj, OSBE konstaton edhe regres të reformave në media, siç është sigurimi i neutralitetit politik të servisit publik, Radio televizionit të Maqedonisë, (RTM) dhe të rregullatorit të mediave.
Misioni është i shqetësuar që ngecja aktuale në tregun e reklamave i shkaktuar prej pandemisë në mënyrë plotësuese ka shtuar varësinë e mediave prej pronarëve dhe subvencioneve të shtetit.
Drejtori i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizive (SSHMAA), Zoran Trajçevski, pajtohet me kritikat e misionit vëzhgues të OSBE lidhur me mënyrën e raportimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore. Trajçevski vlerëson se ky raportim jocilësor i mediave për kampanjën është pasojë e ndryshimeve të fundit të Kodit zgjedhor, të cilat krijuan pasiguri juridike dhe favorizuan partitë në pushtet gjatë kampanjës.
“Faktikisht, koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa morën 30 mijë euro për reklamë të paguar politike, ndërsa BDI në pushtet morri rreth 800 mijë euro, që është për 26/27 herë më shumë mjete për BDI. Kjo tregon se gara zgjedhore aspak nuk ishte e barabartë”, vlerëson Trajçevski.
Ai thotë se përkundër asaj që mendohej se klientelizimi në media është në gjë e tejkaluar, në këto zgjedhje, sërish u tregua se problem është ende i pranishëm.
“Shembull me eklatant ishte një televizioni kombëtarë, i cili plotësisht u vu në funksion të partisë në pushtet, LSDM, që është konstatuar edhe në raportin fillestar të OSBE/ODIHR. Kjo është njollë e zezë jo vetëm për radiodifuzerët dhe procesin zgjedhor, por edhe për rrugën evropiane të vendit dhe të kapaciteteve demokratike të shoqërisë”, thotë Trajçevski.
Sipas tij, LSDM në pushtet i ka bojkotuar mediat kritike, siç është televizioni “Alfa”, i cili edhe para fillimit të fushatës ka pasur sulme dhe kërcënime të hapura për kinse krim dhe paralajmërime për mbyllje e tij.
“Ky raport i LSDM është për t’u çuditur sepse ata si parti në pushtet i kanë të gjitha instrumentet e pushtetit të reagojnë nëse ka krim, e jo të kërcënohen mediumit përmes konferencave të shtypit. Po ashtu, bojkoti nuk paraqet vetëm trysni ndaj mediumit, përkundrazi ai është edhe trysni ekonomike duke refuzuar reklamimin. Për fat të keq, e gjithë kjo tregon se ne ende jemi larg prej demokracive të zhvilluara perëndimore”, përfundon drejtori i ASHMAA.
Për kapërcimin e gjendjes së keqe në media, Trajçevski propozon, që menjëherë pas konstituimit të parlamentit të ri të fillojë përpilimi i Kodit zgjedhor nën mbikëqyrjen e OSBE, me qëllim të hiqet financimi prej buxhetit i reklamimit të paguar politik, përveç kësaj, ai vlerëson se duhet të ndryshojë edhe modeli zgjedhor dhe të vendosen listat e hapura. Po ashtu, kërkon profesionalizimin e KSHZ, i cili do të jetë i përbërë prej gjykatësve dhe avokatë të njohur, e jo prej përfaqësuesve partiak, si dhe Komisioni të ketë më shumë kompetenca për të mundur të gjobit partitë politike dhe politikanët.
Edhe anëtari i Komisionit të ankesave në Këshillin e etikës së mediave (KEMM), gazetari i Radio televizionit të Maqedonisë, program në gjuhën turke, Erdem Ahmet, ka komente të ngjashme lidhur me vërejtjet negative të OSBE-së lidhur me raportimin e mediave gjatë fushatës s zgjedhore.
Ahmet vlerëson se nëse bëhet një vlerësim i përgjithshëm i deklaratës së ODIHR, duket e qartë se në periudhën e ardhshme do të duhet të bëhen reforma serioze për të mos lejuar që këto lëshime në punën e mediave të përsëriten prapë gjatë kohës së zgjedhjeve.
“Pjesa dërmuese e këtyre dobësive janë të lidhura me reklamimin e paguar politik prej shtetit. Ky sistem përveç se favorizon partitë e mëdha në masë të madhe është edhe i dëmshëm edhe për mediat”, shton Ahmet.
Ai thekson se paratë për reklama politike janë të kufizuara, ndërsa numri i mediave është shumë i madh.
“Mediat në mungesë të të ardhurave prej reklamave komerciale dhe në kushte të pandemisë janë të detyruara të mundohen të marrin sa është e mundur pjesën më të madhe të kulaçit për reklamim të paguar politik. Në këto kushte partitë politike do të munden t’i orientojnë paratë për reklamim në mediat që i mbështetin, ndërsa mediat që do të jenë të pavarura do të ndëshkohen me më pak para”, sqaron Ahmet.
Sipas tij, me reklamën e paguar politike, që është plotësisht e subvencionuar prej shtetit, ekziston rreziku të blihet simpatia e mediave me mjete publike, e në dëm të qytetarëve.
Naser Selmani
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.