Publikohet versioni i fundit i propozim-ligjit për ASHAAM-in, tani fjalën e ka qeveria

Мinistria për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MSHIA) e përfundoi versionin e fundit të Propozim-Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike (Propozim-ligji për ASHAAM-in). Hapi i ardhshëm është që teksti të hyjë në procedurë në qeveri, e cila duhet ta miratojë dhe pastaj ta dorëzojë propozim-ligjin përfundimtar në Kuvend.

Sipas Ministrisë, qëllimi i propozim-ligjit është departizimi dhe profesionalizimi i transmetuesit publik të radiodifuzionit, gjegjësisht Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTM) dhe organit rregullator – Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike (ASHAAM).

Në mesin e ndryshimeve më të rëndësishme janë ato që anëtarët e Këshillit të ASHAAM-it, për dallim a deri tani, do të jenë të angazhuar profesionalisht në Agjenci dhe do të marrin kompensim mujor në lartësi prej më së shumti katër rrogash mesatare mujore të paguara në Maqedoni. Me këtë rast do të kenë mandat pesëvjeçar, me të drejtë për rizgjedhje edhe për një mandat, për dallim nga zgjidhja aktuale për mandat shtatëvjeçar. Këshilli do të mund të inicojë procedurë kundërvajtëse kundër mediave ose operatorëve të rrjeteve elektronike komunikuese publike.

Propozim-ligji, si risi, ndalon edhe emetim të programeve, të cilat, përveç rrezikimit të sigurisë nacionale ose nxitjes së prishjes së dhunshme të rendit kushtetues ose konfliktit të armatosur, përmbajnë diskriminim ose përhapin mosdurim dhe urrejtje mbi çfarëdo baze.

Poashtu, programi i radiove dhe televizioneve brenda një dite patjetër duhet të përfshijë 30 për qind program burimor të krijuar si vepër nga Maqedonia, ndërsa për RTM-në kjo përqindje është 40 për qind.

Ligjin e vendos financimin e RTM-së, ASHAAM-it dhe NP Radiodifuzioni i Maqedonisë në nivelin prej 0,7  deri në një për qind të buxhetit shtetëror. Niveli prej 1 për qind do të bëhet rregull prej vitit 2021.

Nga paratë shtetërore, 74,5 për qind do të shkojnë për RTM-në, 19,5 për qind për Radiodifuzionin e Maqedonisë, ndërsa gjashtë për qind për agjencinë. RTM-ja edhe më tutje do të mund të emetojë reklama të paguara komerciale.

Me këtë propozim-ligj hiqet mundësia për reklama nga organet shtetërore në formë procedurave jotransparente dhe procedurave me përjashtime dhe pamundësohet dukuria që qeveria të jetë reklamues dominant në media.

Televizioni nga transmetuesi publik i radiodifuzionit do të ketë së paku një kanal në gjuhën maqedonase, një kanal në gjuhën shqipe dhe një kanal për nacionalitetet e tjera, ndërsa Radioja do të ketë dy kanale në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e bashkësive të tjera etnike.

Anëtarët e Këshillit programor të RTM-së do t’i emërojë dhe do t’i shkarkojë Kuvendi.

Propozim-ligji është përgatitur nga MSHIA-ja dhe përfaqësuesit e sferës mediatike. Siç sqaruan nga ministria, në të janë përfshirë disa nga propozimet e fituara nëpërmjet Regjistir të vetëm nacional elektronik (ENER), ku propozim-versioni paraprak u publikua më 4 nëntor të këtij viti dhe të interesuarit gjatë 26 ditëve kishin mundësi që japin komente dhe propozime.

Procesi filloi më 14 korrik të këtij viti, me debatin e parë publik. Debati i dytë u mbajt më 20 nëntor.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.