Qeveria paraprake ka shpenzuar mbi 31 milionë euro nga buxheti i shtetit për reklamimin e potencialeve afariste të vendit në mediat e huaja, njoftoi në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Në konferencën për shtyp, Boshnjakovski i publikoi të dhënat për shumat nga buxheti, të cilat qeveria paraprake i ka harxhuar për tërheqjen e investimeve të huaja në vend.
Siç theksoi zëdhënësi i qeverisë, bëhet fjalë për mbi 130 milionë të harxhuara.
Përveç shpenzimeve për reklama në mediat e huaja, qeveria paraprake e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe nga kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski, për tërheqjen e investimeve të huaja në mediat e vendit ka paguar 12,5 milionë euro, për të ashtuquajturat “road show” janë harxhuar 5,6 milionë euro, ndërsa promovuesit ekonomikë u kanë kushtuar qytetarëve dhe shtetit 12,5 milionë euro.
“Si të ardhura plotësuese, pagesa e qirasë së banesës, qiraja dhe shpenzime të tjera, ministrave pa resor të cilët kanë qenë të angazhuar me investimet e huaja, u janë paguar 2,8 milionë euro jashtë rrogës bruto mujore”, thonë nga qeveria.
Para dy ditësh, në një konferencë për shtyp qeveria njoftoi se janë harxhuar 225 milionë euro për hyrjen e 25 kompanive të huaja, të cilat kanë realizuar 20.000 punësime.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.