Qeveria komunikon me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale dhe nëpërmjet transmetuesit publik të radiodifuzioni RTM, dhe nuk ka ndërmend të harxhojë para buxhetore, theksoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski në pyetjen e agjencisë “Meta” se a do të paguajë qeveria reklama kur do të komunikojë me publikun nëpërmjet transmetuesit publik të radiodifuzionit RTVM dhe a planifikon të paguajë për produksionin e klipeve reklamuese ose të publikimeve që do të plasohen si reklama në “Facebook”, “Twitter” dhe në rrjetet e tjera sociale.
Boshnjakovski, i cili kohët e fundit, madje edhe para se të dërgohet komunikata zyrtare për vendimet në mbledhjet e qeverisë, me një video nëpërmjet “Twitter”-it njoftoi disa vendime të rëndësishme nga mbledhja, dhe thotë se së shpejti do të fillohet me dhënien e përgjigjeve për qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale.
– Sektori për marrëdhënie me publikun i qeverisë planifikon që në të ardhmen ta shtojë komunikimin dykahësh me qytetarët në rrjetet sociale, duke u përgjigjur në mënyrë intensive në porositë dhe komentet, duke u parashtruar pyetje qytetarëve, duke hapur diskutime dhe duke bërë hulumtime onlajn, si vegël për inicimin e kyçjes së qytetarëve në sjelljen e politikave nga qeveria. Për komunikimin e këtillë me qytetarët, si dhe për komunikimin nëpërmjet transmetuesit publik të radiodifuzionit RTVM, qeveria nuk do të harxhojë para – thotë zëdhënësi i qeverisë.
Sipas Boshnjakovskit, personat e angazhuar në Sektorin për marrëdhënie me publikun të qeverisë “punojnë intensivisht për krijimin e procedurave, protokolleve dhe rregulloreve për komunikim nëpërmjet mediave të reja, të cilat nuk kanë ekzistuar deri tani”.
Në ndërkohë, qeveria me qytetarët komunikon nëpërmjet rrjeteve sociale, edhe atë nëpërmjet “Facebook”-ut, “Twitter”-it dhe “Instagram”-it dhe shpërndan fotografi në “Flickr” dhe video në “Youtube”.
– Në të ardhmen planifikojmë të hapim edhe kanale të reja të komunikimit në rrjetet sociale – sqaron Boshnjakovski.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.