Qeveria me protokoll: Ngjarjet mund të zgjasin deri gjysmë ore, gjysma e kohës të jetë për pyetje të gazetarëve

Për të mundësuar punë të papenguar të punonjësve mediatik dhe të tjerëve të pranishëm në ngjarje publike, Qeveria në seancën e sotme miratoi Protokoll të posaçëm për mbajtje të ngjarjeve me prezencë mediatike. Protokolli do të përmbajë dy pjesë, udhëzime të përgjithshme për të gjitha ngjarjet publike dhe pjesë të veçantë që ka të bëjë me ngjarje që organizohen nga institucione qeveritare, transmeton Portalb.mk.

Sipas udhëzimeve të përgjithshme, ndër tjersh, nëse ngjarja zhvillohet në vend të hapur, gjithë të pranishmit detyrimisht dhe tërë kohën duhet të mbajnë maska mbrojtëse, të sigurohen dy mikrofona ndarazi, njëri për folësin, kurse tjetri për punonjësit mediatik që parashtrojnë pyetje dhe ato të dezinfektohen para dhe pas përfundimit të ngjarjes dhe gjatë ndërrimit të folësit. Nëse nuk ekzistojnë kushte teknike për zërim, mikrofonat e gazetarëve të vendosen në një vend (bazament, foltore, fizikisht të ndarë nga punonjësit mediatik). Nëse ngjarja është në terren, të respektohen masat bazë për mbrojtje dhe distancë prej së paku dy metrave, krejt kjo për të siguruar distancë dhe të parandalohet grupim, gjithmonë kur kjo është e mundur, të sigurohen karrige për gazetarët, që në mënyrë më efektive të mbahet distanca përkatëse.

Nëse kushtet e motit dhe ato hapësinore nuk lejojnë ngjarje me prezencë mediatike në të hapur, të njëjtat mbahen nëpërmjet veglave digjitale për inkuadrim të drejtpërdrejtë. Rekomandimi është që ngjarjet në hapësirë të mbyllur të mos zgjasin më tepër se tridhjetë minuta, me ç’rast nëse ngjarja parasheh pyetje nga gazetarët, së paku gjysma e kohës të parashihet për ato.

Për pjesën e veçantë që ka të bëjë me ngjarje të cilat janë nën organizim të institucioneve qeveritare, kameramanëve dhe fotoreporterëve u rekomandohet të ndërmarrin video-material dhe fotografi nga organizatori i ngjarjes, kjo për të zvogëluar numrin e personave të pranishëm si dhe të pranishmit të mbrohen nga grupimi.

Gazetarëve dhe kameramanëve u mundësohen opsione edhe për t’i parashtruar pyetjet nëpërmjet zëdhënësit ose personit të angazhuar për marrëdhënie me publikun dhe në formë elektronike, për të marrë përgjigje me shkrim nga e-mail adresa zyrtare. Përgjigja duhet të dërgohet në afatin sa më të shkurtë të mundur nga përfundimi i ngjarjes, gjatë ditës së njëjtë, ose më së shumti për tre ditë nëse është e nevojshme të grumbullohen informata nga më tepër institucione.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.