Këshilli i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAV) në mbledhjen e djeshme miratoi konkluzion për ngritje të procedurave për kundërvajtje pranë gjykatës kompetente kundër televizioneve Tellma dhe Alsat-M, ndërsa procedurë identike për kundërvajtje do të vijon edhe kundër programit të parë të Radio Maqedonisë për shkelje të heshtjes zgjedhore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Të tre mediat e kanë shkelur nenin 76-b paragrafi (3) të Kodit zgjedhor, përkatësisht gjatë heshtjes zgjedhore kanë publikuar materiale audiovizuele për bartës të funksionit në organet e pushtetit i cili njëkohësisht ka marrë pjesë në fushatë të një pjesëmarrësi në procesin zgjedhor.
Sipas raporteve të publikuara të ASHMAV, programi i parë i Radio Maqedonisë në disa edicione ditore informative ka emituar radio shtojca më 14 korrik me deklarata të ministrit teknik për Punë të Brendshme, Naqe Çulev për aktivitete të MPB-së për parandalim të krimit potencial lidhur me procesin zgjedhor. Çulev ka rol të bartësit të funksionit në organet e pushtetit, thuhet në raportin e ASHMAV.
Shkelje identike më 13 korrik dhe 14 korrik kanëbërë televizionet Tellma dhe Alsat-M, të cilat në edicionet ditore informative kanë emituar shtojca lidhur me gjendjen me koronavirusin dhe me aktivitetet e autoriteteve shëndetësore me deklaratë të ministrit për Shëndetësi, Venko Filipçe, i cili gjithashtu ka rol të bartësit të funksionit në organet e pushtetit.
Inicimi i procedurës për kundërvajtje nga ASHMAV për tre mediat për shkelje të heshtjes zgjedhore nënkupton që gjyqi do të duhet ta përcaktojë lartësinë gjobës që do të shqiptohet për Radio Maqedonia, TV Tellma-s dhe Alsat-M.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.