RDM-ja ndërmjet humnerës dhe lojtarit serioz në emetimin e kanaleve digjitale

Radiodifuzioni i Maqedonisë (RDM), gjatë viteve të kaluara ka funksionuar me më pak mjete se sa ato që janë paraparë, për shkak të taksës së papaguar për radiodifuzion, që ka shkaktuar krizë kur janë në pyetje investimet e mëdha. Nga ana tjetër, njohësit e kësaj fushe janë të bindur se RDM-ja, për të cilën tani do të ndahen mjete drejtpërdrejtë nga buxheti, ka kapacitete të mjaftueshme të emetojë më shumë se sa tre kanalet e Radiotelevizionit të Maqedonisë. Me këtë do të kontribuohej për zvogëlimin e çmimeve për transmetimin e sinjalit digjital të televizioneve nacionale, të cilin tani e emeton operatori privat.

Milena Atanasoska-Manasieva – PINA

Radiodifuzioni i Maqedonisë (RDM), institucioni përgjegjës për transmetimin e sinjalit të programeve të “Radiotelevizionit të Maqedonisë”, në disa nga katër vitet e kaluara, ka funksionuar pothuajse me gjysmën e mjeteve të cilat është dashur t’i marrë nga taksa për radiodifuzion. Edhe drejtori aktual, edhe ai i mëparshëm, i këtij institucioni për PINA-n i konfirmuan këto informata dhe deklaruan se nuk kanë mundur të planifikojnë asnjë investim, pasi që as që e kanë ditur se sa mjete do të transferohen në llogarinë e RDM-së. Nga ana tjetër, ata thonë se nëse shteti ka strategji për zhvillimin e tyre, do të mundej, përveç transmetimit të kanaleve të RTM-së, të ofrojnë çmime të volitshme për transmetimin edhe të televizioneve nacionale. Propozojnë që televizionet ato mjete t’i investojnë për program më cilësor.

6 milionë euro të paarkëtuara nga taksa për radiodifuzion

Sipas të dhënave të cilat i morëm, nga 4,5 milionë eurot e planifikuara nga arkëtimi i taksës për radiodifuzion në vitin 2013, RDM-ja ka marrë vetëm 2 milionë euro. Vitin e kaluar, kanë pritur të marrin 3,3 milionë euro, ndërsa kanë marrë 2,6 milionë euro. Momentalisht, ata kanë mjete të paarkëtuara nga taksa për radiodifuzion në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh. Mirëpo, RDM-ja gjendet edhe në listën e borxhlinjve të DHP-së, me borxh prej pothuajse gjysmë milionë eurosh.


Si ka funksionuar ky institucion shtetëror gjatë viteve të kaluara, me cilat probleme është ballafaquar dhe cili është rezultati nga “mbijetesa” e tij?

– Kur nuk mund t’i planifikosh mjetet, gjegjësisht kur nuk e di se me sa para do të funksionosh brenda vitit, nuk mund të planifikosh përparim të ndërmarrjes. Si rezultat i kësaj janë veturat e vjetruara, shtyllat e vjetruara të antenave, thjesht nuk kemi pasur para për investime kapitale, por vetëm për mirëmbajtje të rregullt – thotë drejtori, Abdulla Bajrami.

Edhe pse kanë marrë mjete nga qeveria për realizimin e digjitalizimit, e poashtu edhe nga qiratë, megjithatë nuk janë blerë pajisje të reja.

Bajrami potencon se me mënyrën e re të financimit, gjegjësisht me përqindje nga buxheti shtetëror, së paku do ta dinë se sa para do të kenë. Me ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike RTM-ja, RDM-ja dhe ASHAAM-i, do të marrin gjithsej 0,7 për qind nga buxheti i përgjithshëm shtetëror, gjegjësisht RDM-së do t’i takojnë 19.5 për qind.

– Ajo për të cilën kemi nevojë në të ardhmen është të fokusohemi në investime në infrastrukturë, sanim dhe rikonstruim të shtyllave të antenave, rrugëve, investim në vetura. Objektet tona gjenden në pikat më të larta të vendit, na nevojiten vetura, pajisje. Kemi shtylla që janë të vjetra edhe nga 40 vite. Për projekte kapitale do të na duhen mjete shtesë – thotë Bajrami.

Operatorët sinjalin e marrin drejtpërdrejtë nga RTM-ja

Sinjali i programeve të “Radiotelevizionit të Maqedonisë” emetohet nëpërmjet RDM-së dhe operatorët privatë do të duhej ta merrnin pikërisht prej saj. Mirëpo, pothuajse të gjithë e marrin drejtpërdrejtë prej RTM-së, me çka praktikisht zvogëlohet roli i këtij institucioni.

– Për fat të keq RDM-ja është duke u zhdukur, mu për faktin se operatorët privatë nuk e marrin sinjalin e programeve të RTM-së prej saj – thotë profesori Mario Makraduli nga Fakulteti për elektroteknikë dhe teknologji të informacionit.

Ai sqaron se RDM-ja punon vetëm me atë që emetohet në hapësirë të lirë, gjegjësisht sinjalin që mund të kapet vetëm me antenë.

–  Ajo tani ekziston vetëm për mbulim maksimal të gjithë territorit me sinjal. Provajderëve nuk u paguhet që të investojnë në pajisje për ndonjë fshat malor ku kanë vetëm dy shfrytëzues. Për rajonet e tilla, të largëta, rurale, të izoluara, pritet që sinjali të pranohet me antenë nga RDM-ja. Në mjediset urbane pothuajse edhe nuk ka shfrytëzues të tillë. Mirëpo realisht, numri i shfrytëzuesve është në proporcion të zhdrejtë me territorin. Ka territor shumë të madh dhe shumë pak shfrytëzues realë – thotë Makraduli.

Ai sqaron se në Gjermani është sjellë ligj me të cilin parashihet që të mos ndërtohet distribuim i sinjaleve televizive nëpërmjet sistemit të antenave dhe se nuk do të investohet për ndërtimin e objekteve të reja.

– Asnjë fëmijë i vogël që do të jetë shfrytëzues pas 10 vitesh nuk është mësuar që të presë gjysmë ore për ta parë emisionin që e pëlqen. Ai dëshiron ta shohë atë menjëherë. Prandaj koncepti i sistemit të antenave është në zhdukje – thotë ai.

Konfirmim se operatorët privatë sinjalin e marrin drejtpërdrejtë prej RTM-së morëm edhe nga vetë RTM-ja.

Cane Petrushevski, udhëheqësi i sektorit për teknikë televizive në RTM, thotë se sinjali prej tyre shkon në RDM, e prej atje duhet ta marrin operatorët.

– Mirëpo, shumica e operatorëve, sinjalin e marrin drejtpërdrejtë nga RTM-ja, e jo nëpërmjet RDM-së. Kërkuan që sinjalin ta marrin drejtpërdrejtë prej nesh, e pasi që nuk kishte ndonjë pengesë ligjore, e morën atë. Për shkak se RDM-ja praktikisht nuk e shërben gjithë territorin, në një farë mënyrë është e rrezikuar, mirëpo pa të nuk do të ketë televizion në çdo fshat të vendit ku operatorët privatë nuk ofrojnë shërbime – sqaron Petrushevski.

Megjithatë, ai thekson se roli i RDM-së mund të shuhet në qoftë se ajo nuk transformohet ose nëse nuk u mundësohet që të dalin në treg dhe t’i marrin edhe multiplekset tjera, me ç’rast do të kishin mundësi që t’i emetojnë edhe televizionet e tjera nacionale.

Nuk është e logjikshme të zhdukemi, ne ofrojmë shërbime në gjithë territorin

Drejtori i RDM-së, Bajrami sqaron se nëpërmjet tyre sinjali kapet me antenë të zakonshme dhe është digjital, ndërsa te operatorët privatë ai transmetohet nëpërmjet kabllos.

-Ato nuk ofrojnë shërbime në gjithë territorin, ndërsa ne po. Unë them se cilësia e sinjalit tonë është më e mira. Në një kanal prej tetë megahercësh lëshojmë tre kanale, tre HD tre standarde. Ndërsa një operator privat, për shembull, në hapësirën e njëjtën fut më tepër kanale dhe kjo reflektohet në cilësinë e tyre – thotë Bajrami.

Ai është i sigurt se kjo kompani nuk mund të zhduket për shkak se pa të nuk do të mund të shërbehen të gjithë qytetarët, e poashtu nëpërmjet tyre sigurohet edhe sinjal analog për radiot.

– Nuk është e logjikshme që ne të zhdukemi. Operatorët komercialë mund ta shkyçin ndonjë televizion kur të duan. Ata me siguri nuk do të investojnë resurse për tre banorë të ndonjë fshati malor. Kjo është detyrë e jona, të gjithë të kenë sinjal të RTM-së. Është çështje tjetër që televizionin mund ta fusin në kanal me kapacitet të dobët, dhe pastaj të ketë fotografi jocilësore – thotë Bajrami.

A munden operatorët privatë sinjalin ta marrin drejtpërdrejtë nga RTM-ja apo duhet patjetër ta marrin atë nga RDM-ja, pyetëm në Agjencinë për komunikime elektronike. Prej atje na thanë se në Ligjin për komunikime elektronike nuk është definuar se si operatorët duhet ta marrin sinjalin e transmetuesit publik.

Në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike, në nenin 108 është paraparë vetëm se çka duhet bërë në qoftë se për shkak të problemeve teknike, RDM-ja nuk ka mundësi t’i transmetojë shërbimet programore të RTM-së. Në atë rast, ato mund t’i transmetojë ndonjë operator tjetër në rrjetin publik të komunikimeve në bazë të marrëveshjes së nënshkruar paraprake me RTM-në, pas procedurës së realizuar për furnizim publik në përputhje me ligjin.

Televizionet nacionale paguajnë shumë, tregu është i monopolizuar

Njohësit e kësaj fushe janë të bindur se RDM-ja, për të cilën tani do të ndahen mjete drejtpërdrejtë nga buxheti, ka kapacitete të mjaftueshme që të emetojë më shumë se tre kanale. Në atë mënyrë do të zvogëloheshin çmimet për transmetimin e sinjalit digjital nga operatorët privatë dhe do të kishte kushte shumë të më favorshme për televizionet nacionale. Profesori universitar, Sefer Tahiri, i cili është njohës i mirë i veprimtarisë radiodifuzive, sqaron se që nga qershori i vitit 2013 kemi monopol të mbështetur nga qeveria e mëparshme në procesin e digjitalizimit, e ajo është kompania “ONE – Shërbime të telekomunikimit SHPK Shkup”.

– Ato e fituan tenderin për emetim digjital të televizioneve terestriale në Maqedoni. Për shkak se bëhet fjalë për monopol të kësaj kompanie, çmimet që i paguajnë televizionet nacionale dhe ato rajonale janë shumë të larta. Fakti që “One-Vip” ka monopol do të thotë se në çdo moment ajo mund ta rrisë çmimin për transmetimin e televizioneve komerciale. Gjithsesi kjo sferë duhet të demonopolizohet – konsideron Tahiri.

Sipas tij, pikërisht Radiodifuzioni i Maqedonisë, e cila është ndërmarrje shtetërore, mund të jetë njëra nga ofrueset e shërbimeve për emetim digjital, për shkak se tani kapacitetet e saj shfrytëzohen vetëm për t’i emetuar kanalet e transmetuesit publik.

– Mundësimi i transmetimit të televizioneve nëpërmjet RDM-së me çmime optimale nënkupton edhe zvogëlim të çmimeve për transmetim të sinjalit digjital, e nga ana tjetër RDM-ja do të sigurojë mbulim të plotë me sinjal të territorit të vendit. Ka mjedise rurale që nuk janë të mbuluara me sinjal dhe kanalet që janë falas në eter nuk mund të ndiqen dhe në atë rast qytetarët detyrohen të lidhen me operatorët kabllovikë – konsideron Tahiri.

Këtë vendim, sipas tij, qeveria duhet ta shqyrtojë si opsion, për shkak se mjetet që do t’i kursenin, mediat do të shfrytëzonin për zhvillimin e teknologjisë dhe për përmirësimin e cilësisë së programit.

– Teknologjia e RDM-së gjithsesi se është e vjetruar për shkak se gjatë këtyre viteve nuk është investuar për zhvillimin e saj. Megjithatë nëse asaj i jepen më tepër mundësi për të ofruar shërbime, ajo mund të zhvillohet si ndërmarrje publike. Gjithsesi në buxhet duhet të parashihen më tepër mjete për qëndrueshmërinë e saj financiare, me qëllim që nëse i jepet mundësi për transmetim të sinjalit digjital, ajo të jetë në trend me rrjedhat bashkëkohore dhe qytetarëve t’u ofrojë sinjal cilësor – konsideron Tahiri.

Edhe drejtori i mëparshëm i RDM-së, deputeti aktual në Kuvend, Kostadin Acevski, thotë se ky institucion ka mundësi dhe resurse që t’i transmetojë edhe televizionet e tjera nacionale.

– Kapacitetet mund të zgjerohen edhe për më tepër kanale të specializuara të RTM-së. Mirëpo, për ne do të ishte mirë që t’i transmetojmë të gjitha televizionet nacionale, në atë rast do të duhej vetëm një zgjerim i vogël, mirëpo nëse shteti ka strategji nacionale. Në njëfarë mënyre kjo mund të jetë investim i shtetit për zhvillimin e mediave. Për to mund të ofrohet, për shembull, edhe ndonjë çmim i volitshëm –  thotë Acevski.

E kanë realizuar projektin “Kompjuter për çdo fëmijë”, mirëpo nuk kanë fituar asnjë denar

Radiodifuzioni i Maqedonisë nuk ka funksionuar vetëm me mjetet e paarkëtuara nga taksa për radiodifuzion, por kanë pasur probleme edhe me arkëtimin e parave, e poashtu kanë punuar edhe falas.

– Shumë pak njerëz e dinë se nëpërmjet nesh u realizua projekti “Kompjuter për çdo fëmijë” për shkollat fillore. Mjetet na u transferuan neve, ne ishim implementues, ne ishim mbështetje teknike. Kuadri ynë punonte, e ne nuk morën asnjë denar për këtë, së paku të na mbeteshin para për një veturë, apo ta paguanim së paku amortizimin – na thotë drejtori i mëparshëm Acevski.

Kanë pasur problem edhe me arkëtimin e parave për shërbimet që ua kanë ofruar radiove komerciale për sinjalin e tyre.

– “Radio Maqedonia e Lirë” nuk ka paguar që nga themelimi i saj, e pastaj kishim marrëveshje jashtëgjyqësore, pas të cilës na paguan. Mirëpo, pastaj përsëri nuk paguanin, dhe përsëri bëmë një marrëveshje, dhe para pak kohësh na e paguan gjithë borxhin. Radiot tjera paguajnë rregullisht dhe më duhet të theksoj se çmimet janë simbolike – thotë drejtori Bajrami.

Për fotografinë e keqe të RTM-së fajtorë janë provajderët

A e keni vërejtur se fotografia e kanaleve të “Radiotelevizionit të Maqedonisë” ose cilit do qoftë kanal tjetër nuk është e njëjtë te ju dhe fqinjët tuaj? A duket bari i terrenit gjatë ndeshjes së ekipit tuaj të preferuar sikur tepih, apo si një sipërfaqe e njollosur me të gjelbër? Kjo është ashtu për shkak se operatori që u shërben, në një hapësirë shumë të vogël vendos shumë kanale, dhe cilësia e tyre zvogëlohet.

Profesori Makraduli thotë se digjitalizimi mundëson në hapësirën e frekuencës së njëjtë të futen më tepër sinjale televizive. Zakonisht janë tetë, nëse bëhet fjalë për nivel standard të cilësisë. Nëse bisedohet për nivel të lartë të cilësisë – HD, atëherë numri i shërbimeve programore varet nga cilësia që dëshiron ta ofrojë provajderi.

– Mund të futen një ose dy kanale. Mirëpo, nëse futen më tepër atëherë bie cilësia e tyre. Provajderët ofrojnë pako me numër të ndryshëm të kanaleve, mirëpo që të fusin më tepër kanale, ata e bëjnë fotografinë më të paqartë. Ata fusin 100 kanale në hapësirë të njëjtë, mirëpo me cilësi më të dobët. Për pjesën më të madhe të shfrytëzuesve më me rëndësi është numri i kanaleve që do të kenë mundësi t’i shohin, se sa cilësia e tyre – thotë Makraduli.

Prandaj, ai konsideron se duhet të ketë mbrojtje më të madhe të shfrytëzuesve, të bëhen matje të cilësisë së distribuimit të fotografisë deri te shfrytëzuesit e fundit, për shkak se, sipas tij, është e qartë se disa provajderë nuk kanë pajisje teknike që do të ofrojë cilësi të mirë të fotografisë.

– RTM-ja mund të dalë me fotografi të shkëlqyeshme, mirëpo në qoftë se atë e futni në një gazetë të thjeshtë dhe e ndrydhni atë, kur do ta dërgoni te shfrytëzuesi i fundit, ajo nuk do të jetë cilësore. A dëshironi 100 kanale, apo 30 mirëpo me cilësi kulmore? Këtu qëndron puna – thotë Makraduli.

Petrushevski, i cili punon pikërisht në pjesën teknike të RTM-së thotë se ata prodhojnë fotografi të përkryer.

– Duhet t’i akuzoni operatorët në qoftë se RTM-ja nuk ka fotografi cilësore. Ne japim fotografi të përkryer dhe nëse sinjalin e marrin drejtpërdrejtë nga RDM-ja, ajo do të jetë edhe më e mirë. Një numër shumë i vogël i operatorëve në pakot e tyre ofrojnë fotografi të RTM-së me rezolucion të lartë – thotë Petrushevski.

– Rrallë kush e di se kush është Radiodifuzioni i Maqedonisë, dhe kur u them se ku punoj, shumica komentojnë: “Aha po, ju jeni përgjegjës për taksën për radiodifuzion” – na thotë një e punësuar, deri sa jemi duke dalë nga RDM-ja, që tregon se ky institucion është pothuajse i padukshëm për qytetarët.

Mirëpo, ky institucion që duket si i padukshëm, nëse reformohet mirë dhe nëse investohet në të, mund t’u ndihmojë mjaft mediave elektronike, veçanërisht televizioneve lokale, për t’i zvogëluar shpenzimet, me ç’rast do të krijoheshin kushte për të investuar në program më të mirë dhe në gazetari hulumtuese.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.