Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) thekson se Regjistri i onlajn mediave profesionale i Këshillit për etikë në medias (SEMM) dhe ShGM është hartuar në baza vullnetare dhe shërben vetëm për të promovuar dhe afirmuar mediat që i respektojnë standardet profesionale dhe kriteret e anëtarësimit në këtë regjistër.
ShGM-ja në komunikatën e lëshuar thekson që kufizimi i qeverisë, sipas të cilit mediat që nuk janë anëtare e këtij regjistri, nuk mund të marrin leje qarkullimi për të kryer detyrat e tyre në kushte të orës policore nuk është i arsyeshëm dhe justifikuar. Prandaj kërkojnë që qeveria të rishqyrtojë këtë hap.
“Mendojmë se është e rëndësishme që në kohë krize institucionet të gjejnë mënyrë që gazetarët dhe punonjësit e mediave të jenë të pranishëm në terren, për të informuar publikun nëse masat në fuqi po respektohen, por edhe të raportojnë për çështje me interes publik në përgjithësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nha ShGM.
Qeveria dje njoftoi se lejet për qarkullim gjatë orës policore t’u jepen të gjitha mediave tradicionale të regjistruara në Agjencinë e Mediave, ndërsa për onlajn mediat vetëm për ato që janë pjesë e Regjistrit të onlajn mediave profesionale ShGM dhe SEMM të publikuara në platformën www.promedia.mk.
ShGM u bëri thirrje të gjitha onlajn mediave që të jenë të vetëdijshëm për peshën e fjalës publike në momente të tilla dhe të kuptojnë se për çdo raportim eventual joprofesional përgjegjësia është e tyre, por që pasojat do t’i pësojnë qytetarët.
“Edhe një herë bëjmë thirrje për profesionalizëm dhe kujdes në publikim të informacioneve në lidhje me krizën”, thuhet në komunikatën e tyre.