“Radiotelevizioni i Maqedonisë tashmë nuk mund t’i shfrytëzojë shërbimet e Unionit evropian të radiodifuzionit për shkak të borxhit të papaguar. Kjo do të thotë se rrezikohet e gjithë skema programore e transmetuesit nacional. Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, për PINA-n thotë se nuk i dijnë borxhet e përgjithshme të televizionit, prandaj duhet të bëhet një revizion i plotë i punës financiare dhe nëse ka pasur keqpërdorime, do të ketë edhe përgjegjësi.
Milena Atanasoska – Manasieva – PINA
Shikuesit e “Radiotelevizionit të Maqedonisë” (RTM) së shpejti mund të mbeten pa kampionatet sportive evropiane, pa “Eurovizion”, pa programe të huaja, pa filma dhe pa emisione të huaja dokumentare për shkak të borxhit të mbledhur ndaj Unionit evropian të radiodifuzionit (UER). Një burim nga këshilli programor i RTM-së, i cili dëshiroi të mbetet anonim, për PINA-n zbulon se borxhi e tejkalon shumën prej 500.000 eurosh. Kjo ndoshta duket pak në krahasim me borxhin shumë të madh që i është mbledhur transmetuesit nacional gjatë viteve, dhe që është më i madh se sa të ardhurat e përgjithshme vjetore të televizionit. Në fund të vitit 2016, RTM-ja ka pasur të ardhura prej 19,3 milionë eurosh, ndërsa borxhi i përgjithshëm që është mbledhur me vite ndaj palëve të vendit dhe të huaja ka qenë 21,8 milionë euro. Dhe përderisa këto palë tani për tani nuk ankohen, nga UER-i nuk rinë duarkryq dhe përgatisin sanksione për televizionin.
RTM-ja ka borxhe për shkak të të cilave përballet me sanksione të nivelit të tretë, konfirmoi për PINA-n Kler Rejnford, përfaqësuese e lartë për marrëdhënie me publikun e UER-it.
– Për fat të keq, “Radiotelevizioni i Maqedonisë” tashmë nuk ka qasje në shërbimet tona derisa ta paguajë borxhin – thotë Rejnford, e cila nuk e zbuloi shumën e borxhit të transmetuesit nacional.
Pa sukses tentuam të marrim përgjigje për borxhin e RTM-së nga drejtori Marjan Cvetkovski. Sipas burimeve tona, konkretisht, borxhi ndaj UER-itka të bëjë me anëtarësinë vjetore, mirëpo edhe për disa të drejta programore.
Sipas të ashtuquajturit Kod për financa, që është dokument i UER-it, futja e sanskioneve të nivelit të tretë do të thotë se borxhi është më i vjetër se 270 ditë.
“Në rast se ka faturë që nuk është paguar në afat prej 270 ditësh nga dita e lëshimit të faturës, do të ndërpritet qasja deri te shërbimi, dhe këshilli ekzekutiv automatikisht do të kërkojë rekomandim nga Kuvendi i përgjithshëm për përjashtim të plotë të anëtares nga UER-i”, shkruan në dokument.
Bashkëbiseduesi ynë nga këshilli programor i RTM-së thotë se skenari i këtillë do të ishte katastrofal për transmetuesin nacional.
– Televizioni nuk do të mund të emetojë program nga asnjë anëtare e UER-it as gara sportive, emisione të huaja, filma vizatimorë, program dokumentar. Do të shkyçemi nga bota – thotë burimi.
Nga drejtori i përgjithshëm i RTM-së, Marjan Cvetkovski, nuk morëm përgjigje pse televizioni ka borxh. Borxhi i këtillë do të ishte problem edhe më i madh veçanërisht në këtë moment. Në fakt, para do kohësh, u hoq taksa për radiofuzion, ndërsa qeveria vendosi që RTM-ja të financohet nga buxheti shtetëror, me çka transmetuesi nacional gjithsesi nuk do të ketë më shumë para se sa në të kaluarën. Burimi ynë nga këshilli programor thotë se borxhi është mbledhur prej vitit 2012.
– Vitin e kaluar RTM-ja mori kredi prej 3 milionë eurosh që t’i mbulojë borxhet. Duheshte të paguhen koproduksionet e huaja dhe ato të vendit, të cilat tashmë e padisin televizionin. Borxhi duhej të kthehej në tre këste, mirëpo deri tani është paguar vetëm kësti i parë. Pse, askush nuk e di – thotë ai.
Shumë pak njerëz i lexojnë raportet financiare të televizionitshtetëror, ku nuk do ta hasni fjalën “borxh”, por me një fjalor delikat financiar përdoret fjala “obligim”. Ndërsa obligimet e RTM-së në fund të vitit të kaluar kanë qenë 21,8 milionë euro.
– Në letër, borxhet e RTM-së e tejkalojnë vlerën prej 20 milionë eurosh, mirëpo ka frikë se mund të ketë edhe borxhe të fshehura. Borxhi i mbledhur ndaj UER-it një kohë arriti edhe në rreth 2 milionë euro për anëtarësi të papaguar dhe për obligime të tjera, ndërsa transmetuesi nacional kishte edhe borxh për mirëmbajtjen e sinjalit satelitor. Si paralajamërim, sinjali u ndërpre dhe diaspora nuk kishte mundësi ta shohë televizionin e Maqedonisë – zbulon Dragan Sekullovski, drejtori i SHGM-së.
Shuma të cilën e përmend Sekullovski vërtetohet edhe në raportet financiare të televizionit.
Nga rikapitulimet e obligimeve të përgjithshme, mund të vërehet se në fund të viteve 2014 dhe 2015 ato e kanë tejkaluar vlerën prej 22 milionë eurosh, ndërsa vitin e kaluar, në fund të vitit janë zvogëluar për rreth 200.000 euro, mirëpo gjithsesi janë të mëdha se sa të ardhurat e përgjithshme që i ka realizuar televizioni.
Burimet tona zbulojnë se situata me saldon në minus të RTM-së është aq alarmante sa që janë bllokuar llogaritë, ndërsa Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike (ASHAAM) nuk ka mundur t’i arkëtojë dënimet për shkak të mosprodhimit të programit vendor.
“Radiotelevizioni i Maqedonisë” është ndërmarrja e dytë shtetërore që i ka më së shumti borxh Drejtorisë për të hyra publike (DHP). Sipas listës së borxhlive të publikuar në ueb-faqen e Drejtorisë, RTM-ja ka borxh prej pothuajse 2,2 milionë eurosh si rezultat i tatimeve të ndryshme. As Qeveria, as Kuvendi nuk kanë informatë se sa është borxhi i përgjithshëm i transmetuesit nacional. Këtë na e vërtetoi ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski.
– Ne i shohim raportet financiare, sikurse edhe gjithë të tjerët. Nuk e dimë se sa është borxhi i përgjithshëm i televizionit. Prandaj duhet të bëhet revizion i plotë i punës financiare dhe nëse ka pasur keqpërdorime, do të ketë edhe përgjegjësi – thotë Mançevski.
Nga viti i ardhshëm, RTM-ja do të fitojë 0,7 për qind nga buxheti shtetëror
Pyetje që parashtrohet logjikisht, nëse dihet se RTVM-ja është zhytur në borxhet, është se sa do të arrijë ajo të reformohet në transmetues të mirëfilltë publik me mënyrën e re të financimit? Pas heqjes së taksës për radiodifuzion, dilema kryesore ishte se sa për qind nga buxheti shtetëror do të ndahet për RTM-në: 0,5 për qind apo 0,7 për qind në vit. Spekulimet u shpeshtuan pasi në shtator, Kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, ku thuhet se për RTM-në do të ndahen 0,5 për qind nga buxheti.
Zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski, sqaron se ky ndryshim vlen vetëm deri në fund të vitit.
– Pas miratimit të propozim-ndryshimeve të reja në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, në projektimet e ardhshme buxhetore, do të parashihen 0,7 për qind. Këto 0,7 për qind do të rriten për çdo vit deri sa të arrihet limiti prej 1 për qind – thotë Boshnjakovski.
Për Shoqatën e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) është e papranueshme që qeveria të mos ndajë nga 1 për qind nga buxheti shtetëror menjëherë.
– RTM-ja ka gjithnjë e më shumë obligime, e gjithnjë e më pak para – thotë Sekullovski, drejtori i SHGM-së. Sipas tij, nevojiten ndërmjet 25 dhe 30 milionë euro që RTM-ja të shndërrohet në transmetues cilësor dhe të pavarur publik.
– Nëse televizioni deri tani ka funksionuar me 15, 16 ose 18 milionë euro në vit, dhe me këtë rast është njëra nga ndërmarrjet me borxh më të madh në Maqedoni, si do të zgjidhet problemi nëse ajo merr po aq para ose edhe më pak? Është fakt se që të jetë e pavarur, ajo duhet të ketë mjete të mjaftueshme dhe t’i servisojë borxhet ekzistuese – sqaron Sekullovski.
Sa për krahasim me atë që ndodh në rajon, ai e përmend shembullin e “Radiotelevizionit të Kroacisë”, ku mblidhen rreth 150 milionë euro nga taksa për radiodifuzion.
– Atje paguhet ndërmjet 45-50 euro për kryebanori në nivel vjetor, ndërsa në Maqedoni rreth 5-6 euro. Në vendet e Evropës Juglindore, minimumi është në Bullgari, ku ndahen nga 12 euro për kryebanori në nivel vjetor për transmetuesin publik. Kjo do të thotë se ose në Maqedoni kemi problem që ta kuptojmë konceptin e rëndësisë së transmetuesit publik, ose te ne konsiderohet se ai mund të funksionojë me shumë pak para, e gjithsesi nuk është ashtu. Nuk mund të besojmë se shteti nuk ka 30 milionë euro për RTM-në – thotë Sekullovski.
RTM-ja planifikon që vitin 2018 ta kalojë me 18 milionë euro
Me sa para deri tani ka funksionuar transmetuesi publik, e me sa të ardhura do të funksionojë vitin e ardhshëm? Si do të arrijë RTM-ja t’i kthejë borxhet, të sjellë program cilësor, mirëpo edhe të mbetet jashtë ndikimit partiak që, poashtu parashtrohet logjikisht. Ministri për shoqëri informatike, Damjan Mançevski thotë se 0,7 për qind e buxhetit shtetëror do të thotë se RTVM-ja do të fitojë mbi 19 milionë euro.
Mirëpo, sipas ligjit, nga kjo shumë për TVM-në do të mbeten 74,5 për qind për shkak se pjesa tjetër shkon për Radiodifuzionin e Maqedonisë dhe ASHAAM-in. Kjo do të thotë se për televizionin nacional do të ketë ndërmjet 15 dhe 16 milionë euro. Mançevski nuk ka përgjigje konkrete në pyetjen se a mjaftojnë këto para.
– Ky është plani tani për tani. Buxheti është ky dhe transmetuesi publik do të duhet të funksionojë me këto para – thotë shkurt Mançevski.
“Radiotelevizioni i Maqedonisë” në Propozim-planin për programin vjetor për punë në vitin 2018, planifikon të ardhura prej pothuajse 18 milionë eurosh, nga të cilat 16 milionë drejtpërdrejtë nga buxheti shtetëror, siç tha edhe Mançevski në deklaratën për PINA-n.
Bashkëbiseduesit tanë konsiderojnë se kjo nuk mjafton aspak për transmetuesin publik. SHGM-ja mbetet në qëndrimin se buxheti për televizionin shtetëror duhet të jetë ndërmjet 25 dhe 30 milionë euro. Ish-kryeredaktori i porgramit të parë, Dime Ratajkovski, deklaroi se transmetuesi publik deri tani në nivel vjetor nga taksa për radiodifuzion dhe nga mjetet e qeverisë, disponon me buxhet prej rreth 15-16 milionë euro.
– Kjo është shumë pak për funksionim cilësor të RTM-së, sipas standardeve evropiane. Nga konsultimet që i bëra me departamentin për financa, televizioni ka nevojë për jo më pak se 20 milionë euro në vit. Financat nevojiten për prodhimin e programit, pagesën e borxheve të rregullta dhe atyre të vjetra, për rroga – thotë Ratajkovski.
Nëse shihen analizat e ASHAAM-it që janë bërë nga raportet financiare të RTM-së, ajo në vitin 2016 ka realizuar të ardhura prej 19,3 milionë euro, që është njëri nga nivelet më të ulëta në vitet e fundit. Në vitin 2015 ka mbledhur të ardhura prej 20,8 milionë euro. Përveç taksës për radiodifuzion, televizioni ka marrë edhe dotacione të drejtpërdrejta nga qeveria. Nga DHP-ja morëm përgjigje edhe për atë se sa para kanë arritur të arkëtojnë nga taksa për radiodifuzion, kështu që kur do të mblidhen gjithë të ardhurat, përfundimi është se edhe me mënyrën e re të financimit, RTM-ja do të fitojë përafërsisht shumë të njëjtë siç ka fituar edhe deri tani.
A paraqet heqja e taksës për radiodifuzion hap përpara në avancimin e sferës mediatike në vend apo jo? Si do të bëhet RTM-ja e pavarur dhe jashtë kontrollit të cilës do qoftë parti që është në pushtet, nëse paratë i fiton drejtpërdrejtë nga buxheti? Këto janë dilemat për të cilat ka debate ndërmjet gazetarëve dhe analistëve edhe në rrjetet sociale. Gazetari Xvezdan Georgievski konsideron se heqja e taksës për radiodifuzion është hap që, jo vetëm që nuk e avancon sferën mediatike në Maqedoni, por edhe e kthen prapa. Sipas tij, “Radiotelevizioni i Maqedonisë” është shërbim publik, ndërsa shërbimi publik i takon publikut dhe ai (publiku) duhet të kujdeset për të dhe t’ia sigurojë legjitimitetin dhe pavarësinë. Nëse financimin e merr përsipër pushteti ekzekutiv, i cili nuk është publiku dhe interesat e të cilit (pushtetit) jo rrallë janë të kundërta me interesin publik, sipas Georgievskit, do të kemi problem të madh.
– Pushteti ekzekutiv, në rastin më të mirë, mund t’i mbrojë interesat e atyre që e kanë zgjedhur, gjegjësisht të votuesve të tij, ndërsa më shpesh i mbron interesat e partisë (partive) që e udhëheqin atë. Ndoshta mundemi me utopi të supozojmë se do të paraqitet ndonjë qeveri (ja edhe kjo aktualja) që do ta kenë virtytin për ta ruajtur autonominë dhe rolin e transmetuesit publik, mirëpo kush thotë se nesër ajo nuk do të zëvendësohet me ndonjë qeveri tjetër që do të ketë ide krejtësisht tjera për funksionimin e RTM-së. Dihet: kush i ka paratë, ai udhëheq – konsideron Georgievski.
Ai shton edhe se me këtë zgjidhje sistemore, jo vetëm që nuk eliminohet partizimi i RTM-së, por ai fundamentalizohet. Ai pajtohet se mënyra dhe diapazoni i pagesës së taksës nuk është zgjidhja më e mirë, mirëpo zgjidhje më e mirë do të ishte përsosja e tij, e jo një masë e këtillë populiste, e cila në esencë, është e dëmshme.
Ratajkovski konsideron se mënyra e re e financimit do të shkaktojë jo vetëm varësi më të madhe, por varësi të plotë të transmetuesit publik nga qeveria.
– Nëse e kaluara ishte tregues për varësinë indirekte nga qarqet qeveritare, për arsye dhe interesa të ndryshme, e këtu në plan të parë e potencoj mungesën e rregullativës përkatëse ligjore ose ligjin e keq për rregullimin e transmetuesit publik dhe të sferës mediatike që e kemi tani, masa e këtillë çon në varësi të drejtpërdrejtë dhe në arsyetimin e epitetit “televizion qeveritar” – thotë Ratajkovski.
Këshilli programor “largohet” bashkë me ligjin e ri
Shoqata e gazetarëve e mbështeti vendimin e qeverisë për heqjen e taksës për radiodifuzion, mirëpo nuk pajtohet me përqindjen e paraparë nga buxheti shtetëror për televizionin.
Ministri Mançevski sqaron se mënyra paraprake e financimit ka shkaktuar partizim të plotë të transmetuesit publik dhe se kjo duhet të evitohet krejtësisht me ndryshimet e reja ligjore të Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike.
– RTM-ja ishte vënë në pozitë të varësisë së plotë politike për shkak se duheshte ta lusnin qeverinë për para plotësuese. Tani do të marrin shumë fikse, e cila nuk do të varet prej askujt dhe prej asgjëje. Këstet do t’u paguhen pa vendimin e askujt, nëse duan për çdo muaj, apo në tre muaj, ashtu si do të vendosin ata, ashtu do të jetë – thotë Mançevski.
Me ndryshimet e reja planifikohet edhe liberalizimi i zgjedhjes së anëtarëve të këshillit programor, me atë që do të zgjidhen profesionistë të fushës, të cilët do të duhet të kenë edhe mbështetje nga një minimum i faktorëve nga fusha e mediave.
– Më e rëndësishme dhe risi është ajo se para se të bëhet zgjedhja, do të ketë prezantim serioz publik të këtyre kandidatëve. Do të ketë debat publik, publiku do ta dijë se kush janë ata, e do të duhet edhe vetë të prezantohen publikisht, me plan dhe program për punë – thotë Mançevski.
Ai potencon se nuk do të pritet që t’u kalojë mandati anëtarëve të vjetër të këshillit programor, por pasi të votohet ligji i ri, do të ketë udhëheqësi krejtësisht të re të RTM-së dhe këshill të ri programor.
Edhe SHGM-ja i ka dorëzuar kërkesat e veta në lidhje me ndryshimet ligjore për mënyrën se si do të zgjidhet këshilli programor me qëllim që të sigurohet pavarësia e tij.
– Me këtë ligj duhet të evitohet që në këshill të ulen njerëz që kanë konflikt të interesave. Sipas njohurive tona, tani së paku katër persona nuk i plotësojnë kriteret ose kanë konflikt të interesave për shkak se janë aktivë në ndonjë parti. Për shembull, zëdhënësi i një komune, një ish-ambasador… Me këtë rast ata janë të anshëm gjatë marrjes së vendimeve sa i përket këshillit programor – thotë Sekullovski.
Sigurimi i mjeteve të mjaftueshme për funksionimin e pavarur të RTM-së është edhe njëra nga kërkesat kyçe të Bashkimit Evropian, që është përmendur edhe në raportet e ekspertit evropian Rajnhard Pribe. Përforcimi i pavarësisë dhe i kapacitetit të organit rregullator të mediave dhe i transmetuesit radiodifuziv publik është obligim që qeveria e mori përsipër edhe me planin “3-6-9”.
Zëdhënësi i qeverisë, Boshnjakovski konsideron se me propozimin e ri për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, në mënyrë transparente përcaktohen zgjedhja dhe emërimet e organeve udhëheqëse të transmetuesit publik. Kjo, sipas tij, do të sigurojë departizim të plotë të RTM-së, si dhe emërim të personave profesionistë në pozitat kyçe.
Çështje me të cilat seriozisht do të duhet të merret udhëheqësia e re e transmetuesit publik janë edhe ato se sa është borxhi i televizionit dhe si të kthehet ai, a janë harxhuar ato para në mënyrë ligjore dhe në përputhje me planet e punës, mirëpo edhe si RTM-ja të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo të partisë në pushtet.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.