Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon qëndrimin e oficerëve të policisë së sigurisë dhe atyre që janë përgjegjës për protokollin e ministrit për punë të brendshme, NaqeÇulev ndaj gazetarit të TV Klan, Furkan Saliu gjatë ngjarjes së djeshme të organizuar nga MPB për shënimin e Ditës sëpolicisë, transmeton Portalb.mk.
“Sigurimi i ministrit duke shkelur Kodin e sjelljes së oficerëve të policisë (neni 19 sipas të cilit policia ka detyrim të krijojë marrëdhënie profesionale me mediat dhe gazetarët) në mënyrë krejtësisht të pahijshme përpiqej të largonte gazetarin Saliu nga Ministri Çulev sepse ai donte t’i bëj një pyetje. Sipas Saliut, disa oficerë policie të pauniformuar madje pohuan se ata duhet “t’i japin një leksion atij”, që është kërcënim i drejtpërdrejt ndaj gazetarit dhe është i papranueshëm për çdo nëpunës civil”, thuhet në komunikatën e SHGM-së.
SHGM kërkon nga Departamenti për kontrolltë brendshëm në MPB që menjëherë të hetojë këtë rast dhe të ndëshkojë në mënyrë përkatëse pjesëtarët e policisë të cilët ia kanë lejuar vetes të veprojnë në kundërshtim me kompetencat ligjore.
SHGM thekson që, kur ministri i punëve të brendshme të organizon ngjarje në të cilat janë ftuar media, ai duhet të ndajë kohën për pyetje prej gazetarëve, veçanërisht në ngjarje për të cilat ka interes të madh publik. Përndryshe sjellja e tillë, sipas SHGM, konsiderohet jo transparente dhe jodemokratike.
Ministri i punëve të brendshme, Naqe Çulev, ndërkohë në deklaratën e tij pretendon se Departamenti i kontrollit të brendshëm po ndërmerr “aktivitete përkatëse dhe nëse pretendohet se punonjësit e MPB-së i kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, për ata do të pasojë procedurë për përcaktim të përgjegjësisë disiplinore”.
Megjithatë, Ministri Çulev nuk e ka lënë pa deklaruar se marrëdhëniet korrekte me median duhet të ndërtohen së bashku. Ai u bëri thirrje gazetarëve që të respektojnë dhe t’i përmbahen kodit etik.