Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe e punëtorëve mediatikë dhe Këshilli për etilë në media i Maqedonisë deri te Ministria për Shoqëri informatike kanë dorëzuar vërejtje për propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike.
Organizatat e gazetarëve konsiderojnë se një përqind e buxhetit të shtetit duhet të ndahet për financimin e RTM-së, për shkak se konsiderojnë se RTM-ja nuk ka pajisje të mjaftueshme, nuk ka rrjet të korrespodentëve, të punësuarit kanë rroga të ulëta, e poashtu nevojitet edhe personel i ri me përvojë dhe cilësor gazetaresk dhe personel tjetër kreativ.
Buxheti i shtetit për këtë vit, 2017, është rreth 3 miliardë euro, që do të thotë se për transmetuesin publik, nëse kalon ky propozim, do të ndaheshin nga 30 milionë euro në vit.
Sipas raportit vjetor, vitin e kaluar RTM-ja ka pasur të ardhura të përgjithshme prej rreth 19 milionë eurosh, nga të cilat rreth 13 milionë, apo 67 për qind, kanë qenë nga taksa për radiodifuzion.
Me ndryshimet e ligjit është paraparë që kanali i dytë i RTM-së të kalojë në kanal të veçantë me program 24 orë në gjuhën shqipe, ndërsa programi i bashkësive të tjera etnike të kalojë në kanalin e tretë. Të gjitha këto obligime të RTM-së kërkojnë rritje të konsiderueshme të mjeteve për funksionimin e saj normal si transmetues i pavarur dhe profesional publik, që do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Tre organizatat konsiderojnë se në listën e propozuesve duhet të precizohet se Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë propozon anëtarë në Këshillin programor të RTM-së dhe Këshillin e Agjencisë. Me këtë do të mundësohet që në këto organe, anëtarë të propozojnë organizatat kompetente, të besueshme dhe të pavarura, që i përfaqësojnë interesat e gazetarëve.
Në vërejtjet e dhëna poashtu kërkohet zvogëlim plotësues i lartësisë së kompensimit për emetim në televizion dhe në radio, ndërsa Agjencia për media, para se të inicojë çfarëdi procedure kundërvajtëse, duhet publikisht t’ua tërheqë vërejtjen mediave.
SHGM-ja, SPGPM-ja dhe KEMM-ja kërkojnë edhe fshirje të nenit 62-а dhe 62-b të ligjit, që kanë të bëjnë me pluralizmin politik në lahme dhe në programet ditore informative gjatë fushatës zgjedhore.
“Ne besojmë se standardet gazetareske nuk mund t’i nënshtrohen rregullimit ligjor, por vetërregullimit të mediave. Nëse standardet etike të gazetarisë vendosen në ligj, ka rrezik të madh që ato të keqpërdoren për kufizimin e lirisë së të shprehurit dhe lirisë së mediave”, thuhet në komunikatën e SHGM-së.
Me propozimin për ndryshime në këtë ligj kyç, formalisht do të plotësohet një nga obligimet e përmendura në mënyrë taksative në Planin e qeverisë 3-6-9, në tre muajt e parë të punës së saj, mirëpo që janë edhe pjesë e reformave prioritare në pjesën e mediave.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.