Gazetarët përballen me presione edhe pas ndërrimit të pushtetit

Qeveria u lavdërua se punëtorët mediatikë janë të lirë nga presioni politik. Por, sjellja e një pjese të funksionarëve të pushtetit dhe përvojat e gazetarëve në punën e përditshme janë dëshmi se kjo ende nuk është e vërtetë. Kërcënimet, presionet, ofendimet, ndikimet – të gjitha këto metoda janë ende pjesë e përditshmërisë në sferën mediatike, thonë shumë gazetarë për Platformën për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA).

Shkruan: Kristina Ozimec – PINA

Korrespondencë, shantazhe, kërcënime dhe fyerje janë disa nga metodat që i ka përdorur sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Dragi Rashkovski, në komunikim me ekipin e gazetarëve të emisionit “Provereno” (“E verifikuar”), kur ata kanë punuar në temën e nepotizmit dhe punësimeve të të afërmve të tij, thonë ata për platformën PINA. Sashka Cvetkovska nga Laboratori hulumtues raporues dhe emisioni “Provereno”, thotë se deri sa kanë punuar në njërin prej emisioneve Rashkovski “hidhte me dru dhe gurë” në e-mail-et, telefonatat dhe mesazhet ndaj njërës prej gazetareve të ekipit, sepse atij nuk i ka pëlqyer fakti që ato do të shkruajnë për nepotizmin në qeveri në rastet kur ai ka punësuar anëtarët të familjes së tij të ngushtë.

“Ai jo vetëm që nuk mendon se ka bërë diçka të gabuar, por konsideron se është edhe viktimë. Por, kjo viktimë nuk është një njeri i zakonshëm, por një zyrtar i lartë i qeverisë. Dhe në korrespondencën me kolegen tonë i përdori të gjitha mjetet – shantazh, kërcënime, fyerje. Ndryshe nga ai, emisioni “Provereno” bëri një emision të tërë për bizneset në fushën e kultivimit të marihuanës së familjes së kryeministrit, Zoran Zaev, dhe nuk kishim asnjë problem, bile Zaevi na dha edhe intervistë pa asnjë problem, dhe nuk kishte as marrëveshje për pyetjet që do të parashtroheshin. Ndosh që Zaevi të kërkojë falje edhe për zyrtarët e tjerë, e ata për veten e tyre assesi. Kjo nuk duhet të jetë kështu, këtu përgjegjësia nuk është kolektive, por individuale, dhe duhet të zbatohet parimi i llogaridhënies dhe i përgjegjësisë. Zyrtarët me sjellje të tillë duhet të japin dorëheqjen menjëherë”, thotë Cvetkovska.

Për presionet, PINA e kontaktoi edhe sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Dragi Rashkovskin, dhe e pyetëm nëse ishte e vërtetë se ai është kërcënuar, dhe a i vjen keq për sjelljen e tillë. E pyetëm se a është në rregull që zyrtarët t’u kërcënohen gazetarëve, ose të tentojnë të kenë ndikime dhe presione, çfarë pasojash lë kjo në atmosferën e përgjithshme të lirisë së mediave dhe demokracinë në vend, por edhe se a duhet të japë dorëheqje ndonjë zyrtar nëse i kërcënon gazetarët për shkak të sjelljes së tillë. E pyetëm edhe atë se a ka ai ndonjë përgjegjësi për situatën e lartpërmendur dhe ai do të jepte dorëheqje. Morëm një përgjigje të shkurtër nëpërmjet SMS-së, që thotë: “Përgjigja për të gjitha pyetjet është JO”.

Përfaqësuesit e qeverisë para do kohësh u lavdëruan se një nga ndryshimet më të njohura në vend në fakt ishte lirimi i gazetarëve nga presionet politike. Qasja e qeverisë së re është më transparent se sa ai i qeverisë së mëparshme, pasi ata publikuan një dokumenteve të shumta për publikun, si për shembull deklasifikimin i kontratave me investitorët e huaj, e poashtu mundësuan edhe vegla për kontrollimin e shpenzimeve të zyrtarëve publikë. Siç premtuan, ata e hoqën reklamimin qeveritar, i cila ishte identifikuar si njëri nga burimet kryesore të korrupsionit në media, që përdorej nga qeveria e mëparshme për të marrë mbështetje për politikat e saj nga mediat e atëhershme pro-qeveritare.

Mbahen brifingje të rregullta me gazetarët, në konferencat e shtypit, për dallim nga përvojat e mëparshme negative, tani çdokush mund të parashtrojë pyetje për çdo temë, e jo vetëm për atë që është agjenda e ditës së qeverisë. U morr vendimi që gazetarët të kenë qasje të lirë në shërbimet e Regjistrit qendror dhe Kadastrës së patundshmërive, edhe pse për këtë masë gazetarët ende kanë vërejtje se duhet të saktësohet më mirë dhe të lehtësohet qasja në shërbimet. Në tërësi, përpjekjet e qeverisë së re për relaksim të atmosferës për punë të mediave janë të dukshme, por ajo që është bërë nuk është e mjaftueshme.

“Nëse parashtron pyetje, nuk ka intervistë”

Rastet, sikurse ky me Rashkovskin, si dhe incidentet e tjera për të cilat u ankuan punëtorët e mediave në periudhën e kaluar, tregojnë se edhe pas ndërrimit të pushtetit, gazetarët përballen me presione nga zyrtarët. Disa muaj më parë, gazetari Furkan Saliu nga “TV 21” poashtu akuzoi se është përballur me presione nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, edhe atë mes të një konference për shtyp, në sallën e mbushur përplot me gazetarë dhe kameramanë.

Фуркан

“Nëse parashtron pyetje, asnjëherë më nuk do të mund të bësh intervistë,” ishin fjalët, për të cilat Saliu thotë se ai ka thënë një punonjës i Ministrisë së Jashtme, gjatë një konference për shtyp nga ministri i jashtëm Nikola Dimitrov dhe ndërmjetësi, Matthew Nimetz. Saliu thotë se ky incident ishte një përpjekje e ashpër për t’i heshtur gazetarët.

“Tani njerëz nga qeveria ndoshta nuk të paraqiten që të porosisin ndonjë kronikë, por, nga ana tjetër, të gjithë ata rojtarë të zëshëm të të mirës publike janë të punësuar në qeveri. Ata që realisht kanë informacione dhe ndikim në shoqëri, e që nuk janë të punësuar në qeveri, janë njerëz të afërt me garniturën e mëparshme në pushtet, kështu që rrallë kush u beson atyre. Pushteti aktual është shumë më transparent, por këtu përfundon gjithçka. Ja, mua m’u kërcënuan personalisht se nuk do të marr intervistë nëse parashtroj pyetje, e gjithë kjo është incizuar, Ministria kërkon falje në emër të punonjësit, por ai ende është i punësuar aty”, thotë Saliu.

Sipas tij, edhe pse ambienti për punën e gazetarëve, në përgjithësi është më i mirë se ai i qeverisë së mëparshme, ai aspak nuk beson se gazetarët janë liruar krejtësisht nga presionet politike.

“Ajo që ndodhi në MPJ ishte përpjekja e parë më e ashpër për ta heshtur një gazetar dhe unë shpresoj se do të jetë e fundit. Megjithatë, më ka ndodhur që një ministër (tani ish-ministër) të më telefonojë dhe të më ankohet për një pyetje, duke më pyetur se kush më paguan që të bëj pyetje të tilla”, thotë Saliu.

Edhe Cvetkovska vlerëson se e pashmangshme është përshtypja se ka përmirësime në aspekt të komunikimit me mediat, por ende jemi larg nga ndërrimet thelbësore.

“Korrupsioni në media mbetet problem, propaganda mbetet jo vetëm e instaluar, por edhe një mjet i mirëpritur i kësaj administrate. Është e pashmangshme përshtypja se pothuajse askush nuk merret me problemet thelbësore në mediat, të cilat edhe ashtu janë të rrënuara, mirëpo kemi një invazion të shpenzimeve të paarsyeshme të burimeve në propagandë nga ana e PR-it qeveritar. Së fundi, është e pashmangshme përshtypja se PR-i më tepër është i përkushtuar të punojë për krijimin e perceptimit se diçka po bëhet, se sa në nevojën e vërtetë për të ndryshuar diçka. Të gjithë ata kameramanë, fotografë, ajo prani e vazhdueshme agresive në rrjetet sociale nga ana e zyrtarëve qeveritarë nuk është gjë e mirë.

Me prodhimin e gjerë të foto dhe video materialeve, si dhe të teksteve të plota gazetareske (si ai për maturën e kryeministrit), qeveria merr pjesë në mënyrë plotësuese në rrënimin e mëtutjeshëm të redaksive dhe me vetëdije e keqpërdor brishtësinë e mediave, të cilët mezi se ia dalin në skaj edhe me kuadër edhe me burime edhe me standarde, për ta imponuar agjendën e saj populiste, por edhe për shkak të tyre, mediat nuk janë të interesuara të punësojnë fotoreporterë dhe kameramanë, sepse qeveria e bën këtë, apo jo”, thotë Cvetkovska.

Funksionarët ende janë tepër të ndjeshëm ndaj kritikave

Pas ndërrimit të pushtetit, kryeministri Zoran Zaev disa herë ka thënë publikisht se mediat dhe gazetarët duhet ta kritikojnë punën e qeverisë dhe t’i shikojnë nga afër veprimet e funksionarëve. Megjithatë, disa funksionarë sikur nuk pajtohen me këtë mesazh të tij, dhe me reagimet e tyre përkutjojnë në reagimet e qeverisë së mëparshme, veçanërisht kur reagojnë furishëm ndaj kritikave që u drejtohen atyre.

Tamara Çausidis, kryetare e sindikatës së gazetarëve, për PINA-n thotë se diskursin publik vërehen ndryshime në aspekt të lirisë së fjalës dhe ekziston një lloj relaksimi në lidhje me temat, veçanërisht nëse bëhet krahasim me periudhën e pushtetit të mëparshëm.

Тамара

“Institucionet përpiqen të jenë më transparente, ky është fakt, numri i tabu-temave është më i vogël, propaganda është vullnetare, jo e imponuar. Sa i përket atmosferës nëpër redaksi – nuk ka shumë ndryshime të mëdha. Njerëzit edhe më tutje mbahen në ngërç ekonomik dhe social me kontrata me afat të caktuar, me kërcënime për largim nga puna, me zvogëlim të rrogave dhe të ngjashme. Vetëm se tani nuk mund të akuzojmë drejtpërsëdrejti qeverinë për këtë, gjegjësisht, nuk kemi dëshmi për këtë” – thotë Çausidis.

Sa i përket asaj se a janë ankuar gazetarët deri tani te Sindikata për presione, ndikime apo kërcënime në punë pas ndërrimit të pushtetit, ajo thotë se kur bëhet fjalë për presionet nga pushteti, një pjesë shumë e rëndësishme e ekuacionit është – integriteti i medias dhe udhëheqësia e saj.

“Problemi qëndron në atë se në eshalonet e para të mediave jo rrallë gjenden njerëz që janë mësuar me servilitet, shpeshherë edhe vullnetarisht, pa ua kërkuar këtë dikush. Ata supozojnë se çka (nuk) do të dëshironte të dëgjojë ose të lexojë qeveria. Sipas njohurive tona, atje ku udhëheqësia ka integritet, kërcënimet dhe thirrjet mbeten si të tilla, dhe mediat nuk kanë pasur pasoja. Kur bëhet fjalë për funksionarë, do t’i veçoja emrat e zëvendës-kryeministrit, Koço Angjushev dhe sekretarit të përgjithshëm, Dragi Rashkovski. Bëhte fjalë për presione në formë të thirrjeve telefonike, mesazheve dhe komente të pahijshme ndaj gazetarëve për pyetjet e parashtruara, tekstet kritike, madje edhe për tituj pa qëllime të këqija, të cilat dikujt i duken problematike. Në përgjithësi, kam përshtypjen se qeveria është tepër e ndjeshme ndaj kritikave. Janë shumë të ndjeshëm, por kjo nuk duhet të thotë se është gjë shumë e keqe nëse rezulton me përmirësim të praktikave. Atë që unë do ta veçoja janë rastet e presioneve nga njerëzit e fuqishëm të biznesit apo nga njerëzit që ndjehen si të tillë. I tillë është rasti me kolegen Lupevska nga televizioni “Telma” dhe kolegun Petreski nga televizioni “Alsat M”. Këto dy që u bënë publike e ilustrojnë qëndrimin ndaj gazetarëve dhe ekipeve gazetareske, gjë që duhet urgjentisht të ndryshohet”, thotë Çausidis.

Biseduam edhe me disa gazetarë të tjerë që punojnë në media dhe televizione të njohura, të cilët na i treguan pikëpamjet e tyre mbi lirinë e medias, por kërkuan të mbeten anonimë, gjë që poashtu është një tregues i caktuar për atmosferën në media. Të gjithë ata theksuan se mediat dhe gazetarët end enuk janë të lirë nga presionet politike dhe ndikimet. Njëri prej tyre i potencoi edhe ndikimet mbi redaktorët nga ana e pushtetit, të cilat ndoshta janë në formë të maskuar, por vërehen duke e monitoruar eterin.

“Kur brenda një muaji keni një funksionar që paraqitet disa herë në emisionet e medias së njëjtë, për tema që nuk janë gjithmonë më aktualet, kjo tregon se ka një lloj lidhjeje midis redaktorit dhe atij personi, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër keni media që assesi nuk mund të arrijnë deri tek ai funksionar përkundër ftesave të shumta të hapura që i ka marrë” – tha gazetari i një televizioni.

Një gazetare nga në një media tjetër, e cila deri para do kohësh ka punuar në një televizion të njohur, gjithashtu i potencon si problematike lidhjet e redaktorëve dhe njerëzve të tjerë me ndikim në media me punonjës të ndryshëm të qeverisë.

“Në atë televizion, pas ndërrimit të qeverisë, një pjesë e redaktorëve përpiqen ta shtrembërojnë të vërtetën dhe të krijojnë tekste gazetareske, mirëpo nuk mendoj se është një pasojë e veprimit të qeverisë, por e interesave personale”, thotë ajo.

Sipas saj, në disa muajt e parë pas ardhjes në pushtet, ka pasur raste kur disa ish-gazetarë (tani të punësuar në shërbimin PR të qeverisë) janë paraqitur te gazetarët dhe me arsyetimin se “janë kolegë” kanë kërkuar që të mos publikohet ndonjë informacion. Ajo thotë se pasi e kanë parë se kjo nuk kalon, kërkesat e tilla janë ndërprerë. Mediat ende përballen me problemet e kushteve të vështira për punë për gazetarët dhe punonjësit mediatikë, rrogat e ulëta dhe kontratat e dobëta të punës, të cilat poashtu ndikojnë në punën e pavarësisë së gazetarëve dhe lirisë së tyre.

Qeveria: Askush nuk ka të drejtë t’u kërcënohet punëtorëve mediatikë

Për t’i komentuar presionet e zyrtarëve të caktuar dhe për atë se zyrtarët që u kërcënohen gazetarëve, ose që u bëjnë presione a duhet të kenë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të japin dorëheqje, nga qeveria thonë se ata i kanë dënuar të gjitha sulmet dhe konsiderojnë se askush nuk ka të drejtë t’u kërcënohet punëtorëve mediatikë dhe t’i pengojë ata në kryerjen e punës së tyre. Ata thonë se i inkurajojnë të gjithë gazetarët të cilët përballen me çfarëdo forme të presionit atë ta denoncojnë në  institucionet përkatëse të cilat e kanë për detyrë të veprojnë.

“Qeveria konsideron se askush nuk ka të drejtë të kërcënohet dhe të ushtrojë presion mbi ndonjë qytetar tjetër të Maqedonisë, pavarësisht nga profesioni dhe obligimet e punës, si dhe pavarësisht nga pozita nga e cila vjen dikush. Përgjegjësia për mënyrën e sjelljes përveç rregullativës ligjore është gjithashtu edhe nga aspekti etik duke pasur parasysh publikun e gjerë si korrigjues të sjelljes së individëve të caktuar. E potencojmë se gjithmonë do të ketë përgjegjësi në rastet e sjelljeve të dhunshme joadekuate nga ndonjë zyrtar publik”, thonë qeveria për PINA-n.

Reformat në media akoma nuk janë plotësuar

Prioritetet për reforma urgjente në pjesën e mediave që janë theksuar në raportin e Rajnhard Pribes të qershorit 2015, janë përmbushur vetëm pjesërisht. Si prioritete kryesore atëherë u potencuan reformat në transmetuesin publik të radiodifuzionit, zgjidhja e reklamave qeveritare, pengesat për të pasur qasje në informata, si dhe shpifja dhe ofendimi.
IZV

Raporti i fundit i “Оbservatorit për reforma mediatike” konstatoi se edhe përkundër angazhimit të Qeverisë për të ndërtuar partneritetet me shoqatat dhe sektorin civil në sferën e mediave, kjo sferë ende nuk është çliruar nga ndikimet institucionale ose personale për shkak të ngadalësisë me të cilën Kuvendi i miraton ndryshimet e nevojshme ligjore. Në lidhje me reformat në transmetuesin publik u dha vlerësimi “E filluar, mirëpo e parealizuar”, për reklamimin qeveritar të cilin qeveria e hoqi vlerësimi është “Pjesërisht e realizuar”,për shkak se nuk ofroi sqarime të detajuara për një sërë aspektesh të veçanta për të siguruar transparencë të plotë dhe llogaridhënie, duke publikuar rregullore, procedura apo protokolle. Vlerësimi i njëjtë është edhe për shtyllën e tretë e reformave në sferën mediatike – qasja në informata për shkak të gjendjes së pandryshuar në lidhje me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për qasje në informatat me karakter. Vlerësimi më i keq është dhënë për shpifjen dhe ofendimin, si “Fare e parealizuar”, sepse raporti konstaton se në këtë fushë nuk ka asnjë ndryshim apo ndonjë lëvizje në periudhën e ndjekjes dhe të raportimit: nuk është ndërmarrë iniciativë për ndryshimin e Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim dhe qeveria nuk ka filluar koordinim me ekspertët në këtë drejtim.

Në raportin e përditësuar të Pribes të vitit 2017, përsëri jepen rekomandime për të trajtuar problemet sistematike në media. Theksohet se qeveria duhet të kudjeset që reformat në media të jenë pjesë e strategjisë së përgjithshme, të planifikohen mirë, të bazohen në hulumtime, si dhe të bëhen konsultime të besueshme, me kohë dhe transparente me të gjitha palët e interesuara, publike dhe private, pa diskriminim dhe kontributet e tyre të merren parasysh seriozisht.

“Hetimet për sulme ndaj çdo gazetari duhet të jenë prioritet dhe të bëhen shpejt. Për t’u përmirësuar roli i mediave në kërkimin e përgjegjësisë nga shteti, gazetaria hulumtuese duhet të inkurajohet dhe të mundësohet nga institucionet publike dhe mediat. Me qëllim të përmirësimit të performancës së RTM-së nevojiten: burime adekuate për të forcuar pavarësinë e saj, operacione dhe menaxhment efektiv. Ndryshimet dhe politikat legjislative duhet të sigurojnë se RTM-ja është plotësisht transparente dhe e përgjegjshme, se angazhohet me të gjitha palët relevante të interesuara në mënyrë aktive dhe siguron se të gjithë qytetarët, pavarësisht nga pikëpamjet politike, gjinia, mosha, invaliditeti, etj… besojnë se RTM-ja është transmetues i tyre publik e jo instrument i partive politike apo i dikujt tjerët”, thuhet në raport.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.