Autore: Kristina Ozimec – PINA
Qeveria nuk i zbuloi emrat e televizioneve që kanë fituar miliona euro nga pushteti i mëparshëm për emetimin e reklamave qeveritare, mirëpo nëse bëhet një analizë e vogël e të dhënave të publikuara mund të shihet se cilat janë televizionet që qëndrojnë pas shifrave në tabelat që i publikoi Qeveria. Nëse krahasohen të dhëna e publikuara nga institucionet më parë në krahasim me ato të tanishmet, projektimet flasin se më së shumti para, edhe atë shuma milionëshe nga kulaçi kanë marrë “Sitel”-i, “Kanal 5” dhe “Alfa”, e më së paku “Telma” dhe “Alsat-M”. Një pjesë e konsiderueshme prej 2,8 milionë eurosh ka fituar edhe televizioni me shifër 44, për të cilin me lehtësi mund të supozohet se është “Televizioni A1”, për shkak të fushave të zbrazëta në tabelën me të dhëna pas vitit 2011, kur edhe u mbyll.
Cilat janë televizionet që qëndrojnë pas shifrave 11, 22 dhe 33, të cilat kanë fituar më se 15 milionë euro nga kulaçi për reklama qeveritare? Qeveria i publikoi të dhënat sipas të cilave së paku 38 milionë euro janë harxhuar nga pushteti i mëparshëm për fushata dhe për propagandë në mediat elektronike dhe ato të shtypura në Maqedoni në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015, ndërsa një televizion ka fituar 7 milionë euro të plota.
*Projektim i “Meta.mk” dhe PINA-s
Për tabelën origjinale nga qeveria klikoni këtu
Paratë janë dhënë nga buxheti për reklama qeveritare, si fushatat kundër abortit, fushatat për fëmijën e tretë dhe për ushqim të shëndetshëm, fushata “Hulumto Maqedoninë”, “Dita e drurit” etj. Në këtë shumë nuk janë llogaritur vitet 2006, 2007 dhe 2016 për shkak se, sipas qeverisë, “nuk janë gjetur dokumentet për ato vite”. Në këto numra nuk janë përfshirë as fushatat e porositura nga ministritë në qeverinë e Nikolla Gruevskit.
Edhe pse qeveria nuk i publikoi emrat e televizioneve që kanë fituar para nga reklamat qeveritare, me anë të eliminimit mund të shihet se cilat televizione kanë fituar më shumë, e cilat më pak para nga buxheti për reklama. Në tabelën për televizionet komerciale, me koncesion nacional ka gjashtë televizione. Njëra nga ato, me shifër ТV 44, humbet në vitin 2012, kështu që me lehtësi mund të supozohet se është “Televizioni A1”, i cili u mbyll në vitin 2011. Një televizion tjetër, me shifrën 33, ka fusha të zbrazëta në tabelë, gjegjësisht nuk ka fituar para nga reklamat qeveritare prej vitit 2008 deri në vitin 2011, kështu që mund të supozohet se bëhet fjalë për televizionin “Alfa”, i cili pikërisht në atë periudhë e ndryshoi politikën redaktuese dhe filloi ta mbështesë pushtetin e mëparshëm.
*Projektim i “Meta.mk” dhe PINA-s
Për tabelën origjinale nga qeveria klikoni këtu
Ish-drejtori i televizionit “Telma”, Risto Llazarov, na tha se “Telma” është televizioni që ka marrë më së paku para nga reklamat qeveritare “për shkak të politikës së tyre të rreptë të pagesës”.
Llazarovi, i cili ishte në krye të televizionit “Telma” deri në korrik të vitit 2014 thotë se atë nuk e kanë parë si ndonjë çështje politike, por si çështje financiare.
“Edhe të parët edhe të dytët nga gënjyen, na mbetën borxhli. Pastaj e sollën një ligj, se nëse mbeten borxhli, kjo të konsiderohet si njëfarë sponsorimi. Për këtë arsye partitë neve nuk na merrnin në dorë. Ne atëherë futëm rregulla të rrepta të pagesave avanse dhe kështu ishim as në tokë as në qiell. Ne punonim me partitë vetëm gjatë cikleve zgjedhore, kur në mënyrë të qartë e tregonim çmimoren, zbritje nuk bënim dhe kishim arshin të njëjtë për të gjithë. Poashtu, është me rëndësi se nuk vareshim nga ato reklama, prandaj nuk u shitëm për to. Kishim burim stabile të parave, e me para i blinin mediat tjera, u jepni shuma marramendëse dhe krejtësisht joreale televizioneve “Sitel” dhe “Kanal 5” dhe kështu e fitonin mbështetjen e tyre” – thotë Llazarovi.
Edhe drejtori aktual i televizionit “Telma”, Аtanas Kirovski, thotë se konkurrenca jolojale në biznesin mediatik është e qartë. Ai nuk mundi konkretisht t’i konfirmojë numrat e publikuara në lidhje me reklamat, mirëpo tha se që kur është drejtor, prej korrikut të vitit 2014 , televizioni nuk ka marrë as 100.000 еuro.
Nëse merren parasysh të dhënat e publikuara më parë nga Аleksandar Kiracovski, zëvendës-ministri plotësues për shoqëri informatike, se në tre vitet e fundit qeveria u ka transferuar gjithsej 13 milionë euro televizioneve “Sitel”, “Kanal 5” dhe “Alfa” mundet logjikisht të supozohet se ato janë tre televizionet kryesore që kanë marrë më së shumti mjete edhe gjatë periudhës prej vitit 2008 deri në vitin 2015 për reklama qeveritare. Kiracovski publikoi se në këtë periudhë, “Telma” dhe “Alsat-M” kanë marrë gjithsej 360.000 еuro pse 35 herë më pak se sa tre televizionet e tjera.
Analiza e Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë në vitin 2015, poashtu tregoi se vetëm për tre muaj qeveria ka harxhuar gjashtë milionë euro për reklama nëpër media. Në atë kohë, përsëri më së shumti kanë marrë televizionet “Kаnal 5”, “Аlfa” dhe “Sitel”, e më së paku “Alsat-M”, “24 Vesti” dhe “Telma”.
Kryeredaktori i “Sitel”-it, Dragan Pavlloviq-Llatas, thotë se nuk mund të tregojë se a është “Sitel”-i televizioni që ka marrë më së shumti para nga reklamat – madje 7 milionë euro. Ai thotë se për ta thënë këtë duhet t’i shohë të dhënat dhe t’i krahasojë numrat.
“Nuk e di se a është “Sitel”-i, ai që ka marrë më së shumti për shkak se duhet t’i krahasoj të gjitha të dhënat. “Sitel”-i është firmë komerciale që shet shërbime. Edhe LSDM-ja sikur të paguante për reklamë do ta fitonte atë. Edhe organizatat joqeveritare sikur të paguanin, do të fitonin reklama. Puna jonë është që ta shesim hapësirën reklamuese, dhe këtë mundësi ua ofrojmë të gjithë atyre që janë të interesuar. Çështje tjetër është ajo se “Sitel”-i ka diku rreth 40-50 për qind të tregut. Nëse ai që i ka shpërndarë reklamat u është përmbajtur rregullave normale të tregut, gjithsesi se “Sitel”-i është dashur të fitojë më së shumti. Madje mund të shihet se media jonë nuk është përfaqësuar aq sa parashohin rregullat e tregut – ka fituar më pak se sa që ka përqindje të tregut” – thotë Pavlloviqi.
Në pyetjen se a është blerë në këtë mënyrë, nëpërmjet injeksioneve financiare qeveritare, mbështetja nga “Sitel”-i për pushtetin e mëparshëm, Pavlloviqi përgjigjet se në atë mënyrë nuk blihet politika redaktuese.
“Prej kujt është blerë “Telma”? A është blerë politika e saj redaktuese? Kush janë ata të huaj që e kanë blerë televizionin “Telma”, nëse blihet ashtu? Nëse mund të blihet në atë mënyrë, kur LSDM-ja ishte në opozitë, qartazi nuk ka pasur problem me paratë, dhe ka mund të blejë njësoj. Kjo nuk ndikon. Qeveria është reklamues, sikurse çdo reklamues tjetër”, komenton ai.
Drejtori i televizionit “Kanal 5”, Ivan S. Mirçevski, na mbajti një ligjëratë të shkurtër për gazetari profesionale dhe për kulturë dhe në bisedën telefonike na tha se nuk dëshiron të komunikojë për paratë që kompania i ka marrë nga kulaçi për fushata qeveritare.
“Për ne kjo është fshehtësi afariste. Qeverinë e kemi trajtuar sikurse çdo subjekt tjetër komercial. Edhe ne duam ta dimë se cili televizion sa para ka marrë, mirëpo këtë më mirë është ta tregojë ai që i ka publikuar të dhënat” – thotë Mirçevski.
Edhe pse u përpoqëm ta kontaktojmë nëpërmjet telefonit për të na dhënë një deklaratë të shkurtër, drejtori programor i televizionit “Alfa”, Ljubomir Nikollovski, nuk ishte në dispozicion për të dhënë koment për këtë temë.
Drejtori operativ i televizionit “Alsat-M”, Lirim Hajredini thotë se nuk mund të konfirmojë me saktësi se nën cilën shifër është televizioni i tyre në të dhënat e publikuara nga qeveria, mirëpo e konfirmon se me siguri është ndër të fundit në listë.
“Televizioni “Alsat-M” është transparent dhe ne mund edhe t’i publikojmë numrat. Gjithsesi se jemi në mesin e atyre që kanë marrë më së paku. Nuk kishte asnjë kriter sipas të cilit ndaheshin ato para, ndërsa shikueshmëria me siguri nuk ka qenë kriteri kryesor për ndarjen e tyre”, thotë Hajredini.
Zhaneta Trajkoska nga Instituti për studimet të komunikimit thotë se edhe para se të marrim informata zyrtare për atë se sa para u janë dhënë mediave nga qeveria e mëparshme, ishte e qartë se qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe e BDI-së e ka blerë mbështetjen e mediave me para nga buxheti, nëpërmjet reklamave dhe fushatave publike.
“Ky sistem i korruptimit është vendosur vite më parë dhe ai i infektoi redaksitë dhe seriozisht ndikoi në përmbajtjen mediatike, në lajmet, programet dokumentare, e madje edhe në emisionet e mëngjesit. Për fat të keq, ajo qeveri shkoi edhe më larg. Ata i blenë mediat nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre të afërt partiakë, dhe krijuan media të reja, në pjesën më të madhe – portale, mirëpo bënë edhe një rrjet rajonal të mediave lokale. Domethënë, mendonin për gjithçka” – thotë Trajkoska.
Qeveria do t’i paguajë Facebook-ut për postimet e sponsoruara
Njëra nga masat e para të qeverisë së re ishte heqja e reklamave qeveritare, të cilat me vite të tëra paraqisnin burim kryesor të korrupsionit dhe të blerjes së mediave nga ana e pushtetit të mëparshëm. Me pushtetin e ri, erdhi edhe qasja e re që dëshirohej një kohë të gjatë, sipas të cilës qeveria më nuk do të ketë reklama, por paralajmëron se të gjitha informatat që janë me karakter shërbyer për qytetarët do të publikohen në kuadër të programit të transmetuesit publik dhe në rrjetet sociale.
Zëdhënësi i qeverisë, Мile Boshnjakovski (për PINA-n) konfirmoi se qeveria do t’i paguajë Facebook-ut dhe rrjeteve të tjera sociale për shpalljet dhe publikimet e sponsorizuara. Sipas qeverisë, pagesa e këtillë nga shteti ndaj kompanive të huaja, siç është “Facebook”-u do të bëhet “vetëm për promovimin e shërbimeve që janë me interes për qytetarët”.
“Në RTVM do të emetohen vetëm informata për ato aktivitete që janë shërbyese ose për shërbimet që u dedikohen qytetarëve dhe për të cilat qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë të informuar që ta dinë se si të aplikojnë, si ta shfrytëzojnë ndonjë shërbim të caktuar” – thotë Boshnjakovski.
Boshnjakovski thotë se kur do të ketë nevojë të informohen qytetarët nëpërmjet RTVM-së, do të bëhet edhe vlerësimi për aspektin kreativ, gjegjësisht se a do të ketë telop me informata, a do të incizohet ndonjë video-klip narrativ apo diçka tjetër, me ç’rast mund të angazhohen agjenci të jashtme të marketingut ose subjekte të tjera. Ai shton se vlerësimi i këtillë do të bëhet sipas nevojës, mirëpo në masën më të madhe do të shfrytëzohen burimet e transmetuesit publik.
Sipas Boshnjakovskit, qeveria nuk do ta reklamojë veten nëpër rrjetet sociale, por do të emetohen vetëm ato aktivitete që janë shërbyese apo shërbime të dedikuara për qytetarët.
Kush do të vendosë se ç’është informatë shërbyese? A ka mundësi që edhe nëpërmjet sistemit të ri për informim të qytetarëve për aktivitetet e qeverisë, të ketë keqpërdorime? A mund të bëhen rrjetet sociale platformë e re për përhapjen e fushatave për punën e mirë të qeverisë?
Nga qeveria deri tani nuk kanë zbuluar se sa para do të shpenzohen për promovimin e publikimeve të sponsorizuara në rrjetet sociale. Jozyrtarisht, gjatë përmendjes së shumave prej 5.000 deri në 10.000 euro, burime nga qeveria thonë se “nuk ka gjasa”, të harxhohen aq para, por “shumë më pak”.
Edhe pse paratë që do të jepen në rrjetet sociale janë shumë më pak se sa ato që janë harxhuar më parë, me rëndësi është se çka do të sponsorizohet dhe para cilit publik, thonë njohësit e rrethanave.
Te ne edhe deri tani ka pasur reklamim politik në rrjetet sociale, mirëpo jo edhe reklamim shtetëror.
Eksperti për media digjitale, Zoran Riçliev, thotë se reklamimi në rrjetet sociale, në një mjedis ideal demokratik është shumë i mirë, mirëpo jo edhe mënyrë ideale për distribuimin e informatave. Nga njëra anë, kjo është dukshëm më e lirë dhe më efikase se sa reklamimi tradicional, mirëpo ka edhe “mangësi serioze të cilat i dimë, si dhe rreziqe të cilat akoma nuk i dimë”. Sipas tij, një problem tjetër, është se paratë shkojnë jashtë shtetit, edhe pse duhet thënë se bëhet fjalë për vlerë shumë më të vogël se sa më parë.
“Në qoftë se me të vërtetë ndodh kjo, njëri nga problemet do të jetë ndarja digjitale. Informatat shërbyese, në qoftë se me të vërtetë vetëm ato plasohen me ndihmën e reklamimit të paguar në “Facebook” dhe në “Twitter”, do të arrijnë vetëm deri te qytetarët që janë shfrytëzues të atyre rrjeteve, e jo edhe deri te ata që nuk kanë profile – zakonisht më të moshuarit dhe ata që jetojnë në zonat rurale. Ky është diskriminim digjital” – thotë Riçliev dhe shton se rrjetet sociale gjithnjë e më shumë bëhen fushë kyçe për betejë politike dhe asnjë detaj nuk duhet anashkaluar.
Riçliev thekson se rrjetet sociale janë zonë e hirit si në aspekt të legjislacionit, ashtu edhe në aspekt të transparencës dhe të identitetit të subjekteve.
“Me vetëm 1 për qind të buxhetit, që, sipas asaj që e thotë qeveria aktuale, është harxhuar për reklamim nga vitit 2006 deri në vitin 2016, në rrjetet sociale do të arrihej ndikim dhe efekt shumë i madh, madje edhe në aspekt të politikës së jashtme. Megjithatë, sipas paralajmërimeve, qeveria do të reklamojë vetëm informacione shërbyese. Atëherë, duke e marrë parasysh se iu drejtohet vetëm 2 milionë qytetarëve, këtë do ta arrinin me vetëm 5.000-10.000 еuro në vit, mirëpo ja le të jenë edhe ndërmjet 50.000 dhe 100.000 еurove. Këto janë shumë pak para për shtetin, mirëpo një fuqi shumë e madhe. Demokracia jonë është e re dhe nuk jemi të sigurt se kush sa është i gatshëm t’i rezistojë joshjes për keqpërdorim. Nëse jo kjo qeveri, ndoshta ndonjë e ardhshme”, komenton ai.
Nga qeveria tani për tani nuk sqarojnë se kush do të vendosë se ç’është fushatë me interes publik, e ç’është informatë shërbyese. Përsërisin në mënyrë decide se reklama qeveritare nuk do të ketë dhe do të emetohen vetëm informata aktuale shërbyese nëpërmjet transmetuesit publik dhe rrjeteve sociale.
Kufizimi i emetimit të reklamave qeveritare vetëm te transmetuesi publik dhe në rrjetet sociale, është hap në drejtim të duhur, mirëpo megjithatë duhet pasur kujdes se si do të rregullohet kjo ligjërisht dhe si do të ndiqet zbatimi i kësaj mase në praktikë, konsideron Aleksandar Jovanovski, koordinator programor për demokraci dhe për sundim të të drejtës në Institutin për politikë evropiane (IPE).
“Me kujdes duhet të ndiqet publikimi i përmbajtjeve informative nëpërmjet rrjeteve sociale, prë shkak se ato janë edhe më të vështirat për t’u rregulluar dhe për t’u ndjekur. Politika transparente është politika e vërtetë. Që të shmangen spekulimet për keqpërdorimet e mundshme të këtyre mjeteve për informim, Sektori për informim i qeverisë duhet ta informojë publikun dhe ekspertët për çdo muaj se për cilat fushata informative bëhet fjalë dhe cili është qëllimi i tyre, kohëzgjatja, si dhe konstruksioni financiar i fushatës” – thotë Jovanovski.
Sipas tij, duhet kushtuar vëmendje të veçantë se për çfarë lloji të informatave bëhet fjalë dhe a ekziston kufizim i qartë ndërmjet aktiviteteve të qeverisë dhe të institucioneve shtetërore dhe atyre të politikanëve të caktuar.
Nëpunësit qeveritarë – komentues kujdestarë politikë në rrjetet sociale
Shpeshherë mund të vërehet se një pjesë e të punësuarve në administratën e re qeveritare në profilet e tyre në Facebook komentojnë politikën e përditshme, ndërsa njëra nga temat e preferuara për komentim është edhe kundërshtari në skenën politike. Rrjetet sociale lënë hapësirë që dikush që është i punësuar në qeveri të ndikojë mbi mendimin publik duke i promovuar aktivitetet dhe qëndrimet e qeverisë, duke e lavdëruar punën e qeverisë, mirëpo edhe duke i kritikuar partitë e tjera. Mos ndoshta një pjesë e të punësuarve në ekipin për marrëdhënie me publikun të qeverisë e kanë për detyrë të bëjnë promovim të projekteve të qeverisë në profilet e tyre personale?
“Jo. Të punësuarit në Departamentin për marrëdhënie me publikun kanë obligime të tjera. Ata janë të angazhuar për komunikimin e qeverisë me mediat në Maqedoni në bazë ditore, gjegjësisht me redaksitë informative. Veglat që i shfrytëzojnë të punësuarit në Departamentin për marrëdhënie me publikun janë: konferenca për shtyp, komunikatat për opinionin, përgjigje në pyetjet e parashtruara, dhe të gjitha këto përdoren vetëm me qëllim të komunikimit me mediat, gjegjësisht me gazetarët” – thotë Boshnjakovski.
Megjithatë, edhe pse bëhet fjalë për profilet e tyre personale, nëpunësit shtetërorë janë të obliguar ta respektojnë kodin e punës, sipas të cilit ata duhet të sillen politikisht në mënyrë neutrale. “Nëpunësi administrativ nuk e përfaqëson dhe nuk e shpreh bindjen e tij politike në ushtrimin e detyrave zyrtare dhe nuk bën aktivitete politike, që mund ta minojnë besimin e qytetarëve në administratën dhe në institucionet e sektorit publik. Nëpunësi administrativ nuk e potencon, e as nuk ua imponon të tjerëve përcaktimin e tij politik. Nëpunësi administrativ nuk vjen në situatë të konfliktit të interesir personal me atë publik dhe i kundërvihet çdo sjelljeje jo të ndershme, të papërgjegjshme dhe të pahijshme në detyrë”, thuhet në një pjesë të pikave të këtij kodi.
Reklamimi qeveritar u përmend edhe në raportet që dolën nga prioritetet reformuese që duhet t’i përmbushë Maqedonia në periudhën e ardhshme. Sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian, duhet të vendosen rregulla të rrepta për reklamim qeveritar, të bazuara në kritere transparente, objektive dhe jodiskriminuese, “të sigurohet transparencë e plotë e reklamimit qeveritar (jo vetëm në aspekt të shpenzimit të mjeteve publike, por edhe në aspekt të pranuesve të tyre dhe të përmbajtjeve) dhe të zhvillohet mekanizëm për publikime pa pagesë në transmetuesin publik, të cilat me të vërtetë janë me interes publik”.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.