Agitpropi rus për Covid-19 shkreton në BE dhe vendet e Ballkanit

Në fillim të prillit, Bashkimi evropian publikoi Raport special për praninë e dezinformatave në mediat botërore dhe rrjetet sociale lidhur me pandeminë e korona virusit. Raporti duhet të ndihmojë përpjekjet e BE-së për t’iu kundërvënë dezinformatave, duke përfshirë zbulimin, analizën dhe paraqitjen e fushatave të dezinformatave në publik. Sipas raportit, ekziston tendencë e qartë e rritjes së dezinformatave në mbarë botën, që mund të kenë pasoja të dëmshme për shëndetin publik dhe komunikimit efektiv gjatë krizës, shkruan Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk.

BE vlerëson se në vendet anëtare, por edhe në vende tjera, mesazhi i koordinuar dezinformues ka për qëllim t’i paraqes grupet e pakicave si shkaktar të pandemisë dhe të nxisë mosbesimin ndaj aftësisë së institucioneve demokratike efektivisht të përballen me krizën.

“Disa vende dhe aktorë të mbështetur edhe nga shtete përpiqen të shfrytëzojnë krizën publike shëndetësore për të përparuar interesat gjeopolitike, shpeshherë duke kontestuar kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve të saj”, theksohet në raport.

Më përgjegjës për përhapjen e këtyre dezinformatave është Rusia dhe mediat ruse, veçanërisht RT dhe “Sputnik”. Për shembull, profilet në “Fejsbuk” dhe “Tuiter” në Gjermani kanë përhapur informacion se larja e duarve nuk ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Prej 22 janarit, autori i raportit ka regjistruar 150 raste të raportimit prorus që përmbajnë dezinformata për pandeminë. Veçanërisht theksohet gatishmëria e Krmlinit për të përballuar krizën, si dhe për të ndihmuar vendet tjera gjatë zgjidhjes së krizës, veçanërisht Italinë.

Përveç Rusisë dhe mediave ruse, në aksion për përhapjen e organizuar të dezinformatave për Covid-19, përmenden edhe vende tjera, si Kina dshe Turqia. Mediat shtetërore dhe përfaqësuesit qeveritar në Pekin kanë promovuar teori të padëshmuara për prejardhjen e virusit dhe kanë fryer lavdërimet e disa liderëve evropian për ndihmën kineze. Nga ana tjetër, në Turqi përmes rrjeteve sociale janë plasuar lajme të rreme dhe të keqinterpretuara lidhur me informatat për sëmundjen si dhe kritika të paqëndrueshme kundër Bashkimit evropian në përgjithësi.

Sa i përket vendeve të Ballkanit perëndimor, raporti vëren se për paraqitjen e Covid-19 në media dhe rrjetet sociale qarkullojnë teori të konspiracionit se virusi është armë biologjike e prodhuar nga SHBA, e cila kinse përdoret si alibi për të pushtuar Evropën. Përveç kësaj, e pranishme është edhe retorika kundër BE-së, sipas te cilës Unioni i ka harruar vendet e Ballkanit në përpjekjet e tyre për të zgjidhur krizën.

Raporti njeh katër narrativë që mbisundojnë në dezinformatat që propaganda ruse i përhap në hapësirën evropiane dhe më gjerë.

Narrativi i parë është se Unioni nuk ka arritur të përballet me pandeminë e korona virusit prandaj duhet pritur shkatërrimi i tij. Ky narrativ se BE po demontohet është promovuar nga media pro ruse në vendet anëtarë të BE-së si dhe në vendet e Ballkanit perëndimor.

Unioni është treguar vetiak gjatë krizës dhe ka tradhtuar vlerat e tij, është narrativi i dytë që kanë përdorur burimet proruse të dezinformatave në vendet anëtare, Ballkan dhe bile edhe në vendet afrikane. Në Ukrainë për shembull, ky narrativ për shkatërrimin e BE-së është përforcuar edhe me pohimin se vendi është i dështuar dhe i braktisur nga partnerët e saj evropian.

Propaganda pro-Kremlinit  në narrativin e tretë për përhapjen e dezinformatave është mashtrimi se Bashkimi evropian shfrytëzon krizën me virusin për të forcuar interesat e tij. Sipas tyre, kjo më së miri mund të shihet se si Brukseli përfaqëson qëndrime proserbe në Kosovë.

Narrativi i fundit i agitpropit të Moskës për pandeminë është se Rusia dhe Kina janë shtete të përgjegjshme, të cilat jo vetëm që me sukses përballen me sëmundjen në vendet e tyre, por u ndihmojnë edhe vendeve tjera, bile edhe anëtarëve të BE-së, për të kapërcyer krizën.

Rastësi apo jo, të gjitha këto narativa gjatë raportimit për pandeminë e korona virusit kanë qenë të pranishme edhe në një pjesë të mediave online te ne, të cilat vetën e quajnë kritike ndaj pushtetit aktual. Vështirë të thuhet nëse kjo përqasje është e rastësishme apo jo, megjithatë ka një lloj lidhshmërie me agitpropin e Kremlinit.

Gjatë muajit të kaluar në një pjesë të këtyre mediave është raportuar për teori të ndryshme konspiracioni se si virusi është krijuar në laboratorë të ndryshme në Britaninë e Madhe, SHBA dhe Gjermani për të ndaluar zhvillimin ekonomik të Kinës. Ishim dëshmitarë të raportimit tendencioz për arritjen e trupave amerikane në Evropë, të cilat duhet të marrin pjesë në stërvijtjen e planifikuar për muajin maj të këtij viti. U fry numri i ushtarëve dhe të pajisjes ushtarake të mbëritur, si dhe u fol për kinsë shqetësimin e opinionit publik gjerman shkaktoi arritja e trupave.

Bëri përshtypje mënyra se si këto media raportuan për shprehjen e pakënaqësisë së italianëve ndaj Bashkimit evropian për shkak të mungesës së solidaritetit. Përmes titullit senzacionalist, Veçer pohonte se Evropa qenka në shok sepse nënkryetari i Parlamentit Italian e ka hequr flamurin evropian nga zyra e tij dhe është përshëndetur me BE-në. Në frymën e njëjtë, portali Ekspres, transmetoi deklaratën e politikanit djathtistë, Mateo Salvini, i cili Bashkimin evropian e quajti strofull të gjarpërinjve dhe të çakejve duke paralajmëruar braktisjen e shpejtë të Italisë prej Unionit pasi të kalojë kriza me virusin. As BE ishte në shok, e as Italia braktisi Unionin, mbetën vetëm titujt senzacionalist që përhapën përshtypje të rreme në opinionin maqedonas për atë se çfarë po ndodhë në Itali. Këta media harruan t’i sqarojnë opinionit se në Itali në pushtet janë parti tjera dhe nuk vendosin përfaqësuesit e Ligës veriore, Salvini dhe Rampeli për braktisjen e BE-së, që janë në opozitë.

Shumica e këtyre mediave, në një zë glorifikonin ndihmën që Rusia dhe Kina ia ofruan Italisë dhe vendeve tjera të goditura nga pasojat e pandemisë. Kështu, “Republika”, mjekët kinez që sillnin ndihmë medicinale për Serbinë i quajti heronj, ndërsa portali tjetër “Magazin”, raportoi se me një millionë dollarë ndihmë për Organizatën botërore të shëndetësisë, Rusia ka dëshmuar humanizëm në vepër. Këta media nuk kanë raportuar me ton të njëjtë ose fare nuk kanë raportuar për ndihmën që Italisë i ka mbërritur nga vendet perëndimore.

Në raportimin e një pjese të mediave online ishte e pranishme ajo që Bashkimi evropian e cilëson si aksion definformues rus për rrënimin e institucioneve demokratike dhe humbjen e besimit të opinionit publik për kapërcimin e krizës shëndetësore. Kjo u vërejt në raportimin e disa mediave maqedonase për krizën në Dibër. “Informaks” atëherë publikoi një tekst me titull dramatik “Foto) KAOS NË DIBËR: Rrugë të bllokuara, zjarr mbi qytet, skena apokaliptike në Maqedoni”, ku lihej përshtypje se thuajse i tërë qyteti ishte në flakë, në kaos të plotë dhe jashtë kontrollit, që sigurisht ishte larg të vërtetës. Portali i njëjtë disa ditë pas raportimit kataklizmatik për Dibrën, publikoi lajm, ku frikësonte opinionin e vendit se do të ngelim pa bukë sepse kinse gruri ynë eksportohej në Kosovë. Kaloi një muaj, as ngelëm pa bukë, e as na mungoi gruri, përkundrazi, qeveria u lejojë mullisëve të eksportojnë grurë.

Kur përballeni me këto lloj të raportimit permanent joprofesional te një pjese të mediave online, deklaratat e zëvendës-ministrit të Punëve të brendshme, Sllavjanka Petrovska, të prezantuara në debatin e organizatës “Civil” muajin e kaluar me temë: “Zgjedhje të lira krahas propagandës së zezë”, duhet seriozisht të merren. Petrovska foli për kërcënimet hibride ndaj demokracisë, por edhe për skandalin e para do kohësh për pretendimet e portalit slloven “Necenzurirano” për rrjedhën e 2.5 milion eurove në pesë media në Maqedoni.

“Me të drejtë tema e kërcënimeve hibride bëhet aktuale, veçanërisht para zgjedhjeve. Lufta hibride nuk është asgjë e re në vende demokratike në botë. Pak a shumë kërcënimet hibride mund të marrin formë tjetër. Kjo do të thotë se ndonjë palë, brenda ose jashtë, ka ndonjë interes të sulmojë ndonjë segment të shoqërisë”, deklaroi atëherë Petrovska. Ajo ftoi që Prokuroria publike të hapë procedurë parahetimore dhe seriozisht t’i provojë dyshimet e medias sllovene sepse ka indikacione serioze për financim jolegal të mediave.

Për hir të vërtetës, në mediat online pro opozitare kishte edhe shembuj kur raportohej për disa dyshime për keqpërdorime, që më vonë u dëshmuan se ishin të bazuara, pa dallim stilit agresiv se si u plasuan në publik. Tenderi për furnizimin me respiratorë, për të cilin këto media hodhën dyshim se ka elemente të keqpërdorimit të procedurës, u suspendua.

Përveç kësaj, përfaqësuesit e qeverisë nuk duhet të diskreditojnë gazetarë që bëjnë pyetje të vështira duke i akuzuar se përhapin lajme të rreme. Edhe atëherë kur ka një qëllim të tillë, duhet të përgjigjen duke prezentuar fakte dhe pa mos hyrë në motivet e gazetarëve për pyetjet e parashtruara. Patjetër duhet të kuptohet se nuk ka pyetje të gabuara, por ka përgjigje të gabuara.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.