ASHAAM-i, AKE-ja dhe mediat të mbrohen nga ndërhyrja politike

Të miratohen ndryshimet ligjore me të cilat parashihet pëlqim me shumicë prej dy të tretash i deputetëve gjatë emërimit të anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike (ASHAAM) dhe të zvogëlohet reklamimi i pushtetit, para së gjithash në nivel lokal, në mediat elektronike dhe të eliminohet mundësia për ndikim politik mbi mediat, janë disa nga qëllimet kryesore që duhet të arrihen që të mundësohet pavarësi më e madhe e mediave elektronike dhe e kontrollimit të tyre.

Kjo u tha në prezantimin e sotëm të raportit të Eurothink – Qendrës për strategji evropiane, OJQ-së “Infocentar”, Transparencë Maqedoni dhe Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut. Ky është raporti i tretë tremujor për punën e Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike (ASHAAM) dhe Agjencisë për komunikime elektronike (AKE) të përgatitur në kuadër të projektit “Monitoringu i efikasitetit, efektivitetit, transparencës dhe përgjegjësisë së organeve rregullatore të mediave – PROformance Watch”.

ASHAAM-i në tremujorin e kaluar ka mbajtur nivel solid të transparencës dhe të llogaridhënies, ndërsa nga pesë organizata mediatike janë kërkuar ndryshime ligjore për propozimin dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit të ASHAAM-it, mirëpo procesi është bllokuar. Kjo në Kuvend duhet të bëhet siç është paraparë dhe anëtarët e këtij Këshilli duhet të zgjidhen me shumicë prej dy të tretave që të arrihet pavarësi e mirëfilltë e agjencisë dhe e punës së saj, kërkoi Zoran Fidanovski nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë në diskutimin e zhvilluar pas prezantimit.

Siç tha komunikologu Sefer Tahiri në prezantim, sipas raporteve të SHGM-së dhe sipas disa analizave të tjera, akoma regjistrohet ndërhyrje e madhe e pushtetit në mediat elektronike, e kjo, siç tha ai, ka ndodhur edhe nëpërmjet reklamimit të pushtetit. Kësaj iu kundërvu Zoran Trajëevski, drejtori i ASHAAM-iit, i cili tha se reklamimi i pushtetit në dy vitet e fundit pothuajse është eliminuar. Fidanovski në përgjigjen e tij tha se reklamimi kryesisht është i pranishëm në nivel lokal, në aspekt të transmetimit të raportve nga këshillat komunalë dhe komunikatat e ndryshme.

– АSHAAM-i duhet të jetë organ i pavarur. Çelësi qëndron në pavarësinë politike nga pushteti, mirëpo kjo është lehtë të thuhet, mirëpo vështirë për t’u realizuar – tha Tahiri.

Përveç tij, për punën e ASHAAM-it dhe AKE-së folën edhe Goran Llazarov, koordinator i projekteve në Eurothink dhe Biljana Bejkova, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së, “Infocentar”.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.