Për pothuajse një vit të funksionimit të Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik, numri i mbajtësve të informacioneve me karakter publik është rritur për 146. Sot, Agjencia ka regjistruar 1.403 institucione në Listën e mbajtësve të informacioneve me karakter publik.
Këtë e deklaroi sot drejtoresha e Agjencisë, Pllamenka Bojçeva me rastin e Ditës ndërkombëtare për qasje të lirë në informacione.
“Në dy muajt e parë të vitit 2020, Agjencia ka ndërmarrë veprime në më shumë se 750 raste të prapambetura nga periudha e Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik dhe gjithashtu aktualisht vepron, brenda afateve ligjore, rreth ankesave të sapo pranuara e që deri sot janë bërë më shumë se 600”, tha Bojçeva.
Numri i shtuar, siç theksoi ajo, është për shkak të trajnimit të personave përgjegjës për dorëzim të informacioneve me karakter publike dhe me atë edhe rritjes së transparencës së vetë institucioneve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të ushtrojnë të drejtën e tyre për qasje të lirë në informacionet publike.
“Agjencia është këtu për të mbështetur këto procese dhe për të kontribuar në përpjekjet për një shoqëri të hapur dhe të përgjegjshme dhe qytetarë të informuar,” tha Bojçeva.
Përmes një projekti të financuar nga IPA 2, informoi Bojçeva, Agjencia ka punuar për të forcuar kapacitetin e saj institucional duke promovuar dhe forcuar zbatimin e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik, përmes riorganizimit dhe prodhimit të dokumenteve të brendshme, zbatimit të mjeteve të modernizuara të IT dhe sigurimit të shërbimeve më të mira për kërkuesit e informacioneve.
“Përveç ngritjes së vetëdijes publike për të drejtën e qasjes falas në informacione me karakter publik, rritjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës së organeve shtetërore dhe forcimit të kapacitetit të mbajtësve të informacionit, është krijuar faqja në internet e Agjencisë, si dhe e-portal për kërkuesit e informacioneve slobodenpristap.mk në mënyrë që të respektohen rregulloret ligjore dhe standardet evropiane me realizimin e projektit. Në këtë portal është lista e mbajtësve të informacioneve, tek i cili kërkuesit do të kenë mundësi të hyjnë drejtpërdrejt deri te mbajtësit e informacioneve. Po përgatitet një e-portal për mbajtësit, i cili synon zbatimin konsekuent të Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik”, shtoi Bojçeva.
Në vitin 2019, kishte 8,700 kërkesa për qasje në informacione me karakter publik.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.