Fotografia e publikuar e Janevës në tarracën e shtëpisë është sulm i rëndë ndaj privatësisë

Disa media kanë publikuar sot një foto të ish-prokurores publike Katica Janeva në tarracën e shtëpisë saj pasi u lirua në paraburgim shtëpiak. Publikimi i fotografisë nuk është në interes të publikut dhe është sulm i rëndë ndaj privatësisë, transmeton Meta.mk.

Fotografimi i Katica Janevës nga, siç thuhet në tekst, “fqinjët e saj dhe ndarja e fotove në rrjetet sociale” është e ndëshkueshme sipas Kodi penal të RM-së, si vepër penale kundër të drejtave personale. Por, nuk mund të konstatohet, nëse këtë vërtetë e kanë bërë fqinjët.

“Ai që në mënyrë të paautorizuar do të bëjë fotografi, incizime filmike apo video të ndonjë personi tjetër apo të hapësirave të tij personale pa pëlqimin e tij, duke e cenuar privatësinë e tij apo ai i cili incizimet e tilla drejtpërsëdrejti ia transferon personit të tretë apo ia tregon ose në mënyrë tjetër i mundëson të vjen në kontakt me ato, do të dënohet me gjobë me para apo me burg deri në një vit” thuhet në nenin 152 të Kodit penal.

Me ndërmarrjen e fotografisë nga ana e mediave dhe publikimin e saj bashkë me adresën e banimit shkelen shumë nene nga Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Gazetari nuk guxon të futet dhe të incizojë në shtëpitë apo t’i incizojë pacientët në spitale apo të burgosurit në burgje pa pëlqim paraprak prej tyre. Pëlqimi i subjektit të të dhënave personale është parimi që duhet të respektohet. Në raste kur pacientët në institucione shëndetësore apo të burgosurit nuk kanë aftësi të plotë afariste, pëlqimi duhet të kërkohet nga kujdestarët apo përfaqësuesit e tyre ligjor”, thuhet në Ligj në pjesën për Mbrojtje të privatësisë në shtëpi apo vendbanim.

Për të incizuar në burg nevojitet pëlqim, për shkak se edhe për qeli e burgut edhe për paraburgimin shtëpiak vlen parimi i mos shkeljes së shtëpisë, që në këtë rast me fotografinë në tarracën e shtëpisë, është shkelur. Adresa e publikuar me fotografinë e ndërtesës, gjithashtu është zbulim i të dhënave personale.

Në pajtim me Ligjin për të dhëna personale, “incizimi dhe publikimi i të dhënave për persona kundër të cilëve zbatohet procedurë gjyqësore apo administrative është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale veçanërisht nëse merret parasysh edhe mosrespektimi i parimit për supozim të pafajësisë”.

Duke i pasur parasysh të gjitha shkeljet e theksuara ligjore, fotografia e publikuar dhe zbulimi i të dhënave personale për ish prokuroren speciale, nuk është asgjë tjetër përveç shkelje e rëndë e privatësisë së saj dhe potencial për rrezikim të sigurisë personale. Në pajtim me nenin 8 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, “secili ka të drejtë për respektim të jetës, shtëpisë së tij private dhe familjare”.