Alsat – M, Kanal 5, Sitel dhe Telma kanë dorëzuar padi për kontest administrativ kundër Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KShZ) përpara Gjykatës Administrative për shkak të vendimit për konstatimin e çmimit të arritur mesatar dhe çmimit më të ulët për reklamim të paguar politik në pesë ciklet e fundit zgjedhore, njofton Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk.
Televizionet nacionale të Maqedonisë së Veriut janë të pakënaqura nga çmimi sipas të cilës duhet të transmetohen reklamat parazgjedhore të partive për zgjedhjet parlamentare të 12 prillit.
Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, çmimi më i lartë që mediat mund ta arkëtojnë për reklamim të paguar politik nuk mundet të jetë më i lartë se çmimi mesatar i arritur në pesë ciklet e fundit zgjedhore. KShZ ka konstatuar se çmimi mesatar i arritur ka qenë 1,83 euro ose 112,72 denarë për një sekondë hapësirë reklamuese, që ka shkaktuar pakënaqësi te televizionet nacionale.
Në padinë e dorëzuar nga ana e tyre përpara Gjykatës Administrative thuhet se vendimi i KShZ-së për konstatimin e çmimit të arritur mesatar është i paqartë dhe i patolerueshëm, ndërkaq si i tillë nuk mund të aplikohet.
“Gjatë miratimit të vendimit sulmues në dëm të paditësve ligji nuk është aplikuar në mënyrë të duhur për të cilën propozohen gjykata përkatëse ta miratojë padinë e paditësve si të pabazë dhe të miratojë aktgjykim me të cilën do ta shfuqizojë vendimin numër 10-476/1 të 16.01.2020 të organit të paditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe lënda të kthehet në rishqyrtim përpara organit të paditur”, thuhet në padinë e dorëzuar nga katër televizionet.
Televizionet përpara më shumë se 20 ditëve reaguan se KShZ nuk duhet që të merret me çmimoret sipas të cilave partitë do të reklamohen në fushatën zgjedhore në zgjedhjet parlamentare. Edhe kryetari i Qendrës për Zhvillim në Media, Dejan Georgievski theksoi se KShZ nuk duhet ta caktojë çmimoren për hapësirë reklamuese për program të paguar politik, pasi që bëhet fjalë për trup i cili nuk është i udhëzuar në mënyrën se si funksionon industria e reklamimit.