SHGM në konferencën mediatike në Këshillin e Evropës në Lubjanë

Regjistri i mediumeve profesionale online të cilin Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë (KEMM), këtë muaj do ta promovojnë, ka pasur interes të madh dhe mbështetje nga gazetarët dhe profesionistët mediatik, të pranishëm në konferencën e Këshillit të Evropës “Thirrje e fundit për gazetari cilësore”, e cila është mbajtur më 28 dhe 29 nëntor në Lubjanë, informojnë nga SHGM, njofton Portalb.mk.

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Sllovenisë, morën pjesë rreth 150 gazetarë, ekspertë të medieve, anëtarë të shoqatave gazetareske, organeve rregullatore dhe vetë-rregulluese nga 40 shtete anëtare të organizatës më të vjetër evropiane, ndër të cilët ishte edhe një përfaqësues i SHGM-së.

“Shkrim-leximi mediatik, inteligjenca artificiale dhe aplikimi i saj në mediat, praktikat rregullatore dhe vetë-rregulluese në sferën e medias në vendet evropiane, u diskutuan në konferencën në frymën e domosdoshmërisë së gazetarisë cilësore, e cila është përgjigja e vetme kundër lajmeve të rreme, keqinformimit, propagandës, gjuhës së urrejtjes dhe manipulimit politik, të cilët pak a shumë janë të pranishëm në mediat në tërë Evropën, veçanërisht në sferën online”, shtojnë nga SHGM.

Sipas pjesëmarrësve të konferencës, gazetaria cilësore është e rrezikuar jo vetëm në vendet e Evropës Lindore, ku tendencat autoritare janë pjesë e trashëgimisë historike, por edhe në vendet e vjetra anëtare të BE-së, dhe madje edhe në djepin e demokracisë në Britaninë e Madhe, ku nën ndikimin e populizmit në rritje ka një rënie të standardeve profesionale të gazetarisë

Regjistri i online medieve profesionale i përgatitur nga SHGM dhe KEMM me mbështetjen e Odës Ekonomike në Maqedoni u theksua si një shembull i rrallë i mekanizmit vetë-rregullues që duhet të ndiqet dhe zbatohet në vendet e tjera evropiane për të ndihmuar gazetarinë profesionale dhe cilësore.

“Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës në konferencën gjithashtu shprehën interes për konceptin e mbështetjes financiare për mediat e shkruara nga buxheti i shtetit, që është duke u praktikuar në Maqedoni për vitin e dytë me iniciativën e SHGM-së, dhe Radio Ljubljana incizoi një emision të veçantë për konferencën, ku përfaqësuesi ynë foli për mediat në vend, si dhe për praktikat dhe iniciativat e SHGM-së”, thonë nga SHGM.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.