Gazetarët hulumtues ankohen për jotransparencën e institucioneve 

Qytetarët, gazetarët dhe sektori civil sivjet më pak janë ankuar për transparencën e institucioneve duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik në katër muajt e parë të vitit nga palët të ndryshme janë dorëzuar 109 ankesa për shkak të pamundësisë për të marrë informata me karakter publik prej institucioneve. Gjatë periudhës së njëjtë vitin e kaluar në Agjitacione janë dorëzuar 171 ankesa, që është 62 ankesa më pak se sivjet.

Prej Agjencisë informojnë se deri tani kanë arritur të zgjidhin të gjitha 850 ankesat e dorëzuara, prej të cilave 109 janë dorëzuar në katër muajt e parë të këtij viti dhe 741 të tjera të trashëguara prej vitit të kaluar, kur praktikisht nuk funksiononte Agjencia sepse Kuvendi i RMV nuk mundi të zgjedhë drejtorin dhe zëvendës drejtorin e këtij institucioni.

Ato pohojnë se pas zgjedhjes së drejtuesve të ri të Agjencisë në dhjetor të vitit të kaluar, për të gjitha ankesat janë përpiluar vendime adekuate dhe të njëjtat janë dorëzuar deri te poseduesit dhe kërkuesit e informatave me karakter publik, duke respektuar afatin ligjor prej 15 ditësh nga momenti i dorëzimit të ankesës.

“Duke shqyrtuar ankesat e dorëzuara gjatë vitit 2020, për pjesën dërmuese të tyre kemi miratuar vendime me të cilat ankesat janë pranuar dhe lëndët janë kthyer në rishqyrtim të organeve të shkallës së parë (posedues të informatave), me sugjerim se si të veprojnë. Poashtu, një pjesë e mirë e vendimeve të miratuara janë me dispozitivin ku ankesat pranohen, ndërsa organeve të shkallës së parë (poseduesit) i imponohet, në afat prej 15 ditësh, pas dorëzimit të kërkesave, të veprojnë në pajtim me dispozitat e Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, të miratojnë vendime adekuate dhe për këtë ta njoftojnë Agjencinë”, thotë Cvetan Stanoeski, prej Agjencisë për qasje të lirë në informatat me karakter publik.

Sipas tij, prej 109 ankesave, vetëm afër dhjetë ankesa janë refuzuar si të pabaza ose, i kanë refuzuar si të skaduara. Për katër muaj, drejtori dhe zëvendësi i Agjencisë së re kanë zgjidhur të gjitha lëndët e mbetura, të trashëguara prej Komisionit të mëparshëm për qasje të lirë në informata me karakter publik, e cila nuk mundi t’i zgjidhë lëndët për shkak të mungesës së kuorumit për punë.

Për këto katër muaj të punës, Agjencia, poashtu, ka përgatitur Raport vjetor për punën e Komisionit gjatë vitit 2019, ka miratuar Rregullore për zbatimin e Ligjit të ri për qasje të lirë në informata me karakter publik, si dhe ka formuar Komision për kundërvajtje, i cili do të shqiptojë gjoba për institucionet që disponojnë me informata me karakter publik dhe nuk do t’i ndajnë me qytetarët.

Heshtje nga institucionet

Gazetarja Sashka Cvetkovska nga Laboratori i reporterëve hulumtues (LRH) është e kënaqur me punën e Agjencisë për qasje të lirë në informata me karakter publik dhe pohon se ajo u ndihmon gazetarëve kur kanë probleme me jotransparencën e institucioneve për nevojat e storieve të tyre hulumtuese. Mirëpo, Cvetkovska thekson se nëse sivjet ka pasur më pak ankesa, kjo nuk do të thotë se institucionet kanë qenë me transparente në krahasim me vitin e kaluar. Ajo ankohet se për storiet e saj hulumtuese ka probleme serioze për të siguruar qasje deri te informatat me karakter publik, veçanërisht kur kërkohen informata specifike lidhur me tenderët dhe marrëveshjet e mëdha.

Sipas përvojës së gazetares Sashka Cvetkovska, funksionarë publik më jotransparentë janë sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të cilët me vite kanë refuzuar të japin informata me karakter publik për gazetarët e LRH-së.

Sipas saj, Rashkovski tani më një vit injoron kërkesën e LRH-së të ketë qasje ne studimin e fizibilitetit për ndihmën e parë me helikopter, si dhe për garancat bankare të ofertuesve të tenderit.

“Kishim presione të tmerrshme kur kërkuam informata për ndihmën e parë me helikopter, ndërsa nga ana tjetër, nuk morëm asnjë informacion”, ankohet Cvetkovska.

Përvojë të keqe kjo gazetare hulumtuese ka pasur edhe me Ministrinë e shëndetësisë, të cilën tani më dy vite e lut për informatë lidhur me marrëveshjen e nënshkruar për partneritet publiko-privat me Zhan Mitrevin për kardiokirurgjinë për fëmijë.

Cvtekovska, tani më dy vite nuk ka marrë informatë as për licencat për kultivimin e kanabisit në Maqedoninë e Veriut. Kur ajo ka kërkuar informatë lidhur me marrëveshjen e kardiokirurgjinë për fëmijë dhe licencat e kanabisit, ka hasur në heshtjen e Ministrisë së shëndetësisë.

“Askush nuk i përgjigjet kërkesës tuaj deri në skadimin e afatit ligjor, as se kërkesa është pranuar, qoftw plotësisht apo pjesërisht, e as se jeni të refuzuar për shkak të ndonjë arsyeje. Thjeshtë, përballeni me heshtjen e instituvioneve”, sqaron Cvetkovska.

Më parë do të paguanin gjobë se sa të japin informatë

Mënyra tjetër se si institucionet i anashkalojnë kërkesat e gazetarëve për qasje të lirë në informatat me karakter publik është kur ata formalisht do t’u përgjigjen kërkesave, mirëpo pa mos i përcaktuar një status juridik lëndës. Cvetkovska pohon se këto institucione me vetëdije shkojnë të humbin lëndën para Agjencisë për qasje të lirë, por nuk do të ti japin informatat e kërkuara.

“Më përpara do të paguanin 200-300 euro gjobë prej Agjencisë për qasje të lirë, se sa të lejojnë qasje në informatat e kërkuara”, parashikon ajo. Përndryshe prej se zbatohen ndryshimet dhe plotësimet e reja të ligjit, Agjencia nuk ka shqiptuar asnjë gjobë për shkeljen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik.

Sipas saj, zgjidhje për këto  shkelje të  ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik prej institucioneve qëndron në ndryshimet dhe plotësimet e reja të Ligjit, me të cilat do t’i mundësohet Agjencisë, në emër të kërkuesit të informatës, t’i ndjek penalisht drejtuesit e institucioneve, të cilët injorojnë sugjerimet e Agjencisë se duhet të ndajnë ndonjë informacion me karakter publik.

“Asnjë gazetarë te ne nuk ka kohë për të humbur nëpër procese gjyqësore.  Ne duhet të hulumtojmë dhe të shkruajmë, e jo të sorollatemi nëpër gjykata për të fituar ndonjë informatë. Përveç kësaj, për ngritjen e një padie duhet të paguhen taksa gjyqësore. Cili gazetarë ka para për të lejuar një luks të tillë”, pyet Cvetkovska.

As SHGM nuk merr informata në bazë të qasjes së lirë

Në Shoqatën e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)  janë të vetëdijshëm për problemin e jotransparencës së institucioneve. Drejtori ekzekutiv i SHGM, Dragan Sekulovski, thotë se vetë fakti që Agjencia nuk funksiononte thuaja gati një vit, flet mjaftë për transparencën e institucioneve publike. Mirëpo, deri tani asnjë gazetarë nuk është ankuar në SHGM për vështirësitë gjatë marrjes së informatave prej institucioneve, por, sipas Sekulovskit, kjo nuk do të thotë se problem nuk ekziston.

Ai fton gazetarët të denoncojnë të gjitha rastet e mosrespektimit të Ligjit për qasje të lirë në informata me karakter publik për të ndjekur zbatimin e ligjit dhe për të reaguar deri te kompetentët për të përmirësuar praktikën.

Ai përmend raste kur vetë Shoqata është ndeshur me heshtjen e institucioneve publike kur kanë kërkuar ndonjë informatë me karakter publik. Kështu, vjet thuaja gjysma e komunave në Maqedoninë e Veriut kanë refuzuar të japin informata se sa para kanë shpenzuar për arsye të ndryshme në media. Sekulovski përmend edhe një shembull tjetër kur Shoqata nuk ka arritur të marrë informatë prej një institucioni.

“Muajin e kaluar zyra e SHGM iu drejtua një gjykate në Shkup dhe kërkoi të marrim një kopje të një vendimi të plotfuqishëm, ku njëra prej palëve është gazetarë. Na u tha se për shkak se një pjesë e administratës është në shtëpi, nuk janë në gjendje të na përgjigjen dhe na sugjeruan të bëjmë kërkesë sipas Ligjit për qasje të lirë në informatat publike, me qëllim që të fitojnë kohë dhe të përpiqen të na e sigurojnë vendimin”, sqaron Sekulovski.

Sipas tij, SHGM në të ardhmen do të kushtojë më shumë vëmendje për transparencën e institucioneve në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme dhe të krizës shëndetësore, sepse duan të përjashtojnë mundësinë që dikush të keqpërdorë situatën dhe të fshehë informata me karakter publik.

Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.