Gjithsej 345 media – televizione, radio, media të shtypura dhe online – do të marrin pjesë në garën për ndarjen e 3.6 milionë eurove, para publike të parapara për reklamim të paguar politik të partive të pushtetit dhe opozitës. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara për 12 prill të këtij viti në RMV, pushteti dhe opozita, në gjueti të votave përmes shpalljeve në media, përgjysmë do të ndajnë mbi 3 milion euro, njofton Portalb.mk. Për të njejtin qëllim, partitë më të vogla të pushtetit dhe të opozitës do të fitojnë dhjetë për qind të shumës së përgjithshme, ose rreth 360 mijë euro.
Kryetari i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, Oliver Derkovski, thotë se në pajtim me ndryshimet e fundit ligjore, rreth një milion euro janë planifikuar që partitë të shpenzojnë gjatë fushatës zgjedhore për shpallje politike në portale, ndërsa paratë tjera do të shpenzohen për reklamë politike në mediat radio-vizive dhe të shtypura.
Edhe pse numri i portaleve, të cilat përmes KSHZ ofrojnë hapësirën e tyre për reklamë partive për shpallje politike u rrit trefishi në krahasim me zgjedhjet e vjetshme presidenciale, shuma për shpallje në portale është kufizuar në një të katërtën e shumës së përgjithshme. Për zgjedhjet presidenciale për paratë e partive për reklamë garuan 73 portale, ndërsa tani, për parlamentare, ky numër është rritur në 233, mirëpo shuma maksimale që mund të fitojnë një portal nga një bartës listën në bazë të kësaj është kufizuar në 15 mijë euro.
Në KSHZ pohojnë se portalet e reja të paraqitura janë formuar pak para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, prandaj në opinion është paraqitur dyshimi se këto para publike mund të keqpërdoren nga partitë. Ekziston frika se përmes këtyre portaleve, që mbijnë si kërpudhat pas shiut, partitë mund të lajnë paratë e destinuara për reklamë politike gjatë fushatës zgjedhore, edhe pse kjo nuk përjashtohet të ndodhë edhe me llojet tjera të mediave.
Për reklamë të partive në KSHZ janë regjistruar edhe portale me emra interesant, si dodajgas.mk, tirekovmirece.com, dribbling.mk ili apla.mk. Në këtë regjistër të portaleve hyjnë edhe ueb faqet e mediave tjera, televizioneve dhe radiove nacionale, rajonale dhe lokale, si dhe të gjitha mediat e shtypura – gazeta ditore, javore dhe të tjera. Me këtë radio-difuzerët dhe gazetat në shumë mënyra do të tërheqin para për reklamë nga listat e kandidatëve.
Çështje tjetër që ngritën organizatat e gazetarëve dhe të mediave është edhe kredibiliteti i mediave online dhe mundësia që ato të keqpërdoren nga shtabet partiake për përhapjen e dezinformatave dhe të gjuhës së urrejtjes. Në Këshillin e Etikës në Media janë regjistruar rreth 100 portale, ndërsa në KSHZ ka mbi 233, që do të thotë se dyfish më shumë janë portalet që do të gjuajnë para të partive për propagandë politike prej atyre që janë anëtare të KEM.
Të parët nuk janë të obliguar të respektojnë etikën e gazetarit gjatë raportimit për fushatën zgjedhore, ndërsa portalet profesionale, nëse asgjë tjetër, deklarativisht janë të obliguar gjatë raportimit për zgjedhjet të respektojnë standardet themelore të gazetarëve.
Përveç respektimit të standardeve profesionale, anëtarët e KEEM, kanë edhe pronësi transparente, publikojnë impresum, tekstet e publikuara i nënshkruajnë autorët, ndërsa nëse ato janë marrë prej mediave tjera, kjo thuhet, në pajtim me Ligjin për të drejtat e autorit. Disa prej portaleve të reja të regjistruara në KSHZ, bile janë të paqasshme, ndërsa të tjera kanë pak përmbajtje të shkruara, por rastësisht apo jo, nuk kanë vendosur datën e publikimit.
“Qëllimi kryesor i krijimit të këtij Regjistri është të kontribuojë për të nxitur procesin e profesionalizmit në punën e mediave online, ndërsa me këtë edhe përmirësimin e kredibilitetit të tyre, si dhe të njihen ato që respektojnë standardet përkundër atyre joetike që cënojnë reputacionin e mediave profesionale online”, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Këshillit të Etikës në Media.
Derkovski sqaron se kufizimet në ndarjen e mjeteve janë zbatuar për të zvogëluar mundësitë që partitë përmes portaleve t’i lajnë paratë të destinuara për propagandë në media. Kushte të veçanta për paraqitje nuk ka, mjafton që portalet të dorëzojnë xhirollogari jo më të vjetër se 30 ditë dhe çmime, të cilat mund t’i krijojnë vetë.
“Deri tani e vetmja gjë e mirë që ka ndodhur me këto ndryshime të Kodit zgjedhor është që u kufizua kuantumi i mjeteve që do të shpenzohen për fushatat mediatike, 110 denarë për çdo listë kandidatësh për votues të regjistruar. Deri tani, nuk kishte një kufizim të këtillë dhe mundej që dhjetë lista kandidatësh të paraqiten dhe shumat të jenë shumë të larta”, deklaroi Derkovski në një debat në “Telma”.
Ndryshim tjetër ligjor që u bë para shpalljes së zgjedhjeve kanë të bëjnë me ashpërsimin e kritereve për përcaktimin e çmimeve për reklamim në mediat radiovizive. Tani ato nuk do të mund t’i ndryshojnë çmimet menjëherë pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të rregullta ose të parakohshme, praktikë që është evidentuar vjet në zgjedhjet e fundit për president.
Nga ana tjetër, reklamim i paguar politik në mediat radiovizive në pjesën dërmuese të vendeve evropiane është ndaluar. Në vitin 2018 Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë publikoi një analizë krahasimtare për reklamim politik në media, e cila thirret në rezultat e analizës komparative te EPRA të viti 2006 dhe të vendimit të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg për rastin “Mbrojtësit e kafshëve International VS Mbretëria e Bashkuar”, të vitit 2013.
Analiza tregon se reklamimi politik është ndaluar në 11 vende Perendimore (Belgjikë, Danimarkë, Francë, Gjermani, Irlandë, Maltë, Norvegji, Portugali, Suedi, Zvicër dhe Mbretëri e Bashkuar), si dhe në dy vende të Evropës Lindore (Çeki dhe Rumani). Prej vendeve të Evropës Perëndimore, reklamim politik lejon Austria, Finlanda dhe Holanda. Reklamim të paguar politik është e lejuar edhe në gjashtë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore – Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Polonia si dhe tre vendet e Baltikut.
Gjykata evropiane në vitin 2013 duke shqyrtuar rastin “Mbrojtësit e kafshëve International VS Mbretëri e Bashkuar” pranoi vendimin e autoriteteve britanike për ndalimin e reklamimit politik në mediat radiovizive me sqarimin se me këtë pengohet “rreziku për shpërfytyrimin” e debatit publik nga ana e grupeve të fuqishme financiare, të cilëve u është dhënë qasje e privilegjuar në reklamim politik; për shkak të ndikimit të fuqishëm të mediave radiovizive dhe se ekziston reziku për keqpërdorime.
Gjykata vlerëson se ndalimi nga Britania e Madhe mbron pluralizmin në sektorin radioviziv.
“Pa pluralizëm nuk ka demokraci dhe për shkak të vetë esencës së demokracisë është e rëndësishme të mundësohet të debatohet për programe të ndryshme politike, me kusht që kjo të mos dëmtojë vetë procesin demokratik”, theksohet në analizë dhe shtohet se nëse një grupi të fuqishëm ekonomik apo politik i lejohet të ketë pozicion dominant në mediat audiovizive, ekziston rreziku që në këtë mënyrë të ushtrohet presion ndaj radiodifuzerëve dhe ta cënojë lirinë e tyre editoriale, respektivisht ta cënojë rolin fundamental të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike.
Përveç kësaj, gjykata përkujton se rreziku të cënohet debati pluralist publik nuk ka të bëjë vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve, edhe pse atëherë është ndoshta më akut, sepse “procesi demokratik duhet të kultivohet në vazhdimësi në çdo periudhë qoftë përmes debatit publik të lirë dhe pluralistë”.
Qeveria aktuale ndaloi fushatat qeveritare, por në marrëveshje me opozitën vendosi reklamim të paguar politik në media me mjete publike gjatë fushatës zgjedhore. Ministri për shoqëri informative dhe administratë, Damjan Mançevski, në intervistën e fundit për ‘Meta.mk”, pohon se nuk ka kurrfarë lidhje mes reklamimit të qeverisë dhe reklamimit politik për zgjedhje të vendosur në vitin 2018.
“Do të ju përkujtojë se gjatë periudhës 2008 deri në vitin 2015 gjithsej 14 milion euro janë shpërndarë në gjashtë agjenci marketingu. Në këto 14 milionë euro nuk janë përfshirë edhe mjetet për subvencionimin e prodhimit të programit”, pohon Mançevski.
Sipas tij, subvencionet për vitin 2017 ishin 31 milionë denarë, për të cilat qeveria e mëparshme vendimin e kishte marrë gjatë periudhës kur ende nuk kishte mbaruar procesi zgjedhor.
Autor: Naser Selmani