Operatorët kabllorë do të përgjigjen edhe për pirateri të kanaleve të huaja

Ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike, të cilat janë votuar në fshehtësi të plotë dhe pa debat publik, sërish i kanë trazuar ndjenjat ndërmjet televizioneve nacionale dhe operatorëve kabllorë, transmeton Meta.mk.

Me ndryshimet praktikisht fillohet të aplikohet edhe një nen nga Ligji, i cili është miratuar me ndryshime dhe plotësime tjera në vitin 2018, e i cili është paraparë të zbatohet pasi të zgjedhet përbërja e re e Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele mediatike (AShAAVM).

Sipas këtij neni, drejtorët e operatorëve kabllorë do të mbajnë përgjegjësi morale dhe penale, jo vetëm për mosrespektimin e të drejtave autoriale për riemitim të kanaleve që i transmetojnë, por edhe për mosrespektimin e të drejtave të njëjta nga ana e radiodifuzerëve të huaj të cilët i riemitojnë. Sanksione për mosrespektim të të drejtave autoriale dhe të drejtave të ngjashme të operatorëve kabllorë do të shqiptojë rregullatori mediatik, që do të duhet të miratojë akt nënligjor, ku do të rregullohet procedura për përcaktim të përgjegjësisë.

AOK: Ndryshimet janë absurde dhe të pazbatueshme

Zgjidhja e këtillë ligjore për operatorët kabllorë është e pazbatueshme dhe paraqet ndërhyrje në sistemin juridik të vendit. Avokatja e Asociacionit të operatorëve kabllorë (AOK), Lidija Gollubovska, pohon që në botë ka modele ku një i huaj dërgon dokumentacion përkatës te ndonjë trup rregullator, për të vërtetuar se punon në pajtim me ligjin, por të jep deklaratë, me përgjegjësi morale, materiale dhe penale, këtë mund ta bëjë vetëm para ndonjë noteri në Maqedoni.

“Si mund të garantojmë për atë nëse Eurosport, CNN apo Discovery i kanë të rregulluara të drejtat autoriale?! Prandaj themi që ligji nuk mund të zbatohet. Këto ndryshime sikur t’i ketë bërë ndonjë analfabet, deri në atë shkallë që dispozitat që hynë në fuqi nuk kanë kuptim. Ky është absurd total dhe kjo zgjidhje do të krijojë kaos shtesë në sferën mediatike”, vlerëson Gollubovska dhe shton qe për atë shkak mund të përjashtohen të gjitha kanalet e huaja, ndërsa qytetarët të jenë më të dëmtuarit.

Sipas saj, nuk është parë që t’i imponohet obligim një subjekti të caktuar juridik të mbajë përgjegjësi penale për ndonjë mosrespektim nga subjekt tjetër juridik.

“Operatori vendas duhet të mbajë përgjegjësi penale nëse ndonjë kanal i huaj bën pirateri. Nuk mund një person juridik të përgjigjet për shkelje që e ka bërë ndonjë subjekt tjetër juridik”, sqaron Gollubovska.

Ajo paralajmëron që do t’i përdorin të gjitha mundësitë juridike për t’i kontestuar ndryshimet e reja të ligjit, nëpërmjet bisedave me përfaqësuesit e institucioneve, por edhe duke ngritur procedurë pranë Gjykatës Administrative për vlerësim e kushtetutshmërisë së këtyre zgjidhjeve ligjore, megjithëse nuk fsheh që janë skeptik se do të hasin në mirëkuptim duke pasur parasysh gjendjet e përgjithshme në gjyqësor.

BE distancohet nga ndryshimet ligjore

Kundër zgjidhjes së këtillë të miratuar është prononcuar edhe Delegacioni I Bashkimit Evropian në Shkup Në shkresën e tyre tek operatorët thuhet që njerëzit në Bruksel të cilët merren me mbrojtjen e pronës intelektuale nuk e konsiderojnë të nevojshëm intervenimin në ligj.

“Radiodifuzerët dhe operatorët kabllorë për riemitim duhet t’i pastrojnë të drejtat e nevojshme dhe këto konsiderohen si marrëdhënie private kontraktuese ndërmjet atyre dhe bartësve të të drejtave autoriale”, thuhet në qëndrimin e BE-së.

Sipas tyre, detyrë e zakonshme e autoriteteve publike është ta kontrollojnë lejen dhe të kërkojnë nga operatorët të japin deklarata për lirim nga të drejtat.

Televizionet kombëtare kërkojnë të respektohet e drejta e autorit

Në pozicione të kundërta me operatorët kabllorë janë televizionet kombëtarë, të cilat janë të lidhur me Asociacionin mediatik të televizioneve kombëtare private të Maqedonisë (AMM), i mbështesin ndryshimet.

Drejtori i Kanal 5 Ivan Mirçevski pohon se televizionet kombëtare këmbëngulin që të drejtat e autorit të respektohen sepse pa atë do të shkatërrohet tregu dhe industria i mediatike.

“Ne kemi përgjegjësi penale për çdo përmbajtje që botohet në programet tona, ndërsa kjo  nuk vlen për operatorët kabllorë,” thotë Mirçevski.

Ai pretendon se operatorët përmes kanaleve të huaja po ritransmetojnë programe për të cilat televizionet kombëtare paguajnë shtrenjtë për t’i ritransmetuar te ne.

“Operatorët kabllorë ritransmetojnë vazhdimisht seri, filma dhe ngjarje sportive për të cilat televizionet nacionale i kanë blerë të drejta dhe për shkak të paqartësisë në legjislacion, operatorët deri më tani nuk kanë humbur asnjë proces gjyqësor”, thotë Mirçevski, duke shtuar se ata kërkojnë vetëm trajtim të barabartë në treg. Ka pasur raste kur transmetuesit kombëtar kanë paguar të drejta autoriale për gara sportive, ndërsa operatorët i kanë transmetuar të njëjtat ngjarje përmes kanaleve të huaja pa i paguar të drejtat autoriale.

Përndryshe, në vitin 2018, kur u miratuan ndryshimet e mëparshme në Ligj me veprim të vonuar, rregullatori mediatik konsideronte se rregullimin e të drejtave të autorit midis operatorëve dhe televizioneve komerciale është çështje e marrëdhënieve tregtare. Sipas tyre, është vullneti i lirë i subjekteve kontraktuese, ndërsa AShAAVM duhet vetëm të konstatojë se të drejtat midis dy subjekteve janë të rregulluara.

Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillim të mediave beson se edhe deri tani ka qenë e mundur që të errësohen programet e operatorëve kabllorë për të cilët kanalet e huaja nuk i kanë blerë të drejta për transmetim në vendin tonë. Georgievski thotë se në vendet e BE-së ka përvoja të ndryshme, diku operatorët iu paguajnë televizioneve, ndërsa në situata tjera televizionet paguajnë “për t’u varur” në një operator kabllor. Sipas tij, zgjidhja është që operatorët ose t’i largojnë nga pakoja televizionet kombëtare ose të paguajnë një shumë të caktuar.

“E gjitha varet nga fakti se kush është më i fuqishëm në treg,” thotë Georgievski.

Nga ana tjetër, direktivat e BE-së imponojnë që të pasurohet oferta përmbajtjeve  programore në të gjithë BE-në përmes ritransmetimit të serviseve programore nga jashtë përmes operatorëve kabllorë.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.