Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM ka mbizotëruar me transmetim të reklamave politike në televizion gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa koalicioni “Përtëritja” i VMRO-DPMNE ka qarkulluar më së shumti reklama politike në radio-stacione. Këtë e tregon nga Raporti për reklamimin e paguar politik në programet e radiodifuzerëve gjatë fushatës për zgjedhjet e 15 korrikut që tashmë ishte miratuar nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAV) në seancën e mbajtur më 30 korrik.
Nga gjithsej 96 radiodifuzerë të regjistruar në KSHZ për transmetimin e reklamave të paguara politike, kontratat për transmetim të reklamave politike në fushatë kanë lidhur 38 televizione dhe 31 radio- stacione.
Në televizione janë transmetuar reklama politike për gjithsej 367 orë, 55 minuta dhe 46 sekonda, me ç’rast pjesën më të madhe të hapësirës reklamuese e ka shfrytëzuar Koalicioni “Mundemi” me 129 orë, 5 minuta dhe 4 sekonda dhe partia BDI, reklamat e së cilës në fushatën zgjedhore kanë zgjatur 116 orë, 45 minuta dhe 2 sekonda. Koalicioni “Përtëritja” ka transmetuar në televizion reklama politike me kohëzgjatje prej 76 orë, 3 minuta dhe 53 sekonda.
Shumica e reklamave gjatë fushatës zgjedhore u shfaqën në kanalet televizive kombëtare, të cilat e kanë shikueshmërinë më të madhe nga qytetarët. Më së shumti kohë është marrë me qira në TV Sitel (36 orë, 16 minuta dhe 2 sekonda), Kanal 5 (36 orë, 13 minuta dhe 29 sekonda) dhe Alsat-M (33 orë, 46 minuta dhe 20 sekonda). .
Te transmetimi i reklamave të paguara politike në radio ka mbizotëruar koalicioni “Përtëritja” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, i cili mori me qira 57 orë, 4 minuta dhe 21 sekonda nga gjithsej 102 orë, 14 minuta dhe 12 sekonda të transmetuara nga të gjitha partitë. Koalicioni “Mundemi” ka transmetuar reklama në radio me kohëzgjatje prej 24 orë, 18 minuta dhe 48 sekonda.
ASHMAV në Raportin për monitorimin e reklamimit të paguar politik ka drejtuar kritika për ndryshimet e shpeshta të kohës së lejuar për reklamim politik të paguar, që ka pësuar tre herë ndryshime nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës zgjedhore.
“Me përpjekje të mëdha të Agjencisë për të informuar vazhdimisht radiodifuzerët për çdo ndryshim në rregullore dhe për t’iu përgjigjur menjëherë pyetjeve dhe dilemave të tyre, për herë të parë gjatë fushatës zgjedhore nuk u konstatuan shkelje të kufijve për reklamim politik të paguar”, thuhet në në Raportin ASHMAV.
Nga Agjencia kërkojnë ndryshime në rregulloret e zgjedhjeve në fushën e reklamimit politik të paguar, sepse dispozitat nuk mundësojnë kushte të barabarta për qasje për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. ASHMAV beson se po imponohen rregulla të detajuara dhe jorealiste mbi çmimet e reklamave, ndërsa përgjegjësia për transmetimin e reklamave nuk është te pjesëmarrësit në fushatë, por te media.
“Financimi i reklamave politike me fonde nga buxheti i shtetit, krijon mundësi për krijimin e lidhjeve të reja klienteliste midis partive politike dhe mediave”, ka konstatuar ASHMAV.
“Meta.mk“ tashmë ka shkruar për kritikat në lidhje me reklamimin e paguar politike, për të cilën partitë politike morën fonde nga buxheti i shtetit edhe në këto zgjedhje.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media”të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.