Në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në pjesën për financimin e mediave, ekziston një vërejtje në lidhje me reklamat politike që mund të ndikojnë në pavarësinë e politikës redaktuese të mediave.
“Mundësia e përdorimit të fondeve shtetërore nga partitë politike, për reklamim në media, ka ngritur shqetësime midis shoqatave mediatike për ndikim të mundshëm politik në politikën redaktuese”, thuhet ne Raport.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekullovski për “Meta” thotë se ky fakt, i cili është shënuar në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, konfirmon perceptimin e tyre se përmes parave publike për fushatat politike, partitë politike i korruptojnë mediat dhe e çrregullon tregun edhe ashtu të brishtë mediatik.
“Qëndrimet e organizatave anëtare në sektorin e medias rreth çështjes së reklamave politike me pagesë kanë qenë të qëndrueshme për vite me radhë. “Përmes parave publike për fushata politike, partitë politike i korruptojnë mediat dhe e prishin tregun tashmë të brishtë mediatik dhe e gjithë kjo legalizohet për fat të keq nga ndryshimet e fundit në Ligjin zgjedhor”, tha Sekullovski.
Reklamimi politik ishte gjithashtu temë e bisedës ndërmjet përfaqësuesve të SHGM-së dhe KEMM me ministrin e drejtësisë Bojan Mariçiq.
“Kërkuam nga ministri Mariçiq të rishikohet Kodin zgjedhor në këtë pjesë në mënyrë që t’i jepet fund kësaj praktike negative ku mediat përdoren për të përhapur një fushatë negative nga kundërshtarët politikë dhe në fund krejt atë ta paguajnë qytetarët. Shembull i qartë i abuzimit të mediave me zgjidhjen për reklamat politike me pagesë ishte roli i onlajn mediave, ku sipas raporteve të KSHZ-së u morën në konsideratë gjithsej 235 domene. Shumë nga këto domene nuk i plotësojnë standardet minimale për onlajn mediat siç janë impresumi, informacioni i publikuar për strukturën pronësore në dispozicion të publikut, informacioni i kontaktit dhe të ngjashme. Kjo është një provë tjetër që partitë politike e kanë vendosur interesin publik në plan të dytë në dëm të mediave profesionale. Presim nga Ministria e Drejtësisë në periudhën e ardhshme të na ftojë si përfaqësues në disa grupe pune për të ndryshuar ligjet për të cilat kjo ministri është përgjegjëse, përfshirë Kodin zgjedhor”, shtoi Sekullovski.
Lidhur me financimin e mediave, Raporti gjithashtu e përmban edhe vërejtjen e Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele e cila thekson se buxhetet për reklamim po zvogëlohen. Prandaj, në Raporti theksohet se “fondet në dispozicion ngrenë shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë financiare të mediave dhe integritetin e pavarësinë e mediave. Duke pasur parasysh situatën ekonomike, është e rëndësishme të vazhdojmë të mbështesim gazetarinë profesionale dhe hulumtuese. Në nivelin lokal, nevojiten përpjekje për të siguruar pavarësinë e medias nga ndikimet politike”.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.