Radiotelevizioni i Maqedonisë ka shpallur thirrje publike për nevojat e rrjetit korrespondent të RTVM, duke kërkuar një gazetar dhe kameraman nga Shtipi, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.
Përndryshe, analiza për korrespondentë nga Shoqata e Gazetarëve tregon se Radiotelevizioni i Maqedonisë ka vetëm tre korrespondentë nga rajoni Lindor dhe asnjë qendër korrespondente nuk është aktive.
“RTVM ka hapësirat e veta në Strumicë, në Rr. Marshall Tito në Shtip, në Sheshin Liria, por ai nuk i përdor ato. Në Shtip, hapësirat janë dhënë me qira dhe në vend të gazetarëve dhe teknikëve atje ka kuzhinierë dhe kamerierë, të cilët punojnë në një objekt hotelerik. Për cilësinë e informacionit të siguruar nga MRTV dhe AIM, është e nevojshme të krijohet një rrjet i zhvilluar me korrespodentë, që do të përfshin të gjitha 30 zonat urbane në vend”, rekomandon analiza.
Nga atje vlerësojnë se situata aktuale me korrespondentët as prej së largu nuk mund të krahasohet me gjendjet para pesë, dhjetë dhe pesëmbëdhjetë vitesh.
Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Maqedonisë Marjan Cvetkovski në një debat, para do kohe për servisin publik vuri në dukje se RTVM brenda tetë vitesh ka mbet me 187 punonjës më pak.
“Me politikën e vazhdueshme të shtetit dhe qeverisë së mëparshme dhe kësaj qeverie për të mos miratuar punësime të reja në RTM, ne tani jemi në gjendje të kemi 763 të punësuar,” tha Cvetkovski.