Kryetari i SHGM Mladen Çadikovski, Drejtori i SHGM Dragan Sekullovski dhe avokati, i cile e përfaqëson një grup gazetarësh për përgjime të paligjshme, Filip Medarski, u takuan dje me Prokurorin shtetëror publik, Ljubomir Joveski, njofton Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).
Në takim janë ngritur disa çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe mënyrën se si Prokuroria themelore publike duhet të jetë më aktive në ndjekjen e atyre që i kërcënojnë gazetarët dhe i shkelin të drejtat e tyre.
“Në regjistrin e SHGM-së për sulme ndaj gazetarëve, nga fillimi i këtij viti deri më tani, kemi regjistruar 14 sulme ndaj gazetarëve, nga të cilat më shumë se gjysma janë kundër gazetareve. Në vitin 2019, kishim vetëm 4 sulme gjithsej dhe ky trend negativ duhet të ngrejë alarmin kryesisht në PTHP, veçanërisht duke marrë parasysh se sipas të dhënave tona nuk ka aktakuzë kundër sulmuesve,” tha Çadikovski në lidhje me trendin në rritje të kërcënimeve ndaj gazetarëve në vitin 2020.
Përfaqësuesit e SHGM kërkuan proaktivitet më të madh për këto raste nga prokuroria, si dhe u propozua të krijohet një njësi speciale në prokurori për të ndjekur sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
“Detyra e kësaj njësie speciale është të hetojë jo vetëm shkeljet e të drejtave të gazetarëve këtë vit, por edhe rastet e vjetra, sepse vetëm në atë mënyrë do të përmirësojë praktikën negative të mosndëshkimit që është aktualisht e pranishme”, tha drejtori Sekullovski.
Sipas Joveski, në periudhën e ardhshme Zyra e Prokurorit Publik do të përpiqet të kontrollojë rastet e regjistruara nga SHGM për sulme ndaj gazetarëve dhe do të diskutojë brenda kërkesën për krijimin e një njësie speciale.
Avokati Medarski, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të SHGM-së në rastin e përgjimit të paligjshëm të gazetarëve, kërkoi ndihmë nga Prokurori shtetëror publik për të siguruar prova se numrat e telefonave që janë përdorur nga gazetarët gjatë periudhës kritike kanë qenë objekt i përgjimit të paautorizuar. Kjo mbështetje nga PTHP-ja është e nevojshme për këtë procedurë për të argumentuar edhe më tepër padinë në emër të gazetarëve të drejtat e të cilëve janë shkelur në këtë lënde.
Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.