Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon që të revokohet vendimi i Këshillit Programor të RTVM-së për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të servisit publik në kushte kur mandati i anëtarëve të Këshillit Programor ka skaduar.
“Mandati i Këshillit Programor skadoi në dhjetor në vitin 2019 dhe për këtë arsye mendojmë se është problematike që ato t’i zgjedhin anëtarët e ri të Bordit Mbikëqyrës i cili ka për detyrë të kontrollojë punën materiale dhe financiare të servisit publik në vitet e ardhshme. Përveç skadimit të mandatit, disa prej anëtarëve në Këshillin Programor gjithashtu kanë konflikt interesi sipas ligjit dhe kjo paraqet një problem shtesë për vendimet e këtij organi”, thonë nga SHGM.
Ata shtojnë se përpjekja për të zgjedhur anëtarë të ri në Bordin Mbikëqyrës në këtë mënyrë paraqet edhe shkelje të rekomandimeve të Këshillit të Evropës, konkretisht rekomandimin me numër 96, i cili garanton pavarësinë e serviseve publike. Kapitulli i tretë i këtij rekomandimi, i cili merret me punën e Autoriteteve Mbikëqyrëse, shtojnë nga SHGM thotë se anëtarët duhet të zgjidhen nga një organ i parashikuar me ligj në atë mënyrë që të shmangë rrezikun e ndërhyrjes politike ose ndikimeve të tjera.
Përkujtojmë se zgjedhja e anëtarëve të ri në Këshillin Programor është bllokuar për gati një vit në Komisionin e Zgjedhjeve dhe Emërimeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. SHGM në disa raste kërkoi që anëtarët e këtij Komisioni të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të zgjedhin anëtarët e ri të Këshillit Programor. Kërkojmë nga Komisioni që të mbajë mbledhje urgjente dhe të zgjedhë kandidatët më të përshtatshëm për Këshillin Programor, si dhe për Këshillin e AShMAA-së në mënyrë që të mundësojë fillimin e reformave mediatike në këto dy institucione.